BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Bindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Pervojat e te suksesshmeve
Pervojat e te suksesshmeve
Dr. Mishal Felahi

Në mësimet e kaluara të kam folur për vetëbesimin dhe marrjen në konsideratë të aftësive të tua. Të kam thënë, duke ta vërtetuar në vazhdimësi, se të besosh në forcat dhe mundësitë e tua është më efektive për mposhtjen e shkëndijave të egos brenda teje, në çdo aspekt. 

Sot, të gjithë njerëzit e suksesshëm, emërues të përbashkët kanë bindjen në forcat dhe mundësitë e tyre, cilësi kjo që i ka bërë të mëdhenj në botën tokësore. Andaj, nëse çështja na qenka kështu, askush prej krijesave nuk ka mundësi të të pengojë që t’i realizosh ëndrrat e tua, apo të të bëjë të ndjehesh i mangët apo i ulët; madje, të jesh i sigurt se, nëse lejon që dikush të të detyrojë të ndjehesh i tillë, atëherë dije se, në atë moment, ti je shndërruar në një lajkatar i cili s’ia del dot të hedhë një hap pozitiv përpara, por thjesht pret mendimet e të tjerëve për të ecur nëpër gjurmët e tyre e për të kontribuar në udhën tënde. Rrjedhimisht, ky do të ishte kulmi i dështimit në jetën e një njeriu.

Duhet të kuptosh, se ti je prijës i vetvetes dhe njohës i mirë i saj. Edhe nëse të gjithë banorët e tokës do të mblidheshin për të ta ndryshuar një bindje tënden, apo për të mbjellë tek ti një mendim, nuk do të mundeshin, veç nëse ti vetë do t’ua hapësh atyre portat e mendjes tënde dhe do t’i ndihmosh për të arritur atë që dëshirojnë tek ti. 

Pa sille njëherë mendjen dhe vështrimin tënd vërdallë, tek njerëzit që të rrethojnë! A po shihet gjëkundi ai që ka pasur fatin të jetë i shquar dhe i vlerësuar nga të tjerët, ai drejt të cilit bëhet me gisht?! Do të konstatosh se ai s’është tjetër, veçse një person që e ka ndërtuar vetveten, e ka sfiduar realitetin vetanak dhe i është qasur jetës me vendosmëri. Për rrjedhojë, një njeri i tillë, e ka merituar  me të drejtë t’i arrijë qëllimet e mëdha. 

Ç’është e vërteta, i gjymtuar dhe i paaftë nuk është ai të cilit i janë paralizuar gjymtyrët, assesi! I paaftë është ai që ka ndaluar në gjysmë të rrugës, ai që qahet për “kohën që s’i ka sjellë fat”, i paralizuari nga puna dhe të menduarit, i refuzuari nga jeta e njerëzve, nga realiteti dhe mendimet e tyre. 

Nëse dëshiron të ndërtosh vetëbesim, ndaje një hise nga koha jote për të lexuar tregimet e të suksesshmëve, librat e kujtimeve, biografitë personale të tyre; madje, të këshilloj që teksa lexon, të vëresh me hollësi rreshtat që tregojnë për qëndrimet pozitive të protagonistëve të këtyre kujtimeve dhe për mënyrën se si e kanë shkruar biografinë e tyre përkitazi me realitetin që ka mbretëruar në tokë; e mos u merr me rreshtat që radhisin historinë familjare, vendbanimin e ngjarjet e lindjes, ngase ato janë sikurse mbeturinat sipërfaqësore të detit brenda këtyre jetëshkrimeve.

Leximi yt i vazhdueshëm mbi jetëshkrimet e të suksesshmëve të fut në brendësi të botës së tyre, të trimëron për t’i arritur bëmat e tyre, madje, në çdo çast je i duartrokitur që t’i bashkëngjitesh karvanit të të zellshmëve të botës. Lexo dhe përqendrohu në vendndodhjet e shembujve praktikë brenda këtyre biografive, sepse janë pikërisht ato, që ta ndezin zemrën dhe të dërgojnë drejt botës së të dalluarve.

Njëherë, një mik i imi më tregoi një ngjarje në të cilën kishte qenë vetë i pranishëm, përkatësisht në një trajnim në vendet arabe. Më tha: “Një prej kushteve që kishte vendosur trajnuesi, ishte që gjatë seminarit të mbylleshin telefonat dhe që asnjëri nga të pranishmit të mos bisedonte me tjetrin pasi të kishte nisur trajnimi. Ndërkohë, përveç meshkujve, ishin të pranishme edhe gratë. 

Teksa ligjëruesi po prezantonte temën e tij, njëra nga të pranishmet iu përgjigj një telefonate, me ç’rast ligjëruesi u ndal dhe heshti. Pasi gruaja e mbaroi telefonatën e saj, ai i tha me zë të lartë: “Dil jashtë!”. Më pas, ligjëruesi thirri ekipin e përkujdesjes për trajnimin dhe u tha: “Kthejani paratë që ka paguar dhe lëreni të largohet. S’kemi nevojë për të.” 

Në vijim, miku im më tregon: Ishim në pritje, teksa u bëmë dëshmitarë të një momenti të sikletshëm të asaj gruaje, por ndodhi e papritura. Ajo u ndal dhe tha: “Ti e meriton të dalësh nga këtu më shumë sesa unë! Ti je këtu për ne, dhe jo e anasjellta.” Pastaj ajo vazhdoi: “Sonte mora mësimin që emri yt duhet të fshihet nga lista e trajnuesve (ligjëruesve), se përderisa ti nuk mund të sillesh mirë me njerëzit, atëherë si mund t’u ligjërosh atyre?! Nuk do të dal nga salla, madje të premtoj se s’do të lë media e as qendër trajnimi pa lajmëruar për personalitetin tënd të rremë. Këtë do ta dëshmojnë ditët në vijim.” Pasi i tha këto fjalë, ajo u kthye sërish në vendin e saj.  

Ligjëruesi mbeti i shtangur, e mbuluan djersë të ftohta, u ul dhe qëndroi në heshtje për njëfarë kohe. Më vonë, ai u kthjell dhe nisi të kërkonte falje, të shprehte keqardhje e pendim dhe kërkoi të bëhej një pauzë e përgjithshme nga trajnimi.”

Miku im vazhdon më tej rrëfimin: Në kohën e pauzës, e pashë atë grua me një entuziazëm për të vazhduar trajnimin, më shumë se çdokush tjetër prej të pranishmëve në program. Thashë me vete: “Ky është rezultati që u sjell vetëbesimi pronarëve të tij! Sa e sa burra, po t’u thuhej ajo që iu tha kësaj gruaje, do ta braktisnin sallën! Ndërkohë, ajo, në saje të vetëbesimit që ia mbushte jetën, mbajti aty për aty një qëndrim madhështor në atë ndodhi.”

Prej shkaqeve nxitëse për njeriun e suksesshëm, është edhe dëgjimi i audio ligjëratave, të cilat mund t’i gjesh me lehtësi nëpër librari apo gjetiu, dhe mund t’i dëgjosh në veturën tënde. Në to, ti mund të gjesh gjëra që të nxisin për të shtuar zhvillimin dhe përparimin në jetë. Personalisht, kam shumë kohë që dëgjoj ligjërata të tilla në mëngjesin e hershëm, kur jam duke udhëtuar për në vendin e punës; madje, këtyre ligjëratave ua kam borxh një pjesë të madhe të suksesit tim në punë. Nganjëherë, këto gjëra që i dëgjoja, për mua ishin si karburant për gjithë ditën, nganjëherë për gjithë javën, e herë të tjera për tërë muajin. 

Po ashtu, prej shkaqeve nxitëse për njeriun e suksesshëm është shoqërimi me njerëz të suksesshëm e të dalluar, sepse shoqërimi me ta është si një flakë që nuk fiket thuajse asnjëherë. Thënë shkurt, të suksesshmit janë modele të gjalla të cilët ndezin tek ti flakët e seriozitetit në momentin e parë që bisedon me ta. Përmes veprave të tyre, ata përçojnë tek ti emocionet e të qenët i dalluar. Së këndejmi, nevoja që ndjen për të vrojtuar në vazhdimësi piedestalet e larta, është sikurse nevoja që ke për ushqim dhe pije. 

Shkak tjetër shtytës për njeriun e suksesshëm është pjesëmarrja nëpër trajnime, ngase ato përbëjnë një shkëndijë tjetër në jetën e shumë prej të eturve (për sukses). Sa e sa fjalë, apo pamje nga tabela e prezantimit, apo fjali të shkruara në to, kanë ndriçuar rrugë të errëta e kanë skicuar hapësira gjigante të optimizmit në kohët e humbjes së shpresës?! 

Nëse në gjoksin tim ka mbetur diçka prej gjërave me të cilën do të ta tërhiqja vërejtjen me zë të lartë, do të ishte kjo: kujdes se mos përzihesh apo jeton në mesin e njerëzve negativë, qaramanë të kohës dhe qortues të aktualitetit që i rrethon, ngase të tillët janë errësirë për zemrën, janë sklepa të syve, e s’do mend se të tillët janë pjesa dërmuese e errësirës që mbretëron në globin tokësor.  

Prej mjeteve të rëndësishme që nxisin për sukses, është regjistrimi i fitoreve. 

Regjistro fitoret e tua, mbaj shënime rreth momenteve të gëzimit në jetën tënde dhe festo për ato momente; ji mirënjohës për to në çdo çast, ngase mu këto janë gjërat që prodhojnë ndryshim në jetën tënde. Kësisoj, sa herë që të ndjesh lodhje gjatë rrugëtimit tënd drejt lartësive, apo sa herë që të godet plogështia, ktheju këtyre momenteve dhe do ta shohësh se çfarë ndikimi kanë në ngjalljen e shpresës tek ti.

***

Pishtar: Vazhdoje rrugëtimin tënd drejt lartësive, sepse ti je përvoja prej së cilës do të përfitojnë gjeneratat e ardhshme. 

***

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com