Do të përmendim rrëfimin e një pararendësi të mirë të quajtur Sileh ibën Eshim. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i devotshëm, i cili shpesh udhëtonte në veri për të luftuar për Islam. Në një prej këtyre udhëtimeve e zuri nata në një pyll. Ai këtë e shfrytëzoi për të marrë abdes dhe të falej. Pasi filloi të falej, para tij u shfaq një luan. Ngadalë filloi t`i afrohej dhe të vijë rrotull tij. Sileh nuk e ndërpreu namazin dhe iu dorëzua më përulje Zotit. Pasi fali dy reqate, u kthye kah luani edhe i foli: "Nëse je urdhëruar të më vrasësh, bëje. E nëse jo, atëherë më lejo t’i lutem Zotit tim."
Pas këtyre fjalëve, luani uli bishtin, ia ktheu shpinën dhe u tret në pyll, kurse Sileh vazhdoi namazin.
Çdonjëri që dëshiron të dijë diç më shumë për këto dhe gjëra të ngjashme, duhet të lexojë në librat e historisë si veprën El-Bidaje ven- Nihaje. Në të përmendet rrëfimi i një shoku të ët dërguarit i cili me një grup shokësh kishte arritur në breg të detit. Aty i priste një luan i madh dhe i tërbuar i cili deshi ta gllabëronte. Atëherë sahabiu bërtiti: "O luan, a nuk e di se jam një nga shokët e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), shërbëtor i tij, kurse këta janë shokët e mi, andaj mos na sulmo."
Pas këtyre fjalëve luani u frikua, ulëriu tmerrshëm dhe u largua.
Këto gjëra nuk janë kurrfarë fantazie e as gënjeshtra. Ato janë vetëm pjesë përbërëse e ligjeve të Allahut në Tokë. Allahu i ofron mundësi të posaçme robërve të Vet të sinqertë, Ai shpesh u ofron favore, ndërsa një prej këtyre favoreve janë edhe mrekullitë. Natyrisht, besimtarët këto gjëra i tregojnë rrallë, nuk dëshirojnë që prej tyre të bëhet diç e madhe e as të lavdërohen për këtë. Nga ana tjetër, besimtari e di që Allahu është gjithnjë me të, që e dëgjon çdo thirrje, gjëmë dhe lutje, e kjo i jep ndjesinë e sigurisë.
"Si nuk e kupton që Allahu e di çka në qiej dhe ç’ka në Tokë? Nuk ka biseda të fshehta midis treve, e që Ai të mos jetë i katërti, e as midis pesëve, e që Ai të mos jetë i gjashti, e as kur janë më pak dhe as kur janë më shumë, e që Ai të mos jetë me ta kudo qofshin ata; Ditën e Gjykimit Ai do t’i informojë për atë që kanë punuar, ngase Allahu di mirë gjithçka."[1]