BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Çka është Islami?Pse eshte krijuar njeriuPasojat e mospranimit te IslamitPersosuria e fese islameZekati, agjerimi dhe HaxhiFilli i hyrjes në Islam eshte deshmia dhe shtylla e dyte NamaziNjë thirrje për ta besuar Allahun dhe Profetin e TijNevoja e njerezimit per fene (II)Nevoja e njerezimit per feneAllahu - Ekzistenca, Hyjnorja, Njeshmeria dhe denjesia e Tij per t'u adhuruarKrijimi i gjithesiseKjo gjithesi nuk ka tjeter hyjni pervec Zotit te MadherishemArgumentet rreth ekzistencës së Allahut dhe të qenët Zot
Nevoja e njerezimit per fene
Nevoja e njerezimit per fene
Mirsim Malici
 
Nevoja e tyre për fenë është më e madhe se cilado nevojë tjetër. Njeriu duhet të jetë në dijeni se çka e kënaq dhe çka e hidhëron Zotin e tij, po edhe si arrihet e mira, e si shmanget e keqja. Është feja ajo që e qartëson të dobishmen, e të dëmshmen; e pa dyshim feja është drejtësia dhe drita e Zotit për krijesat e Tij. Andaj, njerëzimi nuk mund të jetojë pa fe! Ajo i mëson se çfarë duhet bërë, e çfarë duhet lënë.
 
Përderisa njeriu ka vullnet e dëshira, ai patjetër duhet të dijë se, ajo çfarë dëshiron të bëjë, a është e dobishme apo e dëmshme?! Është në favorin e tij apo e shkatërron?! Dikush këtë e kupton nëpërmjet natyrës njerëzore, e dikush në saje të vrojtimit logjik, ndërsa një pjesë tjetër, si rrugë të njohjes, i kanë mësimet, shpjegimet dhe udhëzimet e profetëve.
Sado që të proklamohen e të zbukurohen rrejshëm doktrinat materialiste e ateiste e të na sillen vërdallë me teori e hipoteza të ndryshme, ato kurrë nuk arrijnë të përmbushin nevojën që individët dhe shoqëritë kanë për fenë e vërtetë. Ata s’kanë mundësi t’u përgjigjen nevojave të shpirtit e trupit, madje, çdokush që thellohet në ato teori, bindet se aty nuk fitohet qetësia, siguria dhe shuarja e etjes. Andaj, nuk ka tjetër rrugëdalje përveç fesë së vërtetë.
Ernest Rinani thotë: “Çdo gjë që e duam mund të marrë fund. Madje, edhe
liria për të përdorur mendjen, diturinë e mjeshtëritë mund të tretet. Ndryshe nga fetaria! Është e pamundur që ajo të shuhet. Madje, ajo do të jetë gjithnjë një argument i gjallë që tregon kotësinë e ideologjisë materialiste, e cila mëtonte ta kufizonte njeriun në ngushtica të ulëta të kësaj jete!”
“Nuk është e mundur që mendimi dhe praktika fetare të shuhen, ngase bëhet fjalë për prirjen më të lartë të shpirtit e të avancimit njerëzor, po edhe për ndjenjën më sublime. Ai nuk do të ndalet së ecuri përpara dhe natyra fetare do ta përcjellë njeriun për sa kohë që ky logjikon rreth bukurisë e shëmtisë, nga ku edhe, varësisht zhvillimit të tij logjik e intelektual, kjo natyrë vetëm shkon duke u ngritur e përparuar.”
Le të themi përmbledhtas se fetaria e vërtetë, dy themelet e së cilës janë: njësimi i Zotit në hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t’u adhuruar dhe adhurimi i Tij sipas asaj që Ai e ka shpallur, është një substancë e pazëvendësueshme e jetës.


Bazat e misionit dhe thirrjes së profetëve

Profetët dhe të dërguarit e Zotit, që të gjithë bëhen bashkë te disa baza e parime konsensuale, siç janë: besimi në Allahun, engjëjt, librat, profetët, jeta tjetër, parapërcaktimi hyjnor – qoftë për të mirë apo për keq, po ashtu, urdhërimi që vetëm Allahu të adhurohet - duke mos ia përshkruar ndonjë ortak, ndjekja e rrugës së Zotit dhe mosndjekja e rrugicave të gabuara, e njashtu edhe ndalimi i katër gjërave të ulëta e të pista:

Punët e turpshme – qofshin publike apo të fshehta, mëkati, padrejtësia dhe idhujtaria – të adhurohet ndokush bashkë me Zotin. Po ashtu, të gjithë profetët njëzëshëm e kanë ngritur e lartësuar Zotin duke e besuar larg të pasurit grua, fëmijë, ortak e shembull, sikurse asnjëri prej tyre nuk ka thënë të pavërteta për Të. Të gjithë e ndalonin vrasjen e padrejtë të njeriut dhe të fëmijëve. Po ashtu, njëzëri e ndalonin kamatën dhe ngrënien e pasurisë së jetimit. Ata, po ashtu, unanimisht urdhëronin për realizim të premtimeve e marrëveshjeve, besnikëri e drejtësi në peshore e matje, respektim të prindërve, drejtësi ndërmjet njerëzve dhe vërtetësi në fjalë e vepra. Ata, pa asnjë përjashtim, që të gjithë e ndalonin keqpërdorimin e pasurisë, mendjemadhësinë dhe marrjen e padrejtë të pasurive të të tjerëve.

Legjislacionet me të cilat kanë ardhur profetët, që të gjitha, edhe nëse mund të kenë dallime anësore, janë në përputhje të plotë me njëra-tjetrën në çështjet esenciale, e mira e të cilave pashlyeshëm është e skalitur në mendjet njerëzore. Sikur ato legjislacione të ishin ndryshe nga ç’janë, do të ishin larg urtësisë, dobisë dhe mëshirës, e madje, është e pamundur që ato të vinin ndryshe nga ç’na kanë ardhur!

“Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to.” (Kurani, 23:71)
E si mundet që njeriut të mençur t’i shkoje ndërmend se legjislacioni i Gjykatësit më të drejtë, mund të vinte ndryshe nga ajo që është?!
Andaj, të gjithë profetët e kanë një fe, siç thotë i Larti:  “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju! Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje!” (Kurani, 23:51-52)

Po ashtu, i Madhërishmi tha: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” (Kurani, 42:13)

Nëpërmjet fesë synohet të realizohet qëllimi i krijimit të njeriut – adhurimi i Allahut, duke mos i përshkruar ortakë. Po ashtu, te feja marrim legjislacionin, ritet, e obligimet, po edhe rrugët e realizimit të këtij qëllimi. Metodologjia e saj e përkryer e hyjnore, e cila as nuk e leqendis njeriun, po as s’e përplas natyrën e shpirtin e tij me gjithësinë që e rrethon, i siguron kënaqësinë e Zotit dhe lumturinë në të dy botët.Thirrja e mbarë profetëve ishte për te feja hyjnore, e cila i ofron njerëzimit bazat dogmatike (bazat e besimit) që duhen besuar, po edhe legjislacionin me të cilin duhet jetuar. Andaj, Teurati (libri i dhënë Musait) ishte besim e ligj, kurse ithtarët e saj ishin të obliguar të gjykoheshin tek ai.

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com