Allahu i lartësuar thotë:
"Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin për të pranuar besimin."[1]
Këto fjalë i kanë zbritur të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e natyrisht, ato i janë vërtetuar. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka qenë gjithnjë i kënaqur, i lumtur, optimist, i gëzuar, i thjeshtë në komunikim me njerëzit; ai në çdo moment ka përhapur ndjesi të bukur rreth vetes, i ka lehtësuar gjërat, sillte ngrohtësi në zemrat e njerëzve, buzëqeshte me rastin e takimit me ta, si dhe ka qenë i sjellshëm në të mirë e në të keq ndaj tij.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), gjithashtu ka qenë edhe i turpshëm, por i nxiste njerëzit të jenë të gëzuar dhe të bëjnë shaka. Duhet theksuar se ai kurrë nuk është mllefosur dhe as zemëruar, nuk e ka humbur shpresën e as e ka ngritur zërin. I nxiste vazhdimisht njerëzit të jenë të gëzuar për shkak të furnizimit të Allahut, ta falënderojnë Atë për këtë dhe të mos dëshpërohen kurrë.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka qenë kundër çfarëdo shtangimi, luksi, sjellje të panatyrshme, ngase e transmetonte porosinë e Zotit, vendoste parime, i printe umetit, krijonte gjeneratën e ngadhënjimtarëve, i mësonte popujt, krijonte familje dhe shoqëri, si dhe ishte thesar i pafund i të gjitha virtyteve dhe i shpresës.
Ai u lehtësonte njerëzve dhe u sillte lumturi.
"Dhe hiqte prej tyre barrën e rëndë dhe prangat që i bartnin."[2]
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), në të vërtetë, ka qenë:
"Mëshirë për të gjithë njerëzimin."[3]
"O i Dërguar, ne të dërguam si dëshmitar dhe si sjellës të lajmeve të gëzuara dhe si i Dërguar që paralajmëron, që sipas urdhrit të Tij – të ftosh te Allahu, edhe si fanar që shndrit."[4]
Përkundër kësaj porosie të thjeshtë dhe të lehtë të Islamit qëndron çdo rebelim, degjenerim, përmbajtje ekstreme nga të mirat e kësaj bote, krenaria dhe mendjelartësia e të gjithë atyre që i janë dorëzuar mashtrimeve të kësaj bote, duke u larguar kështu nga Rruga e drejtë.
"Dhe pastaj Allahu, me vullnetin e Vet, do t’i udhëzojë besimtarët që ta kuptojnë të vërtetën e qartë lidhur me atë për çka nuk pajtoheshin, ndërsa Allahu udhëzon në Rrugë të drejtë atë që dëshiron Ai."[5]