Në sheriat ekziston koncepti i izolimit, e kjo është të largohesh nga e keqja dhe ithtarët e saj, t’i bojkotosh njerëzit bjerrakohës, që i përkushtohen argëtimit dhe zbavitjeve. Andaj vetëdijesohu, qetësoje arsyen dhe pasuro intelektin tënd me xhevahire të urtësisë dhe hyj në kopshtin e diturisë.
Largimi nga krejt ajo që nuk shpie në mirësi dhe në bindje është ilaç i çmuar, të cilin e kanë shfrytëzuar me sukses njohësit e shpirtit dhe të zemrës. Unë vetëm të këshilloj. Hiq dorë nga tërë ajo çka është e keqe dhe çka të kujton indolencë, indiferencë dhe kotësi. Mënyra e lavdëruar e takimit dhe e shoqërimit qëndron në faljen e pesë namazeve ditore në xhemat, shoqërimin me njerëz të ditur dhe me ndihmën reciproke në mirësi.
Ruaju mirë nga tubimet e ngeshme dhe nga fjalimet e kota. Nëse rastësisht gjendesh në vende të tilla, mundohu t’i braktisësh sa më parë që është e mundur, pendohu për atë mëkat, frenoje gjuhën dhe dije se shtëpia jote është e gjerë. Në raste të tilla shpirti yt është i rrezikuar dhe në të hyn pakujdesia ngase ti rri me njerëz të shkujdesur, fjalët e të cilëve janë fjalë të pavlera. Personat e tillë janë të parët në përhapjen e hutisë, të mjerimit, telasheve dhe krejt këto t’i dëshirojnë pikë së pari ty.
"Sikur të kishin ardhur me ju, do të ishin vetëm pengesë dhe do të hidhnin shpejt mes jush dyshime."
Dëshira ime e vetme është që ti të kujdesesh për vete, të mos largohesh nga shtëpia jote përveç se për fjalë të mira ose për vepra të mira. Kështu sërish do ta ndjesh zemrën tënde. Nuk do të humbësh kohë, s’do ta shpenzosh jetën dhe nuk do ta mësosh gjuhën me përgojime. Nga zemra do të ikë shqetësimi, nga veshët biseda e keqe, ndërsa nga shpirti mendimet e këqija.
Ai që e ka shijuar këtë e di më së miri. Kurse largohu nga ai që është rënduar me iluzione e fantazi dhe i është dorëzuar ëndrrave.