Allahu nuk do të privojë nga asgjë, e që në vend të saj të mos dhurojë diçka që është edhe më e mirë, nëse tërë këtë e pranon me durim dhe shpreson në shpërblimin e Tij. Dëshmi për këtë është hadithi:
"Kujt i marr një person të dashur, ndërsa ai këtë e pranon me durim, si zëvendësim do t’i dhuroj Xhenetin. Kujt ia marr një djalë, ndërsa ai këtë e pranon me durim, do të ketë shtëpi në përjetësi."
Ky është vetëm një shembull i vogël i mirënjohjes që Zoti e tregon ndaj njeriut për shkak të dhembjes që e ka përjetuar.
Mos u anko për shkak të një telashi, ngase Ai, i Cili e ka dërguar posedon të gjitha dhuratat, Xhenetin dhe kompensimin për dhembjen e pësuar.
Vartësit e Allahut të cilët kanë provuar shumë vuajtje në Firdeus do të përshëndeten:
"Paqja qoftë me ju, ngase keni vuajtur, e sa i mirë është vendbanimi më i bukur."
Do të duhej të mendojmë për kompensimin që Allahu na dhuron për shkak të vështirësisë dhe për mirësinë e cila vjen pas saj.
"Ata i pret falja dhe mëshira e Zotit të tyre; ata janë në Rrugë të drejtë!"
Jeta në dynja është e shkurtër, pasuria e saj është e vogël. Ahireti është më i mirë dhe është i përjetshëm. Prandaj, atë që është besimtar në këtë botë e rëndojnë vuajtjet, por në botën tjetër për këtë do të kompensohet. Kush përpiqet dhe lodhet në këtë botë, në botën tjetër do të pushojë.
Mirëpo, atyre që janë lidhur për dynja dhe të cilët ia kanë dhuruar zemrat asaj, e kanë më vështirë nga fakti që lumturia e tyre është e shkurtër dhe se do të mbarojë. Pikërisht kjo e prishë qetësinë e tyre në dynja. Ata e duan vetëm këtë jetë, andaj të gjitha vuajtjet në të janë aq të mëdha e të rënda. Ata shikojnë vetëm para vetes dhe e shohin vetëm këtë botë kalimtare.
O ju që keni rënë në vështirësi, ta dini se shpërblimi juaj nuk do t’u anashkalojë. Allahu ju dërgon porosi plot butësi, mirësi dhe shpërblime. Çdonjërin që e godet ndonjë vështirësi duhet ta dëgjojë ajetin në të cilin Lavdiploti thotë:
"Dhe midis tyre do të vendoset një pengesë, e cila do të ketë dyer; brenda saj do të ketë mëshirë, kurse jashtë – vuajtje."
Ajo që është te Allahu është më e mirë, më jetëgjatë dhe më e lartësuar.