Gjithçka tashmë është caktuar dhe është shkruar. Ky është njëri prej principeve dhe qëndrimeve të besimit Islam. Ithtarët e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), dhe të udhëzimit të tij e dinë se asgjë në gjithësi nuk ndodhë pa vullnetin, përcaktimin dhe lejen e Allahut.
"Nuk ka të keqe që e godet Tokën dhe ju, e cila, para se ta japim, nuk është shënuar në Libër, kjo për Allahun vërtet është e lehtë."[1]
"Ne krijojmë gjithçka me masë."[2]
"Ne do t’u vëmë në sprovë pak me frikë dhe pak me uri, si dhe me atë që do të humbni pasuri e jetë, edhe të mbjellat, kurse ti i përgëzo durimtarët."[3]
Në hadith thuhet:
“Sa e çuditshme është gjendja e besimtarëve! Çdo gjë që i ndodhë është e mirë për të. Nëse i ndodhë ndonjë gjë e këndshme, ai e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Nëse i ndodhë ndonjë e keqe, ai përmbahet dhe sërish një gjë e tillë është e mirë për të. Gjendje të tillë mund të ketë vetëm një besimtar.”
Në një hadith tjetër, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), na porosit:
“Kur të kërkosh, kërko nga Allahu, kur kërkon ndihmë, kërko nga Allahu. Dije, sikur të tubohen të gjithë njerëzit për ta bërë një të mirë, nuk do të mund ta bënin, pos asaj që të ka caktuar Allahu. Nëse do të tuboheshin të gjithë njerëzit për të bërë një të keqe, nuk do të mund të bënin asgjë pos asaj që e ka shkruar Allahu. Penat janë ngritur, kurse faqet janë tharë.”
Në një hadith të ngjashëm thuhet:
“Dije që krejt ajo që të ka ndodhur nuk ka mund të anashkalojë dhe krejt ajo që ta ka anashkaluar nuk ka mundur të ndodhë.”
Me një rast i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), Ebu Hurejres i kishte thënë: “O Ebu Hurejre, penat janë tharë për atë që ka për të ndodhur.”
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), gjithashtu ka thënë:
“Përkushtoju asaj që të sjell dobi, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos e humb shpresën. Kurrë mos deklaro: Sikur të kisha bërë këtë dhe atë, do të ishte ndryshe, por deklaro: Allahu e ka përcaktuar dhe e ka bërë atë që ka dashur Vetë.”
Do të citojmë edhe një hadith autentik në të cilin thuhet: “Gjithçka që Allahu e ka caktuar për robin është e mirë për të.”
E kishin pyetur dijetarin Ibën Tejmije: "A ka ndonjë të mirë në mëkat", dhe ai ishte përgjigjur: "Po, ka, por me kusht që pas tij të pasojë pendimi, kërkimi i faljes dhe përulësia."
Allahu i Madhërishëm thotë:
"Mund të mos doni diç, e ajo të jetë e mirë për ju; apo doni diç, kurse ajo del e keqe për ju. – E Allahu e di, por ju nuk e dini."[4]
E shave ti kohën apo jo,
fati rrjedh si është shënuar.