Jeta në këtë botë ka shije të hidhur, ajo është plot vuajtje dhe ditë të vështira. Ajo nuk është një ngjyrëshe, alternohen e mira dhe keqja, vështirësitë dhe qetësia, kurse ti duhet të përpiqesh.
Nuk do të gjesh në të prindër, grua, miq, shtëpi dhe punë të përsosur. Të gjitha këto gjëra dikur do të zhgënjejnë, kurse ti shuaje vapën me ujë dhe të keqen me të mirë. Vetëm kështu do ta ruash vetën. Allahu ka dashur që kjo botë, të jetë pikëtakim gjërash, llojesh, grupesh dhe qëndrimesh të kundërta. Në të bashkohen e mira dhe e keqja, rregulli dhe parregullsia, gëzimi dhe pikëllimi, në mënyrë që në fund tërë mirësia, gëzimi dhe rregulli të përfundojnë në Xhenet, kurse krejt e keqja, parregullsia dhe pikëllimi të takohen në Xhehenem.
Në një hadith i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë:
"Dynjaja është e mallkuar dhe gjithçka në të është e mallkuar me përjashtim të përmendurit e Allahut dhe asaj që kryhet për hir të afërsisë së Tij, dijetarëve dhe mësuesve."
Prandaj, jeto në realitetin tënd, mos u mashtro nga iluzionet dhe mos fluturo në botën ideale. Pranoje dynjanë ashtu siç është.
Harmonizo shpirtin tënd me jetën tënde dhe me ambientin, do të kuptosh se nuk ka miq e gjëra të përsosura, sepse përsosmëria, harmonia dhe pastërtia e plotë nuk janë karakteristikë e kësaj bote.
Dije se nuk ka bashkëshorte të përsosur, ngase në hadith thuhet:
"Besimtari nuk duhet ta urrejë gruan për shkak të ndonjë vetie të saj të papëlqyer, nëse ajo ka veti që i pëlqejnë."
Duhet të mendojmë mirë dhe të vlerësojmë gjendjen në të cilën jetojmë. Duhet të falim, të jemi zemërgjerë, t’i largohemi vështirësive dhe nganjëherë të mbyllim sytë para fakteve. E jona është të kemi një synim dhe që disa gjëra t’i injorojmë.