Festo çdo ditë tënden!

A e dini se çfarë janë ditët e sotme, këto që po jetojmë? Ato janë pjesëza të ëndrrave tona për të ardhmen! Ndaj, çdo ditë tënden konsideroje si një festë dhe si një çast gëzimi në vazhdën e rrugëtimit tënd.


A e dini se çfarë janë ditët e sotme, këto që po jetojmë? Ato janë pjesëza të ëndrrave tona për të ardhmen! Ndaj, çdo ditë tënden konsideroje si një festë dhe si një çast gëzimi në vazhdën e rrugëtimit tënd.

A nuk ka thënë Profeti ﷺ:

“Kush nga ju gdhin dhe ka shëndet të plotë në trupin e tij, është i sigurt në vendbanimin dhe familjen e tij dhe ka ushqimin e asaj dite, është sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”

A nuk të mjafton ky kuptim madhështor për ta vlerësuar gjithë botën?!

Atëherë, ç’ke që mërzitesh? Pse brengosesh për të nesërmen, kur dielli i saj ende nuk ka lindur?! Të lutem, mos e përmbys harenë e ditës së sotme duke pritur gjëmat e së nesërmes.

Pse merakosesh për të fshehtën, kur ajo ende nuk është shfaqur?! Edhe nëse është shkruar të të ndodhë diçka, më thuaj: a mund ta ndryshojë caktimin hidhërimi yt?

Mos u mërzit për pasurinë dhe as mos u shqetëso për të ardhmen e saj, sepse, sado që të lodhesh për të, nuk do të arrish dot më shumë sesa ajo që të është shkruar.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së vet, duke qëndruar për dyzet ditë si një pikë uji. Pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në droçkë gjaku, e më pas, për po aq ditë, shndërrohet në një copë mishi. Pas kësaj, atij i dërgohet një engjëll, që ia fryn shpirtin dhe që është i urdhëruar me katër gjëra: të shkruajë riskun (furnizimin), jetëgjatësinë, punën dhe nëse do të jetë fatzi apo i lumtur (në botën e amshuar).”

Atëherë, pse e mundon veten me mendime për atë që do të sjellë e ardhmja e fshehtë, përderisa nuk do të të vijë asgjë tjetër, përveç asaj që është shkruar për ty?

Në lidhje me këtë, Profeti ﷺ ka thënë:

“Dije se ajo që të ka goditur, nuk mund të mos të godiste, dhe se ajo që nuk të ka goditur, nuk mund të të godiste. Gjithashtu, dije se, edhe nëse të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin më shumë sesa ajo që ta ka caktuar Allahu. Po kështu, nëse do të bashkoheshin për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtonin më shumë sesa ajo që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”

Sa shumë nevojë ke ta lexosh hadithin e Profetit tënd ﷺ:

“Nëse është duke u bërë Kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një filiz që kërkon ta mbjellë, le ta mbjellë, nëse ka ende kohë.”

Medito për pak çaste se si Profeti ﷺ e porosit atë që mban në dorë filizin të mos pengohet nga mbjellja e tij për shkak të ndodhive përreth! Ndërkohë, çështja e Kiametit nuk i përket më vetëm së fshehtës, sepse ai tashmë po ndodh në të vërtetë. Megjithatë, Profeti ﷺ e inkurajon njeriun të mos brengoset për të ardhmen, por të angazhohet me punën që ka përpara në ato çaste dhe, më pas, t’ia lërë Allahut atë që do të ndodhë me kozmosin.

Jetoje ditën tënde sikur të ishte çasti më i këndshëm i jetës sate dhe mos vepro ndryshe! Kujto se si e kuptonte jetën Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë:

“Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, dhe kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen.” (Buhariu)

Shfrytëzoje ditën tënde për të ndërtuar suksesin, për të arritur qëllimet e tua dhe për të lënë gjurmë në jetë.

Mbase ke dëgjuar se çfarë ka bërë Shejhul Islam Ibn Tejmije në rrethana të ngjashme. Vepra e tij e njohur, El-Vasitije, nuk është gjë tjetër veçse rezultat i përpjekjeve për ta shkruar atë brenda një dite. Ndërsa ai tani ndodhet në varr, ndoshta po i shijon frytet e veprës së tij, të cilat janë më të ëmbla se çdo gjë tjetër.

Ti nuk e di, por mbase një sadaka e dhënë gjatë një çasti të ditës sate mund të lërë gjurmë madhështore në ditët e së ardhmes!

Këtë e vërteton më së miri hadithi i Profetit tënd ﷺ, i cili tregon se çfarë çastesh të lumtura mund të sjellë buzëqeshja në fytyrën e vëllait apo të motrës sate.

Të vërtetën ka thënë ai që është shprehur:

“A e dini se si i vidhet njeriut jeta e tij? Hutohet me të tashmen, duke i mbajtur sytë nga e ardhmja. Kështu vazhdon, derisa t’i mbarojë jeta, ndërsa ai mbetet duarbosh, pa mbledhur asnjë mirësi.”

Ç’është e vërteta, ne e kuptojmë pasi treni ka ikur se duhej ta kishim jetuar jetën ashtu siç është në të vërtetë. Më pas, nuk na mbetet tjetër veçse të dëshirojmë të kthehemi pas, si ai njeriu që kishte humbur kohën dhe ishte shprehur:

“Ah, sikur ta dija se po jetoja në pranverën e ditëve të mia! Sigurisht që nuk do të prisja të më vinte vapa e nxehtë e verës e, më pas, vjeshta e thatë, për të m’i shkundur gjethet!”

Andaj, vaj halli për ty, nëse lejon që retë e vrenjtura të së kaluarës, sado të errëta të kenë qenë, të errësojnë rrezet ndriçuese të diellit të së tashmes!

Dhe, në fund, të lutem, mos lejo që dita e sotme të të kalojë duke e mbajtur mendjen te e nesërmja e fshehur, sepse kjo soditje e së nesërmes po ta grabit harenë e së sotmes.

Pishtar: Nuk do të gjesh ndonjë shishe parfumi më të këndshme sesa shijimi i çasteve të jetës sate.

Lexoni edhe

Mos u trishto!

O Allah!

“Atij i luten të gjithë ata që janë në qiej dhe në Tokë; çdo çast Ai është i zënë me diçka.” Kur detet të trazohen dhe…