BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Kandilet ndricues Kujtime nga te medhenjte Rrefime te te pareve Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Sekretet e te suksesshmeve
Sekretet e te suksesshmeve
Dr. Mishal Felahi

Hapi më i rëndësishëm për të cilin ka nevojë i suksesshmi gjatë jetës së tij, është vrojtimi i gjendjes së njerëzve të suksesshëm, njohja me përvojat e tyre, leximi i biografisë dhe ngjarjeve të tyre, madje ai duhet të bëjë përpjekje të mëdha që të takohet me ta, t’i dëgjojë nga vetë ata përvojat e tyre dhe të debatojë me ta, sepse kështu mund të gjejë tek ata sekrete të cilat mund ta shtyjnë drejt majës së rrugëtimit të tij në kohën më të shpejtë të mundshme.

Cilësia e parë e tyre është se ata kanë me vete sekretin e fshehur të suksesit, konkretisht kanë ëndrra, dhe kjo është natyrë e çdo njeriu të suksesshëm. 

Nëse dëshiron që një ditë të bëhesh prej të suksesshmëve, duhet të kesh ëndrra dhe vizione; duhet të kesh gjithmonë para syve të tu një shënjestër me të cilën lidhen shpresat e tua. Kjo është cilësia e parë me të cilën veçohen njerëzit e suksesshëm. Pra, jeta e tyre shquhet me qëllime, ëndrra, vizione e dëshira, të cilat i ndiejnë vazhdimisht dhe në zemrat e tyre ua gjejnë ngrohtësinë. Ata përpiqen në çdo moment për realizimin e tyre. Pra, ky është sekreti i parë, shkëndija që i ndriçon këto sfida që ekzistojnë në botën e çdo të suksesshmi.

Sekreti më i madh i jetës tënde do të ishte që të vetmoheshe me veten për orë të tëra për t’i shkruar këto ëndrra, për t’i regjistruar këto vizione, për t’i jetuar këto dëshira çast më çast, edhe nëse e tërë kjo është në botën e imagjinatës, sepse çdo njeri i suksesshëm nuk ka arritur aty ku ka arritur, vetëm pasi i ka jetuar njëherë këto ëndrra në imagjinatën e tij, për të vazhduar pastaj t’i hedhë ato në botën e realitetit. Por para kësaj, bëj kujdes që këto ëndrra të mos jenë kopjim i ëndrrave të dikujt tjetër. Bëj kujdes të mos veshësh një ëndërr që e ka skicuar dikush tjetër. Nisu nga horizontet e mendjes sate, duke u thelluar nëpër thellësitë e shpirtit tënd, atje, në brendësinë e tij, në humnerat e tij. Depërto atje me sinqeritet, pastaj mendo se cila është ajo ëndërr që, kur ta zgjedhësh, do të punojnë për ta realizuar atë edhe atomet e trupit tënd, mendja dhe jeta jote në përgjithësi. Të premtoj se kur ta gjesh këtë kuptim të madh të jetës tënde, mes teje dhe suksesit s’mbetet tjetër, vetëm se koha e realizimit të kësaj ëndrre të premtuar dhe vrapimi real dhe serioz në ditët që ke përpara.

Përkufizoje ëndrrën tënde vetë! Përkufizoje ëndrrën që, sapo të dëgjosh një diskutim rreth saj, do t’ia vësh veshin me shumë kujdes, i etur për të thithur atë që mund të kuptosh. Përkufizo ëndrrën që, kur të dëgjosh për një seminar apo takim ku do të flitet rreth saj, do të jesh në gjendje të shesësh edhe gjënë më të çmuar, për të udhëtuar e për të marrë pjesë në të.

Sekreti i dytë është: ëndrra jote duhet të jetë e madhe. Ajo duhet të jetë një ëndërr për të cilën përmallohesh, për të cilën udhëton, për të cilën, para pasurisë dhe kohës, jep edhe veten tënde.

Nëse dëshiron të lësh gjurmë të thella, shënoje një ëndërr për të cilën mallëngjehen shpirtrat e mëdhenj dhe drejt së cilës mësyjnë vetëm burrat, e pastaj hezitojnë t’i përveshen asaj sepse është e madhe për ta, e ajo i përshtatet vetëm të mëdhenjve si ti.

Ëndrrat e të mëdhenjve janë ato që e kanë bërë edhe Ebu Bekrin (Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me të!) të mos kënaqet vetëm me një portë (bamirësie), ku do t’i bënin konkurrencë të gjithë njerëzit në rrugëtimin për të arritur në botën e xheneteve; përkundrazi, ai deshi që t’i hapen të gjitha dyert, në mënyrë që historia të regjistrojë se, në të vërtetë, ajo u jep hapësirë vetëm atyre që bartin qëllime madhështore. Kur Pejgamberi ? tha: 

“Ai që i dhuron dy lloje pasurish në rrugën e Allahut, thirret nga portat e Xhenetit: O rob i Allahut, kjo është vepër e mirë. Kështu, ai që i përkushtohet namazit, thirret nga porta e namazit. Ai që i përkushtohet xhihadit, thirret nga porta e xhihadit. Ai që i përkushtohet dhënies së lëmoshës, thirret nga porta e lëmoshës. Ai që i përkushtohet agjërimit, thirret nga porta e agjërimit ose porta Rejan.”, Ebu Bekri tha: “Nuk ka asnjë të keqe nëse dikush thirret nga të gjitha portat. O i Dërguari i Allahut, a thirret ndokush nga të gjitha këto porta?” Atëherë Pejgamberi ? i tha: “Po, ndërkohë shpresoj që ti të jesh njëri prej tyre, o Ebu Bekër!”.

Ngjashëm, ëndrrat e mëdha janë ato që kanë bërë të dridhet edhe Arshi i të Gjithëmëshirshmit, me rastin e vdekjes së Sad ibn Muadhit, një skenë e padëgjuar ndonjëherë më parë nga njerëzit. Asnjëherë në jetën time nuk jam mahnitur me dikë, siç jam mahnitur me këta dy kolosë! Të parin, ëndrrat e tij e joshën për të kërkuar hyrjen në Xhenet nga të gjitha portat e tij, kurse të dytin e joshën për punë të mira, derisa meritoi që për vdekjen e tij të dridhej Arshi i Er-Rrahmanit. Krejt të këtilla ishin edhe ëndrrat e Omer ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e bënë që nga gjuha e tij të dilnin fjalë që do të shërbenin si shkak për të zbritur ajete nga Kurani, dhe që ai të bëhej porta e sprovave që do të thyhej (e nuk do të hapej) [1], e njëkohësisht, ai ishte burri prej të cilit iknin edhe shejtanët.

Të gjitha këto, vallë a nuk janë tjetër pos ëndrra madhështore me të cilat u begatuan bartësit e tyre?!

Sekreti i tretë pas të cilit fshihet ngritja e të suksesshmëve në lartësi është: dëshira e flaktë për t’i realizuar këto ëndrra dhe ambicie.

Zemrat e të suksesshmëve përmallohen aq shumë për t’i arritur këto lartësi, ashtu siç përmallohet i eturi për ujin e freskët, dhe ç’është e vërteta, njeriu s’mund të ketë dëshirë më të zjarrtë sesa kjo dëshirë me të cilën çastet ia kanë mbushur zemrën për të vazhduar më tutje në realizimin e qëllimeve madhështore. 

Deri në këto momente kur lapsi im po i hedh këto kuptime, unë nuk po mund ta paramendoj se si ka mundësi që një burrë ta realizojë ëndrrën e tij, apo të arrijë piedestalet, ndërkohë që mendja e tij nuk e ka pjekur ende dëshirën ambicioze madhështore për të arritur këtë ëndërr!? Njeriu pa ambicie është sikurse një kufomë e pajetë, si një trup pa shpirt, qëndron mbi sipërfaqen e tokës pa ndonjë kuptim, e ai nuk ekziston po të mos ekzistojnë edhe ëndrrat e tij.

Dhe sekreti i katërt që qëndron prapa ngritjes së të suksesshmëve në piedestale, është bindja e tyre rreth asaj që duan ta zbatojnë në praktikë.

Pra, nga sekretet e mëdha të njerëzve të suksesshëm është bindja e tyre e fortë për projektet e tyre, për forcat e tyre, për mundësitë e tyre praktike. 

***

Pishtar: Në botën e suksesit nuk ka mbetur ndonjë sekret i fshehur.

***

[1] Pra, Omeri ishte ai që i parapriu disa herë shpalljes së ajeteve Kuranore me sugjerimet që ia dha Pejgamberit ?, kurse Hudhejfe, sahabiu i ndershëm dhe njohësi i disa fshehtësive që ia tregoi Pejgamberi ?, i tha Omerit se “ti do të jesh porta që do të shërbejë si pengesë nga sprovat që do të bien tek muslimanët dhe kjo portë në fund do të thyhet (pra, Omeri do të vritet).

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com