Politeistët adhurojnë hyjni të krijuara e të sajuara, si, fjala bie, pemë, gurë e njerëz, andaj hebrenjtë dhe idhujtarët e pyetën të Dërguarin e Allahut ? rreth Allahut, se prej çfarë gjëje është Ai. Atëherë, Zoti i shpalli këto fjalë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Kurani, 112:1-4)
Ai u foli robërve të Tij për Vetveten, duke thënë: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (Kurani, 7:54)
I Madhërishmi tha: “Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t’i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj.” (Kurani, 13:2)
Deri te fjala e Tij: “Allahu e di se ç’mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë te Ai është me masë. Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti.” (Kurani, 13:8-9)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë: “Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” dhe përgjigju: “Allahu!” Thuaj: “A mos vallë ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari”. (Kurani, 13:16)
Ai, madhëruar qoftë, u paraqiti krijesave argumente dhe dëshmi të qarta, duke thënë: “Ndër shenjat e Tij janë nata dhe dita, si dhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!” (Kurani, 41:37)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij.” (Kurani, 30:22-23)
Ai e përshkroi Vetveten me cilësi të bukura e të përkryera: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë te Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron...” (Kurani, 2:255) Po ashtu, thotë: “...Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe te Ai do të kthehen të gjithë.” (Kurani, 40:3)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Kurani, 59:23)
Ai është Zoti, Hyjnia, i Urti, e i Fuqishmi, i Cili me fjalët e Veta i njoftoi robërit e Tij për Vetveten, u tregoi argumente, prova e dëshmi, si dhe e përshkroi Veten me cilësitë e përsosurisë. Për ekzistencën, hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t’u adhuruar dëshmojnë fetë e mesazhet profetike, arsyeja racionale, natyra e paprekur njerëzore, po madje të gjithë popujt kanë qëndrim konsensual rreth këtyre të vërtetave, rreth të cilave në vijim do të gjesh disa shpjegime.