Mahnitja me botën

Dielli ditën, herë i mbuluar nga retë e herë i zbuluar, dhe hëna e netëve plot yjësi, sikur e pikturojnë qiellin pikërisht me ngjyrat e duhura. Harmonia që krijohet nga cicërimat e larmishme të shpendëve, akoma pa u futur brenda një peizazhi mahnitës, duket sikur krijojnë preludin e një simfonie të përkryer. Raporti i pashpjegueshëm midis të birit dhe të atit, të bijës dhe të ëmës, midis vëllait dhe motrës, është një tjetër ftesë për ta vënë mendjen në lëvizje. E të tilla ftesa ka plot: planetët të vendosur me saktësi milimetrike; malet e larta sikur të jenë duke e puthur qiellin; detet që ruajnë qetësinë, por dinë edhe të tërbohen; lumenjtë që përhapen në përrenj tek këndojnë nëpërmjet gurgullimës së tyre; peshq të shumëllojtë, ku secili është unik në formë e funksion; kafshë me fuqi e dobi të ndryshme, ku secila luan rolin e vet në ekosistemin ku jetojmë. E të mos përmendim botën e bimëve, ku çdo bimë gjendet pikërisht aty ku duhet, për një arsye të caktuar.

Nga ky pozicion vrojtues, njeriu shpesh harron të kthejë vështri-min nga vetja. Të mahnitet nga aftësia e tij për t’u mahnitur. Të shohë shikimin e tij. Të dëgjojë zërin e tij. Të ndiejë rrahjet e zemrës së tij. Të nuhasë aromën e qenies së tij. Të ecë brenda mrekullive të imagjinatës së tij. Të mendojë për mendjen që mendon. Të prekë dorën që prek...

Janë të panumërta mrekullitë që mund ta mahnitin njeriun; në vetë krijimin e vet dhe gjithçka që e rrethon.

Pasi të jetë ngopur nga kjo mahnitje dhe të jetë tretur në shijen e këtyre vrojtimeve, fillon brejtja, një lloj sikleti për paaftësinë e gjetjes së përgjigjeve të sakta për pyetjet tepër të vështira.

Pse ekziston kjo harmoni e pakuptueshme?

Pse dielli? Pse hëna? Pse kjo e pse ajo...

Pse, e pse, e pse... pa mbarim.

Dhe kur mendja lodhet dhe mërzitet nga pse-të, kalon tek kush.

Kush vendosi që unë të jem i tillë?

Kush e nisi krijimin?

Kush e mban krijimin?

Kush këtë, kush atë...?

Kjo trajektore është e natyrshme. Është rruga e duhur. Njeriu duhet të jetë kureshtar. Kureshtja është cilësi e atij që mendon, jo thjesht që ekziston.

Kjo kureshtje, që lind nga pyetja kush, nuk e lë mendjen të qetë, edhe nëse përpiqet ta injorojë. Është pak a shumë sikur këto dritaret e kompjuterit, kur e lë të hapur një dritare, edhe pse dritaret tjera hapen e mbyllën, ajo ngelet aty.

Eja, pra, së bashku, t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, me forcën e arsyes dhe të deduksionit.

Lexoni edhe

Mos u trishto!

O Allah!

“Atij i luten të gjithë ata që janë në qiej dhe në Tokë; çdo çast Ai është i zënë me diçka.” Kur detet të trazohen dhe…