Ibën Rexhebi citon rrëfimin për një besimtar të devotshëm nga Meka i cili ishte në situatë të rëndë materiale. Ky njeri kishte mbetur pa asgjë dhe ishte buzë vdekjes. Duke vuajtur nga uria, bridhte nëpër sokaqet e shumta të Mekës duke kërkuar ndonjë furnizim. Befas para vetes shikoi një qafore të madhe dhe shumë të çmueshme. Mori qaforen dhe shumë i gëzuar u nis drejt Haremit. Aty pa se një burrë po qahej se e kishte humbur qaforen. Ai e përshkroi saktësisht qaforen të cilën e kishte gjetur pak më parë besimtari i devotshëm, kështu që nuk i mbeti tjetër përveçse t’ia kthente. Ndonëse shpresonte se do të merrte ndonjë shpërblim, njeriu u largua me qaforen e tij plot shend pa ia vu mendjen kush ia ktheu. Pasi mbeti sërish pa asgjë, besimtari ngriti duart dhe u lut: "O Zot, këtë e bëra për Ty, ndaj më jep si kompensim diç më mirë."
Pastaj u nis drejt detit. Pasi arriti në breg, hipi në një varkë dhe lundroi në të panjohurën. Befas u ngrit një shtrëngatë e tmerrshme e cila e shkatërroi varkën dhe njeriu u gjend në det. Pasi që lundroi për një kohë në detin e trazuar, arriti në një ishull. Kur erdhi në vete dhe gjurmoi ishullin, hasi një xhami dhe shumë falës në të. U fal me ta dhe filloi të lexonte Kuran. Njerëzit në xhami e pyetën a do t’ua mësonte fëmijëve të tyre leximin e Kuranit dhe kaligrafinë, gjë që ky e pranoi më gjithë qejf.
Pastaj e martuan me një vajzë e cila nuk kishte prindër. Kur e pa gruan e vet për herë të parë, vërejti në qafën e saj qaforen e njëjtë të cilën ia kishte kthyer njeriut në harem. Ajo i tregoi se kjo ishte trashëgim nga babai, i cili kishte vdekur para pak kohësh, kurse qaforen babai një herë e kishte humbur në Mekë, por ia kishte kthyer një njeri i mirë. Pas kësaj, babai e kishte lutur gjatë Zotin të më gjejë një burrë si ai. Pastaj ky i tregoi se ishte pikërisht ai njeri dhe gëzimi i saj nuk kishte skaj.
Ja një shembull i mirë se si njeriu e kishte marrë prapa qaforen në mënyrë hallall, si dhe se si Allahu i kishte dhënë të mira të mëdha për shkak të veprës sinqerisht të mirë – sakrificës për hir të Allahut.
"Allahu është i bukur dhe e pranon vetëm të bukurën."