BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Ambicie qe prodhojne shpresa
Ambicie qe prodhojne shpresa
Dr. Mishal Felahi

Ambicie që prodhojnë shpresa

Ambicia është arma e zemrës për të arritur lartësitë dhe kamxhiku i trupit për t’u përballur me vështirësitë. Ajo është udhërrëfyesi që të udhëzon për të arritur kënaqësitë. 

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) të josh me fjalët e tij për këtë, kur thotë: “Ambicia është si ai zogu që fluturon në lartësi sipër zogjve të tjerë, duke mos qenë i kënaqur me rendjen e tyre; as fatkeqësitë që mund ta godasin atë më poshtë, nuk e arrijnë dot, sepse sa më e lartë që është ambicia, aq më vështirë bëhet prekja e saj nga fatkeqësitë, dhe e kundërta,  sa më e ulët që është ajo, aq më shumë e sulmojnë belatë nga të gjitha anët. Ambiciet e larta të njeriut janë shpëtimi i tij, ndërsa ambiciet e ulëta janë privimi i tij.” 

Po ashtu, Ibn Xhevziu thotë: “Ambicia pushon së vepruari vetëm nëse është shumë e ulët, ndaj sa herë që ajo lartësohet, shfrytëzoje dhe mos u kënaq me të. Dihet që ambicia lind bashkë me krijesën njerëzore. Disa ambicie bien në kohë të caktuara, por sapo të ngacmohen, ato zgjohen. Andaj, sa herë që sheh tek vetja paaftësi, lute Dhënësin Absolut; sa herë të hasësh në dembeli, lute Përkrahësin Absolut; sepse asnjë mirësi të vërtetë s’do ta arrish ndryshe, përveçse me bindje ndaj Tij. Pa më thuaj, kush është ai që i është drejtuar Atij e nuk e ka realizuar qëllimin?! Kush është ai që ia ka kthyer shpinën Atij, e ka parë ndonjë dobi, apo ka arritur ndonjë mirësi të vërtetë?!”

Ambiciet, ose do të jenë ato që e dërgojnë pronarin e tyre në vendet e shkatërrimit, ose do ta çojnë atë në vendet e gëzimit të amshueshëm. 

Abdullah ibn Kajsi përcjell nga Ebu Umeje Gifariu, se ka thënë: “Ishim në një betejë dhe na u paraqit armiku. Dikush thirri me zë të lartë, në mënyrë që njerëzit të ktheheshin nëpër rreshta. Ndërkohë, një burrë para meje, me të parë se kali i tij ishte i paaftë, e mori kalin tim dhe po i drejtohej vetes me këto fjalë: “O vetja ime! A nuk mora pjesë në filan betejë e ti më thoshe: “Familja dhe fëmijët e tu!”, e unë të bindesha e kthehesha mbrapa!? A nuk mora pjesë në filan betejë, e ti prapë më pate thënë: “Familja dhe fëmijët e tu!”, e unë prapë t’u pata bindur e u pata kthyer mbrapa?! Për Allah, sot, bashkë me ty, do të mësyj drejt Allahut! Në daç prano e në daç refuzo!” Në atë rast, unë thashë me vete: Sot nuk do t’ia ndaj sytë këtij. Dhe e përcolla. Luftëtarët ia mësynë armikut, e ai ishte prej të parëve. Pastaj armiku iu vërsul atyre e ata u tërhoqën, ndërkohë ai qëndronte me mbrojtësit. Më pas, kur luftëtarët tanë mësynë sërish, ai ishte prapë prej të parëve, e kur armiqtë mësynë prapë dhe njerëzit tërhiqeshin, ai qëndronte në mbrojtje. Pastaj, betohem në Allahun, se ai vazhdoi të qëndronte i tillë me këmbëngulje, derisa e pashë të vrarë, ndërkohë ia numërova në trupin dhe në kafshën e tij gjashtëdhjetë apo më shumë goditje.

Ambiciet dallojnë, dhe jo vetëm tek njeriu që është bartës i mesazhit hyjnor, por edhe te kafshët. A e ke parë se si merimanga, qysh prej ditës kur lind, fillon të thurë shtëpi për veten e saj dhe nuk pranon dhuratën (shtëpinë) e nënës, kurse gjarpri, në anën tjetër, kërkon të gjejë ndonjë vrimë që e ka hapur ndonjë tjetër, meqë i përshtatet natyrës së tij të zullumqarit? Sorra i vihet pas ngordhësirave, skifteri nuk godet tjetër pos të gjallave, luani ha vetëm atë që ia mbush barkun, elefanti e përtyp shumë ushqimin derisa ta hajë, brumbulli dëbohet por prapë kthehet. 

Një poet ka thurur vargjet në vijim:

Vërtet, pranimi i nënçmimit është krejt i lehtë për gomarin,

por kjo nuk ndodh dot me të lirin, e as elefantin e luanin,

aty ku mbretëron nënçmimi, s’rri dot kush tjetër,

pos dy të nënçmuarve: gomari i mëhallës dhe huri,

i cili i nënçmuar është lidhur me një copë litari,

që vazhdimisht e gërryen e ai s’ka nga t’ia mbajë i gjori.

Njëherë, Abdullah ibn Omeri, Urve ibn Zubejri, Musab ibn Zubejri dhe Abdulmelik ibn Mervani u mblodhën në oborrin e Qabes. Musabi iu drejtua atyre: “Dëshironi diçka!” Ata i thanë: “Fillo ti i pari!” Ai tha: “Pozitën e udhëheqësit të Irakut, martesën me Sekina bint Husejnin dhe Aishe bint Talha ibn Ubejdullahin”; pastaj i realizoi të gjitha këto dhe secilës ia dhuroi nga pesëqind mijë dërhem dhe pajën për të dyja në po aq vlerë. Më pas, Urve ibn Zubejri shprehu dëshirën të mësonte fik’hun[1] dhe nga ai të përcillej hadithi i Pejgamberit ?, dhe i arriti këto. Abdulmeliku dëshiroi udhëheqësinë (kalifatin) dhe e arriti. Sakaq, Abdullah ibn Omeri dëshiroi Xhennetin.

Dikush i tha Rebi ibn Hejthemit: “Sikur t’i jepje pakëz pushim vetes!” Ai tha: “Në kërkim të pushimit jam.” 

Ahmed ibn Davudi ka thënë: “Hyra tek Ahmed ibn Hanbeli teksa ishte në burg, para se të dënohej me rrahje, dhe ndër të tjera, i thashë: “O Ebu Abdullah! Ti ke familje, ke fëmijë, andaj je i arsyetuar!”, duke pasur për qëllim që t’ia lehtësoja. Ai ma ktheu: “Nëse kjo është mendja jote, atëherë paske rrëshqitur!” 

Njëherë i është thënë imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë!): “Kur do ta ndiejë robi (i Allahut) shijen e rehatisë?” Ai tha: “Në hapin e parë që do ta vendosë në Xhennet.”

Ibn Kajimi (Mëshira e Allahut qoftë mbi të!) na çon tjetërkah, kur thotë: “Njerëzit e mençur të çdo civilizimi janë të pajtimit se mirëqenia nuk arrihet me mirëqenie. Kushdo që i jep përparësi rehatisë, do ta humbasë këtë të fundit; dhe sa më shumë që t’u futemi situatave të rënda dhe durimit ndaj vështirësive, aq më e madhe do të jetë rehatia dhe kënaqësia (më vonë). Prandaj nuk ka kënaqësi për atë që s’ka ambicie, e as për atë që s’ka durim; s’ka mirëqenie për atë që s’ka hequr keq kurrë dhe s’ka rehati për atë që s’është lodhur. Përkundrazi, kur robi lodhet pak, rehatia është më e gjatë, e kur bart peshën e durimit një çast, kjo gjë do ta udhëheqë drejt jetës së amshuar. Së këndejmi, çdo përjetim në të cilin ndodhen njerëzit që kanë arritur mirëqenien, është si rezultat i durimit të një çasti; e Allahu është Ndihmëtari. Sa më fisnikë të jenë shpirtrat dhe sa më të larta ambiciet, aq më e vogël do të jetë lodhja e trupit dhe hisja e rehatisë, siç ka thënë Mutenebiu:

“Kur shpirtrat janë të mëdhenj, trupat lodhen për arritjen e qëllimeve të tyre.”

Vesham ibn Nebatuhu Sadiu, ylli i ambicieve të larta, na këshillon si përkujtim:

Vallë po më fajëson për stërmundimin e vetes sime?

Ndërkaq, kullota ime nëpër errësirë është kopsht i pagjumësisë.

Po qe se i riu do ta ndiente aromën e piedestaleve,

gjëja më e pavlerë që do të humbiste, do të ishte rehatia e gjumashëve.

 

Ebu Bekër Sidiku, teksa po e përshkruante Kaëkanë, tha: “Zëri i Kaëkaë ibn Amër Tejmiut në ushtri është më i këndshëm se njëmijë burra.” 

Omer ibn Hatabi i shkroi letër Amër ibn Asit, pasi kërkoi nga ai përforcime për çlirimin e Egjiptit: “... po të dërgoj katërmijë burra si përforcim, çdo i njëmijti prej tyre vlen sa njëmijë: Zubejr ibn Avami, Mikdad ibn Amri, Ubade ibn Samiti dhe Mesleme ibn Halidi.” Ndërsa një ditë, ai u tha atyre që ishin me të: “Shprehni ndonjë dëshirë!” Një burrë tha: “Kam dëshirë që kjo shtëpi të jetë e mbushur me ar, të cilin do ta dhuroja për hir të Allahut të Madhërishëm!” Një tjetër tha: “Unë dëshiroj që ajo të jetë e mbushur me margaritarë, diamantë e xhevahire, të cilat do t’i dhuroja në rrugën e Allahut!” Ndërkaq, Omeri në vijim tha: “Ndërsa unë do të kisha dëshirë që kjo shtëpi të ishte e mbushur me burra si Ubejde ibn Xherrahu.” 

Kurse imami i dijetarëve të hadithit, Jahja ibn Maini, pati thënë: “Në Egjipt kam parë tri gjëra të çuditshme: Nilin, piramidat dhe Seid ibn Ufejrin.” 

Andaj, po të më pyesje mua, apo cilindo njeri të mençur të umetit, se cila do të ishte dëshira që do ta kishte zgjedhur për ta lidhur zemrën me të, ajo do të ishte dëshira e Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). A nuk janë burrat e mëdhenj, pjesë nga kënaqësia e dynjasë?!

***

Pishtar: Mirëqenia nuk arrihet me mirëqenie.



[1] Fik’h: dituria rreth legjislacionit Islam, përkatësisht gjërat që lejohen dhe gjërat që janë të ndaluara në sheriat, qoftë në lidhje me adhurimet, qoftë në marrëdhëniet reciproke ndërnjerëzore mes muslimanëve.

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com