BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Vizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Mendimi yt pozitiv
Mendimi yt pozitiv
Dr. Mishal Felahi

Mendimi yt pozitiv

 

Në botën e njeriut ekziston një shpirt i braktisur, ekzistojnë disa sekrete të fshehura, që kur Allahu i Lartësuar cakton që ato të zbulohen dhe të ndezin fitilin e tyre, atëherë ai fillon të fluturojë në botën e shpirtrave më shumë sesa në atë të trupave.

Njerëzit janë gjurmë e mendimeve dhe e shpresave të tyre, si dhe fryt i përllogaritjeve të bëra brenda një periudhe kohore.

Ka folur të vërtetën ai që ka thënë: “Kur të fillosh një projekt, rezultatet e të cilit janë të brishta (të pasigurta), garantuesi i vetëm për të pasur sukses në këtë sfidë, është vetëbesimi yt.”

Vërtet, shpresa për më të mirën e dërgon njeriun prej botës së pasigurisë për në botën e guximit dhe të gatishmërisë, duke mos ia hequr sytë finalizimit të punëve e as rezultateve të tyre. Thënë troç, si sot, ashtu edhe për çdo ditë tjetër, njeriu është pjesë e mendimeve të tij. 

Mendimet e njeriut janë karburanti që e vë atë në lëvizje, realiteti që e shtyn përpara. Andaj, mos të të mashtrojë pamja trupore e dikujt, sepse ajo s’është tjetër veçse një krijesë prej mishi, truri dhe mendja e të cilit ose e udhëheqin drejt punëve të larta, ose e lënë në pozitën e një cope dheu të kësaj toke.

Trimëria dhe guximi për t’ua mësyrë punëve të vështira, synimeve të larta dhe gjërave të tjera të kësaj natyre, janë vetëm një pjesë e efektit të mendimeve pozitive, ndaj vështirë të gjesh një të suksesshëm, me vetëbesim e me qëllime të larta, që të mos ketë hise çdo ditë në situata trimërie, gjatë tërë jetës së tij. Ç’është e vërteta, ata që bëjnë shumë llogaritje, që mendojnë gjatë para se t’ua mësyjnë shanseve të jetës, si dhe mendojnë gjerë e gjatë për rezultatet e veprave të tyre, vështirë se do t’i realizojnë ëndrrat, të kenë histori të begata, apo të lënë ndonjë gjurmë të madhe në realitetin ku jetojnë.

Shumë prej trajnuesve të seminareve të kësaj natyre, teksa flasin për ndërtimin e vetëbesimit, theksojnë se njeriu ka nevojë që t’ia përsërisë vetes miratime të tilla pozitive, si: “duhet ta bëj!”, “mund t’ia dal”, “do ta bëj”, “jam i aftë për këtë punë” [1]. Madje nga përvoja ime personale, këmbëngul se është e domosdoshme të kemi mendim pozitiv dhe pritshmëri për sukses, si dhe të jemi të bindur se e tërë jeta është “ose një përpjekje guximtare, ose asgjë”. Përkitazi me këtë, vepra është hapi konkret i suksesit që ti shkruan për veten tënde, pas të menduarit pozitiv. Çdo njeri që mendon t’i përqafojë majat e suksesit, duhet që të shpëlajë rreziqet nga mendja e tij, t’i tejkalojë pasojat, të kapërcejë pengesat e frikës nga dështimi, gjëra këto që janë sikurse një vegim uji që na shfaqet para syve në një shkretëtirë, ndonëse është vetëm mashtrim dhe pas saj s’ka asgjë reale.

Të ta them hapur, ajo që i mbyt më së shumti njerëzit sot është vetëmashtrimi dhe pritshmëria e më të keqes dhe e dështimit gjatë rrugëtimit, saqë në fund, as janë ata që mësyjnë për ta parë realitetin ashtu siç është, e as ata që kërkojnë një rrugë tjetër, por kanë mbetur aty ku janë duke pritur mundësi, madje kanë mbetur në mes të rrugës të frikësuar e të shastisur.

E vërteta për të cilën s’ka pikë dyshimi, është se vetëbesimi, pozitivizmi, pritshmëria e më të mirës dhe guximi, janë gjërat që një pjesë të njerëzve i kanë shndërruar në udhëheqës, bartës të kauzave, në njerëz që kanë lënë gjurmë në histori, ashtu sikundër frika dhe pritshmëria e më të keqes, si dhe llogaritja e dështimeve, janë gjërat që kanë paralizuar shumicën në rrugëtimet e tyre.

Në këtë moment, po ta tërheq vërejtjen që të mos frikësohesh nga marrja e një rrugëtimi të caktuar, duke dyshuar nëse do të arrish fundin; nga fillimi i një projekti, duke pasur pritshmëri për përfundim të keq. E nëse prapë vazhdon të mbetesh i tillë, s’do t’ia dalësh të korrësh sukses e pozitë të lavdishme në jetën tënde, çfarëdo qoftë përpjekja jote.

Të ftoj të fillosh praktikisht këtë gjë me mua: sa herë të dëgjosh për një projekt (suksesi), mendo pozitivisht dhe orientoje mendjen tënde nga dobitë që do të dalin prej tij. Mos e ço mendjen te vështirësitë që do të hasësh dhe gjurmët negative të tij, e rrjedhimisht ke për të parë se një mënyrë e tillë e të menduarit do të krijojë mundësi të reja për ty dhe do të të bëjë fatlum.

Shumica e të sëmurëve, të varurve nga shprehitë e këqija, të burgosurve, ngelaqëve e dështakëve, janë thjesht pasojë e mënyrës së të menduarit të tyre. Të tillët s’mund ta shohin dritën ndryshe, vetëm se përmes vrimës së gjilpërës, ku errësira i rrethon nga të gjitha anët e tjera.

Momenti i parë kur suksesi fillon të trokasë në jetën e njeriut, është atëherë kur mendimet pozitive formojnë në mendjen e tij pamjen e një panorame, përmes së cilës ai bën hapin e parë madhështor, duke e kaluar atë nga bota modelore në botën reale. Me t’u përforcuar në mendje dhe me t’u shpërndarë në kozmosin e saj, kjo panoramë pozitive i lëshon gjethet në tokë dhe nxjerr frytet e saj në realitet më shpejt se çdo gjë tjetër.

Mandela, i cili nuk e ka jetuar jetën tënde, nuk ka marrë vendimet e tua dhe nuk ka përjetuar ditët e pranverës sikurse ti, - porse ka jetuar prapa hekurave për njëzeteshtatë vite me radhë –, ka shkruar: “Kur ne ia ngushtojmë vetes zgjedhjet që kemi mundësi t’i bëjmë në jetë, në fakt e mbysim vetveten.” 

Dhe ashtu është. 

Ne e mbysim vetveten kur realitetin tonë të gjerë e shohim përmes vrimës së gjilpërës. Madje kur marrim të shkruajmë një qëllim për të ardhmen apo të skicojmë një projekt, para syve na dalin pamjet e dështimit, si të ishin fakte të palëkundura të cilat do të ndodhin patjetër, gjë që në të vërtetë është mbytje e qëllimit, është abortim i ëndrrave të suksesit, është prangë iluzionare me të cilën e mbyllim veten tonë prapa hekurave dhe prangosim zgjedhjet që kemi mundësi t’i bëjmë.

Në jetën tënde s’ke për të parë pamje më të shëmtuar sesa një person që reflekton pesimizëm, i cili rri duke analizuar pasojat (e këqija) të ngjarjeve më shumë sesa mundësitë e realizimit të tyre në mënyrë të suksesshme, që përkushtohet në dështime më shumë sesa në ecjen nëpër botën e përgëzimeve. Të tillit thuaji të përgatitet për errësira të mëdha në jetën e tij në ditët e ardhshme, ngase ai s’dëshiron të shfrytëzojë mundësitë aktuale që ka në jetë, e çfarë të themi pastaj për të ardhmen e tij!? 

Sikur asgjë tjetër të mos ekzistonte në dynja pos fjalës së Pejgamberit ?: “Ajo që të ka goditur, s’ka pasur mundësi të mos të të godasë, ndërsa ajo që nuk të ka goditur, s’ka pasur mundësi assesi të të godasë,” do të ishte mësim i mjaftueshëm për pozitivizëm dhe shpresë. Ndërkohë, biografia e Halid ibn Velidit bashkë me përshkrimin e vdekjes së tij, nuk janë larg teje. Ai, në çdo betejë kërkoi që të binte shehid në rrugën e Allahut të Lartësuar, megjithatë në fund vdekja i erdhi në shtrat, e në ato çaste tha fjalën e tij të njohur: “Kërkova shehidllëkun në shumë beteja, e në trupin tim s’ka mbetur asnjë pëllëmbë vend pa goditje shpate apo therje shtize, por ja tani ku po vdes këtu në shtratin tim, ashtu siç vdes deveja; Andaj, sytë e frikacakut kurrë gjumë mos bëfshin!”

***

Pishtar: Njeriu e arrin piedestalin dy herë: herën e parë kur e parafytyron në mendjen e tij, e herën e dytë, në fund, kur e realizon me trupin e tij. 

***



[1] Sh. përkth. Allahu i Lartësuar na ka mësuar në Kuran se, kur bëhet fjalë për të nesërmen (të ardhmen), duhet t’ua paraprijmë këtyre shprehjeve fjalën “në dashtë Allahu!” (insha Allahu), duke u mbështetur tek Ai se do të na e mundësojë realizimin e këtyre qëllimeve. 

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com