E në hadithin autentik, Profeti ? thotë: “Ju kam lënë juve në udhën e qartë; nata e saj është (e qartë, po) sikur dita. Askush, përpos ndonjë farësosuri (të shkatërruari) nuk i shmanget asaj!”
Po ashtu ka thënë: “Ju kam lënë diçka që, po u kapët për të, kurrë nuk do të devijoni: Kurani dhe tradita ime!”
Në ajetin e parë po na jepet ky sihariq i madh që, kjo fe është e përkryer, e në të s’ka kurrfarë mangësie e teprice, si dhe është e përshtatshme për çdo kohë, vend, e shoqëri. Gjithashtu, Zoti po na tregon se na ka begatuar me këtë fe të përsosur, me mesazhin e vulës së profetëve, Muhamedit ? e me ngadhënjimin e kësaj feje të pazëvendësueshme, të cilën Ai e zgjodhi për njerëzimin dhe e bëri të vetmen fe të pranuar.
E në ajetin vijues, Zoti na tregon se Kurani i madhërishëm është një sistem i përkryer, që jep shpjegimet e duhura për çdo gjë që i përket jetës së kësaj bote dhe asaj të mëtejme. Aty është haberi për çdo gjë të mirë dhe vërejtja kundrejt çdo të keqeje. Për çfarëdo lloj telashesh, të vjetra a të reja, të së tashmes apo të ardhmes, aty jepet zgjidhja e drejtë, madje çdo “zgjidhje” që bie ndesh me Kuranin, në të vërtetë, s’është gjë tjetër pos injorancë e padrejtësi!
Shtyllat e besimit janë gjashtë:
Besimi në Allahun, engjëjt, librat dhe profetët e Tij, si dhe besimi në ditën e fundit - jetën e mëtejme, dhe në parapërcaktimin hyjnor.
Me besim në Allahun është për qëllim besimi në hyjnoren e Allahut, se Ai është Zotëruesi, Krijuesi, Mbreti dhe Mbarështuesi i gjithçkaje. Po ashtu, besimi në denjësinë e Tij për t’u adhuruar, se Ai është Hyjnia e vërtetë dhe se çdo i adhuruar përveç Tij është i kotë. Njashtu, besimi në emrat dhe cilësitë e Tij, gjegjësisht në bukurinë e emrave të Tij dhe përsosurinë e cilësive që Ai ka.
Po ashtu, besimi në njëshmërinë e Tij – se Atë nuk e shoqëron askush në hyjnoren e Tij, as në denjësinë e Tij për t’u adhuruar, por as në emrat dhe cilësitë që ka.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!” (Kurani, 19:65)
Njashtu, të besosh se atë s’e kaplon as dremitja e as gjumi, se Ai ka dijeni për gjithçka – qoftë e dukshme apo e padukshme, se Ai i zotëron qiejt dhe Tokën: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (Kurani, 6:59)
Po edhe të besosh se Ai është ngritur mbi Arsh (fron), sipër krijesave të Tij – e sheh gjendjen e tyre, i dëgjon fjalët që thonë, e sheh se ku ndodhen, ua mbarështon punët, e furnizon të varfrin, e forcon të ngratin, i jep pushtet cilit të dojë Ai vetë, po edhe ia merr atë kujt të dojë, vërtet Ai ka mundësi të bëjë çdo gjë.
Në vijim po i paraqesim disa nga frytet e besimit në Zot:
a. Si rrjedhojë e besimit në Zot, te robi mbillet dashuria dhe madhërimi për Të, të cilat e shpijnë atë drejt realizimit të urdhëresave dhe shmangies nga ndalesat e Zotit. E kur robi të veprojë kësisoj, atëherë ai arrin kulmin e lumturisë në jetën e kësaj bote, po edhe në jetën e amshueshme.
b. Si rrjedhim i besimit në Zot, te shpirti i besimtarit zhvillohet krenaria dhe vullneti, ngase ai kështu e ka të qartë se Zoti është Zotëruesi e Mbreti i vërtetë i gjithçkaje në këtë gjithësi - s’ka kush që mund të bëjë dobi a dëm përveç Tij. Kjo dijeni e bën besimtarin të pavarur nga të tjerët përveç Zotit dhe shkul nga zemra e tij frikën prej gjithkujt tjetër përveç Allahut, ndaj vetëm Atë e shpreson dhe vetëm prej Tij ka drojë.
c. Po ashtu, ky besim mbëlton te besimtari modesti, ngase ai e di se çdo mirësi që e gëzon vjen vetëm prej Zotit, ndaj nuk mashtrohet nga djalli e të bie në thellomat e mendjemadhësisë ose të mburrjes me fuqinë dhe pasurinë që posedon.
ç. Besimtari beson bindshëm se rruga e vetme e shpëtimit janë veprat e mira – të miratueshme te Zoti. Në anën tjetër, të tjerët besojnë dogma të kota, si, fjala bie, besimi se qenka kryqëzuar, gjoja i biri i Zotit, për mëkatet e tona, besimi në hyjni të ndryshme, gjoja se ato realizojnë dëshirat e njerëzve, kurse ato në të vërtetë nuk bëjnë kurrfarë dobie a dëmi, ose mosbesimi në ekzistencën e Zotit, besime këto të cilat do ta tradhtojnë njeriun e lajthitur, i cili kur t’i paraqitet Zotit në Ditën e Llogarisë dhe kur t’i shohë të vërtetat do të kuptojë se ka qenë në një devijim të qartë.
d. Besimi në Zotin e vërtetë kultivon në zemrën e besimtarit një fuqi madhështore, përplot vendosmëri, përpjekje, durim, stabilitet e mbështetje te Zoti. Kështu besimtari i përballon dhe i jetëson veprat madhore në këtë jetë, përherë duke synuar kënaqësinë e Zotit, po edhe i bindur se është i mbështetur te Mbreti i qiejve dhe i Tokës, i Cili e ndihmon dhe e përkrah atë, ndaj palëkundshmëria e tij, përplot durim, stabilitet e mbështetje te Zoti, i ngjan vendosmërisë dhe palëkundshmërisë së kodrave.
Besimi se engjëjt janë krijuar që ta respektojnë e adhurojnë Zotin; janë shpirtra që Zoti i ka krijuar prej ditës. Janë të shumtë; veç Zoti e di sa janë! Disa prej tyre janë në qiell e disa, me detyra të veçanta, te njerëzit në Tokë. Allahu Fuqiplotë i përshkroi duke thënë: “Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij. Ai e di se ç’ka para tyre (ç’kanë vepruar) dhe ç’ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).” (Kurani, 21:26-28)
Se ata: “(Engjëjt) nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë (nuk shprehin mendjemadhësi në adhurim ndaj Tij) e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” (Kurani, 21:19-20)