Nëse dëshiron lumturi, duhet të jesh një prej atyre që e duan shumë Allahun dhe të cilët janë robër të sinqertë të Tij.
Shkalla e lumturisë i përgjigjet lartësisë së dëshirave dhe të ambicieve tua. Natyrisht, dëshira jonë më e madhe duhet të jetë afrimi te Allahu dhe kënaqësia e Tij.
Sa të bukura janë fjalët: "Ai i do ata, e edhe ata e duan Atë."[1]
Disa njerëz theksojnë se nuk i habit fakti që thuhet se ata e duan Allahun, por është e habitshme që të theksohet se Allahu i do ata ndonëse i ka krijuar, u ka dhënë ushqim, jetë, u ka dëgjuar lutjet, i ka mbrojtur dhe u ka dhuruar gjithçka.
"Thuaj (o Muhamed): 'Nëse e doni Allahun, më pasoni mua, e edhe ju Allahu do t’u dojë dhe do t’ua falë mëkatet – Allahu falë dhe është mëshirues."[2]
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të), është shembull i besimtarit, që e ka dashur Allahun dhe të Dërguarin e Tij sinqerisht dhe pafundësisht.
Një shok i të Dërguarit e pëlqente shumë suren Ihlas dhe e recitonte vazhdimisht, në namaz, në sexhde, në lutje dhe gjatë dhikrit. Ajo e qetësonte dhe i jepte forcë për jetë. Një ditë i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), iu afrua dhe i tha: "Për shkak të dashurisë së jashtëzakonshme për këtë sure, Allahu të ka caktuar Xhenetin."
Gjithnjë më kanë befasuar vargjet e poetëve të cilët i pyesin dashnorët e shquar të femrave se sa e duan, në të vërtetë, Atë që ua ka dhuruar krejt këtë.
Nëse dashuria e përhumbur më vjen,
Lejla dhe Selma ma heq trurin dhe mendjen.
Çfarë mund të jetë një shpirt bredharak,
kur zemra e tij një dëshirë të fshehtë e fsheh.
"Edhe hebrenjtë edhe krishterët deklarojnë: 'Ne jemi fëmijë të Zotit dhe të preferuarit e Tij.' Thuaj: 'Po përse u dënon atëherë Ai për shkak të mëkateve tuaja?' E nuk është kështu! Ju jeni si edhe të tjerët që i krijoi Ai: cilit të dëshirojë ia falë mëkatet Ai, e cilin të dëshirojë e dënon Ai. I Allahut është pushteti në qiej dhe në Tokë edhe atë që ndodhet midis tyre dhe te Ai të gjithë do të kthehen."[3]
Mexhnunin e vrau dashuria për Lejlanë. Karunin e vrau dashuria për para, kurse faraonin - dashuria për famë dhe pushtet.
Hamzai, Xhaferi dhe Handhale (Allahu qoftë i kënaqur me ta), kanë humbur jetën për shkak të dashurisë për Allahun dhe të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), sa e ndryshme është dashuria te këta njerëz, por vetëm njëra është e vërtetë dhe e amshuar – dashuria ndaj Allahut.