Në njërin numër të revistës Dekreti, kam lexuar lidhur me Mahmud ibën Muhamed el-Medeni dhe ky njeri më ka mahnitur. Në të vërtetë, ai ishte i verbër dhe në arsimimin e tij i kishin ndihmuar miqtë, duke i lexuar libra, revista dhe gazeta të ndryshme. Disa e mësonin deri në agim. Pas shumë vitesh pune dhe zelli të sinqertë, Mahmudi u bë dijetar shumë i shquar në fushën e letërsisë, të historisë dhe të medias.
Mustafa Emini në revistën Sherk el-Evsat kishte shkruar këto fjalë: "Duro pesë minuta dhe do të shohësh se zemërimi dhe vuajtja do të zhduken, arroganca zbutet dhe krenaria tretet. Të gjitha ndjenjat negative do të dalin nga shpirti juaj dhe errësira do të largohet nga sytë tuaj. Pra, vetëm duhet të presësh pak."
Na përcjellin vështirësitë dhe pikërisht,
kur pandehim se nuk kemi rrugëdalje.
Zoti na dhuron shpëtim,
nga mëshira e Tij e pafund.
E kam takuar në Riad një myfti shqiptar i cili gjatë kohës së komunizmit kishte kaluar njëzet vjet në burg duke kryer punët më të rënda fizike. E kishte lodhur uria, dobësia fizike, persekutimet dhe padrejtësitë që i shkaktoheshin. Megjithatë, ai strukej në një qoshe të nevojtores dhe aty e kryente namazin nga frika se mund ta shihnin rojet. Kështu bënte durim dhe kryente ibadete ndaj Allahut dhe shpëtimi më në fund arriti.
"Dhe ata u përmenden të mbuluar me të mirat e Allahut dhe me begati, nuk u kishte ndodhur asnjë e keqe dhe arritën që Allahu të jetë i kënaqur me ta – ndërsa Allahu është pamasë i mirë."[1]
Kështu edhe Nelson Mandela, presidenti i njohur i Afrikës së Jugut, ka kaluar në burg njëzet e shtatë vjet duke thirrur dhe duke u angazhuar për lirinë e popullit të tij. Kishte përjetuar shumë padrejtësi, tortura dhe poshtërime, por nuk ishte dekurajuar, sprapsur apo gjunjëzuar, e në fund ia arriti asaj për çka ishte angazhuar dhe kishte arritur famë të përbotshme.
"Atyre që e synojnë jetën në këtë botë dhe bukuritë e saj – ne do t’u japim frytet e punës së tyre dhe atij nuk do t’i mohohet asgjë."[2]
"Mos u lodhni duke kërkuar armiq; nëse ju përjetoni dhembje, edhe ata përjetojnë dhembje si ju, kurse ju nga Allahu ende shpresoni për atë që ata nuk shpresojnë. – Ndërsa Allahu di çdo gjë dhe është i urtë."[3]
"Nëse ju merrni plagë, edhe të tjerët marrin plagë. Kurse këto ditë Ne i japim fitore herë njërës, herë palës tjetër, në mënyrë që Allahu t’i dallojë ata që besojnë dhe t’i zgjidhte disa prej jush si shehidë – ndërsa Allahu nuk i do jobesimtarët."[4]