Mos prit mirënjohje nga askush
Allahu njerëzit i ka krijuar që Ta përmendin dhe Ta kujtojnë. Ai u ka dhënë furnizim që Ta falënderojnë. Por, numri më i madh i njerëzve nuk mendon për Atë dhe e falënderon dikë tjetër në vend të Tij.
Ndjenjat e jobesnikërisë, të mohimit dhe të shpërfilljes së të mirave i kaplojnë shpirtrat, andaj mos u habit nëse disa njerëz e mohojnë ndonjë vepër tënde të mirë apo e shpërfillin bamirësinë tënde dhe i harrojnë mirësitë tua. Përkundrazi, vetëm për shkakun se u kë bërë ndonjë të mirë, prit që armiqtë të sulmojë, të lakmojnë dhe të urrejnë.
"Kurse të qortojnë vetëm ngase Allahu nga begatia e Tij edhe i Dërguari i Tij të kanë bërë të pasur."
Nëse shikon në librin e kësaj jete, do të hasësh në të tregimin për babanë, i cili e ka rritur djalin e tij, e ka ushqyer, veshur, mësuar, i cili ka qëndruar zgjuar në mënyrë që i biri të flejë, ka qenë i etur që ai të ketë ujë, është lodhur në mënyrë që ai të pushojë. Mirëpo, kur djali u rrit dhe u forcua, ndaj babait sillet si ndaj qenit qeros, duke e poshtëruar, urryer, qortuar, turpëruar dhe rrahur.
Andaj le të qetësohen ata mirësinë e të cilëve shumë njerëz e kanë urryer dhe e kanë injoruar dhe vullneti i të cilit është shuar. Le të gëzohen për shpërblimin, të cilin do ta marrin nga Ai, thesaret e të Cilit nuk shterojnë. Me kot fjalë të hidhura nuk dëshiroj të prapësoj nga kryerja e veprave të mira, por të këshilloj të jesh i gatshëm për mohimin e bamirësisë që e kryeni. Andaj mos bjer në pikëllim kur shikon njerëzit duke e bërë këtë.
Veprat e mira kryej në emër të Allahut, ngase sidoqoftë ti je fituesi. Kështu nuk do të pengojë mohimi i tyre, e as urrejtja. Pastaj falëndero Allahun sepse je bamirës, ndërsa ata janë mëkatarë, për këtë arsye dora e cila jep është më e mirë dhe më e dashur për Zotin sesa ajo që është e shtrënguar.
"Juve ju ushqejmë vetëm për hir të fytyrës së Allahut, nga ju as mirënjohje e as falënderim nuk kërkojmë!"
Shumë njerëz të arsyeshëm nuk mund ta kuptojnë përse ka shumë të atillë që i mohojnë të mirat, sikur të mos ishin fjalët e Lavdiplotit me të cilat e përshkruan këtë lloj të njerëzve:
"Ai vazhdon, sikur të mos Na jetë drejtuar me lutje për shkak të këqijave që e kishin goditur. Kështu jobesimtarëve u duket e bukur ajo që e bëjnë."
Prandaj mos u habit kur një njeriu të paarsyeshëm i dhuron një laps, kurse ai me të shkruan ndonjë fyerje kundër teje, apo nëse i dhuron një shkop të bukur në të cilin mund të mbështet dhe të ruaj bagëtinë, ndërsa ai me të mundohet ta këput kokën.
Ky është princip i njerëzve të pa ndërgjegjshëm kur është fjala për të mirat e Allahut, andaj çka mund të presim unë dhe ti?!