BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Sekreti i fitoreveRrefim zemre Te mjafton pritja e deritanishmeShprehite e njerezve te suksesshemSuksesi eshte udhetimBuze deshtimeve korren ngadhenjimetDeklaratat e te influencuarveProjekti yt personal Kandilet ndricues Kujtime nga te medhenjte Rrefime te te pareve Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Sekreti i fitoreve
Sekreti i fitoreve
Dr. Mishal Felahi

Sekreti i fitoreve


Sot, pas një përvoje tejet të gjatë, e kam kuptuar se sekreti që fshihet pas suksesit është puna. Puna dhe asgjë tjetër!

Të gjithë ata që e kanë përqafuar madhështinë, që janë ngritur në piedestalin e lartë dhe që e kanë provuar shijen e suksesit, janë njerëz të cilët kanë punuar, janë lodhur, dhe përmes djersëve që iu rridhnin, kanë shkruar sukseset më madhështore në jetët e tyre.

Arsyeja e shkëlqimit të këtyre njerëzve nuk ishte sepse ata shpenzuan shuma të mëdha pa u lodhur. Aspak! Në fakt, ata punuan më shumë se të gjithë të tjerët, u përpoqën fort në rrugën drejt qëllimeve të tyre, dhe domosdoshmërisht i përqafoi lavdia në mejdanet e suksesit.

Puna është sekreti i fshehur pas të gjithë të dalluarve. Dëshmoj, duke u betuar në Allahun e Madhëruar, se puna është ajo që sjell në jetë gjënë nga asgjëja, dhe ajo ka mundësi që ta shtyjë më së shumti vepruesin e saj në kohët më të hershme të jetës, drejt arenave të të mëdhenjve.

Tek të gjithë të suksesshmit që kemi përmendur në fillim të këtij libri, sekreti i fshehur pas sukseseve të tyre ishte një grumbull sakrificash të mëdha, të cilat i paguan si paradhënie për gëzimet që pasuan më vonë. Kurora e sakrificave në fjalë është puna. 

Dallimi i vetëm mes njerëzve në sipërfaqen e tokës, është sasia e djersës së derdhur nga secili prej tyre drejt misionit të vet. Është pikërisht ky, çmimi i shtrenjtë që paguajnë njerëzit e mëdhenj përgjatë jetës së tyre si mehër për këto suksese, prandaj të tillët shkëlqejnë duke u dalluar qartë nga ata me të cilët ndajnë të njëjtën rrugë.

Pas një përpjekjeje të gjatë e të suksesshme, Edisoni pati thënë shprehjen e tij të njohur, të cilën përvoja e ka dëshmuar si një të vërtetë të prekshme përpara se ta artikulonte gjuha e tij: “Talenti është 1% frymëzim dhe 99% djersë balli”. Të vërtetën ka thënë. 

Prej këtu, në këto faqe të këtij libri kam për të treguar nga përvoja dhe me fakte, se: 

Nëse dëshiron të përparosh drejt rreshtave të parë me një forcë shtytëse të jashtëzakonshme, nëse dëshiron ta shkruash emrin tënd me shkronja të arta në faqet e historisë, nuk të nevojitet gjë tjetër përveç shtimit të orëve të fokusimit drejt qëllimit tënd dhe vendosmërisë për ta realizuar atë. Andaj, nëse punon me këtë këshillë timen, me shumë gjasë, pesë vitet e ardhshme do të jenë vitet më të jashtëzakonshme nga e tërë jeta jote, dhe do të ngelesh i mrekulluar nga suksesi që do të arrish.

Ekzistojnë plot rrëfime që flasin për rëndësinë e punës dhe ndikimin e saj në jetën e njerëzve. Në krye të tyre gjendet tregimi i Sha'biut, i cili kur u pyet: “Nga të erdhi e tërë kjo dije?”, u përgjigj: “Në askënd duke u mbështetur, në çdo vend duke bredhur, me durim gomari duke duruar, me zgjim të hershëm zogu duke u zgjuar.

A e bëri gjë tjetër Sha'biun, të mbetet deri në këtë kohë në rreshtat e librit të bashkëfolësit tënd, përveç punës?!

E njëjta gjë vlen edhe për dijetarin Ebu el-Vakt esh-Shexhaziu. Nxënësi i tij, Jusuf bin Ahmed esh-Shiraziu thotë: “Kur u shpërngula, Allahu i Lartësuar kishte caktuar që të mbërrija tek ai (Ebu el-Vakt esh-Shexhaziu) në periferi të qytetit të Kermanit, kështu që e përshëndeta me selam, e përqafova dhe u ula pranë tij. Ai më tha: “Ç'të solli në këtë vend?” - I thashë: “Kam besim tek ti, dhe pas mbështetjes sime në Allahun, mbështetem në ty! Kam shkruar prej haditheve të tua atë që kam hasur, dhe me këmbët e mia kam ecur në kërkim të tyre.”

Më tha: “Biri im, a e di se edhe unë kam mërguar për të dëgjuar hadithe autentike, duke ecur me babain tim në këmbë nga Herati e deri në Davudij, në Bushanxh, kur i kisha më pak se dhjetë vjet? Babai im më vendoste në duar dy gurë dhe më thoshte: Mbaji me vete. Prej frikës që kisha nga babai, i ruaja ata gurë me duart e mia dhe kështu ecja e ai më vëzhgonte. Kur më shihte që më kaplonte lodhja, më thoshte që ta hidhja njërin gur. E hidhja dhe më lehtësohej barra. Më pas ecja prapë, derisa vërehej qartë lodhja ime. Më pyeste: Je lodhur? Nga frika i thoja: Jo. Më thoshte: E pse po ngadalëson atëherë?Kështu filloja të shpejtoja përpara tij për një kohë, por më pas nuk arrija të vazhdoja dot më. Ai ma merrte edhe gurin tjetër dhe e hidhte, e kështu vazhdoja duke ecur derisa dërmohesha i tëri. Në ato momente, më kapte duke më hipur në shpinën e tij për të më bartur, dhe ndërkohë që ai ecte, përgjatë rrugës takonim grupe fshatarësh dhe të tjerë që i thonin: O shejh Isa, na e jep neve djalin dhe hip edhe ti me neve që t'ju bartim deri në Bushanxh! E babai im përgjigjej: Allahu na ruajttë nga të kërkuarit e haditheve të të dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) hipur mbi kalë!”

Nuk po e sjell këtë ngjarje këtu për ta shqyrtuar se a është e saktë apo jo. Ajo që dua, është që ti ta kuptosh mesazhin e saj, të aspirosh për një ambicie të tillë dhe të shkosh pas dëshirave dhe shpresave madhështore. 

Ahmed bin Muhamed es-Selefij thotë: “Kam gjashtëdhjetë vite pa e parë fenerin e Aleksandrisë – e cila njihet si njëra ndër shtatë mrekullitë e botës – vetëm se përmes kësaj dritareje të vogël, pra dritares së njërës nga klasat e shkollës”.

Hafëz Abdul-Kadir err-Rrahavij thotë: “Kam dëgjuar se përgjatë kohës që kishte qëndruar në Aleksandri, këmba e tij nuk kishte shkelur asnjëherë në kopsht, e as nuk kishte dalë ndonjëherë në rrugë përveç një here të vetme. Përkundrazi, ai ishte i pashkëputur tërë jetën e tij prej akademisë, dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që të shkonim tek ai e të mos e gjenim duke lexuar diçka”.

Këto janë disa shembuj që na dëftojnë se puna, angazhimi, lodhja, disiplina dhe fokusimi drejt qëllimit, mund të bëjnë mrekulli në jetën e njeriut.

Nuk kam parë ndonjë njeri drejt të cilit bëhet me gisht, përveç atij që ka shpenzuar shumë kohë, që ka punuar fort dhe ka sakrifikuar për një mision të përjetshëm apo për një qëllim me të cilin e ka shtyrë përpara rrjedhën e historisë. E më vonë, pas tërë sakrificave, bota e duartrokiti  atë në shenjë admirimi e përnderimi.

Ah sikur të dinte lexuesi i këtyre rreshtave mbi pasojat që do të kishte mungesa e punës në suksesin e projektit të tij! 

Andaj, lum për punën që di të nxjerrë prej njerëzve të rëndomtë e mesatarë, kryevepra madhështore!




Pishtar: Që të arrihet suksesi, duhet 1% frymëzim dhe 99% punë.

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com