Dashuria dhe frika nga Allahu shtohen së bashku me njohuritë tona për Të

Etja për ta njohur Krijuesin është rezultat i një mendjeje të pjekur. Një njeri i liruar nga dehja e kënaqësive momentale të jetës, që mendon përtej mbushjes së barkut, apo përmbushjes së epsheve, nuk mund të jetë indiferent nga nevoja për ta njohur Krijuesin.

Etja për ta njohur Krijuesin është rezultat i një mendjeje të pjekur. Një njeri i liruar nga dehja e kënaqësive momentale të jetës, që mendon përtej mbushjes së barkut, apo përmbushjes së epsheve, nuk mund të jetë indiferent nga nevoja për ta njohur Krijuesin. Një indiferencë e tillë është tregues i bllokimit të mendjes brenda kufijve që mund t’i imponojë një ideologji e mykur, ose në rastin më të mirë, dorëzimi i plotë përballë kërkesave epshore. Ky dorëzim, zakonisht e bën njeriun të varur nga një mpirje mendore, duke e shtyrë në rrugën e alkoolizimit apo drogimit, ose në rastin e parë, mpirjes nëpërmjet opiumeve ideologjike. Këta dhe ata, le t’i kthehen pjesës së parë. Ndërkohë, të pjekurit, pra ata me mendje të kthjellët e të pjekur, tashmë e kuptojnë për çfarë po flas.

Le të marrim një shembull: nëse përmendim një personazh me emrin Gëzim, informacioni që mund të kemi për këtë personazh vetëm bazuar në emrin e tij është tepër i kufizuar. Mund të supozojmë që është një mashkull shqiptar, por s’mund të jemi të sigurt, ndoshta emri mund të ketë ndonjë domethënie tjetër në ndonjë gjuhë tjetër të botës, me ç’rast mund të ketë edhe kuptim femëror. Ose, mund të jetë emër i vendosur nga njëri prind shqiptar, apo nga ndonjë i huaj që ka simpati për shqiptarët, rrjedhimisht as Gëzimi mund të mos jetë shqiptar. Kjo paqartësi na bën të qëndrojmë indiferentë ndaj një personazhi të tillë; as nuk mund ta duam, as ta urrejmë, por thjeshtë mund ta injorojmë.

Kjo është pikërisht gjendja e shumicës së njerëzve sot në raport me Zotin. Shumica e njerëzve janë të njoftuar për ekzistencën e Zotit, madje shumë prej tyre ia dinë edhe emrin më gjithëpërfshirës – Allah – por asgjë më shumë përtej emrit. Për këtë arsye, ata nuk mund ta duan Atë, as ta urrejnë, as ta respektojnë dhe as të interesohen për urdhrat apo ndalesat e Tij, për aq kohë sa e gjithë njohja e tyre për Zotin lidhet thjeshtë me emrin e Tij, Allah. Nuk mund të lidhesh emocionalisht e shpirtërisht me dikë që nuk e njeh.

Ne, muslimanët, nuk pranojmë të jemi të tillë. Nuk duam të jemi të tillë. Nuk duam të pretendojmë që jemi të pjekur, dhe sërish të mos interesohemi për ta njohur Krijuesin tonë. Ne kemi mësuar për Allahun nga vetë Fjalët e Tij, në Kuranin Fisnik, si dhe nëpërmjet Profetit të Tij, për Të. Nga Kurani dhe fjalët e Profetit صلى الله عليه وسلم,⁰¹ kemi mësuar se Allahu është i Urtë. Gjithashtu kemi kuptuar se Ai është Mëshirëploti. Kemi mësuar se Ai është Ndëshkues i Ashpër, por Ai është edhe Falës i mëkateve. Ai është i Patëmeta. Ai është Madhështori. Ai është Dijeploti. Ai është Ngadhënjimtari. Ai është i Plotfuqishëm. Ai është Shpikësi i Pashembullt. Dhe shumë cilësi tjera që e përshkruajnë madhështinë e Tij.

Prandaj, sa më shumë që i eksplorojmë këto cilësi të Allahut, zhytemi në kuptimet e tyre, i ndjejmë begatitë e Tij të shumta dhe vetëdijesohemi për shpërblimet marramendëse të cilat potencialisht mund t’i gëzojmë, po aq më shumë na shtohet dashuria për Të. Në të njëjtën kohë, na shtohet edhe frika nga Ai, duke e njohur hidhërimin e Tij për ata që guxojnë të shkelin mbi urdhrat dhe ndalesat e Tij. E njohim ndëshkimin e Tij të ashpër për secilin që refuzon ta njoh Atë dhe dënimin në amshim për këdo që e meriton sipas drejtësisë së Tij.

Njohja e cilësive të Allahut, në veçanti pjesës që ka të bëjë me urtësinë e Tij, na mundëson të kuptojmë që Allahu i Lartësuar, ky Zot i Përkryer, patjetër ka përcaktuar një mënyrë jetese për njerëzit. Një sistem i ndërtuar për t’i mundësuar atyre të ngrihen në nivelin e dinjitetit për t’i gëzuar shpërblimet e Tij në amshim. Ky shpërblim vjen pas kësaj faze testuese dhe kalimtare të cilën e njohim me emrin “jetë” në këtë botë.

¹ Lexohet sal-a-llahu alejhi ve sel-lem dhe ka kuptim paqja, shpëtimi dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Lexoni edhe

Hap një faqe të re!

Vetëbesimi

Sot, sikurse edhe dje, është e pamundur të gjesh një njeri të suksesshëm me guxim të luhatur. E pamundur! Madje, as që…