BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Çka është Islami?Pse eshte krijuar njeriuPasojat e mospranimit te IslamitPersosuria e fese islameZekati, agjerimi dhe HaxhiFilli i hyrjes në Islam eshte deshmia dhe shtylla e dyte NamaziNjë thirrje për ta besuar Allahun dhe Profetin e TijNevoja e njerezimit per fene (II)Nevoja e njerezimit per feneAllahu - Ekzistenca, Hyjnorja, Njeshmeria dhe denjesia e Tij per t'u adhuruarKrijimi i gjithesiseKjo gjithesi nuk ka tjeter hyjni pervec Zotit te MadherishemArgumentet rreth ekzistencës së Allahut dhe të qenët Zot
Argumentet rreth ekzistencs s Allahut dhe t qent Zot
Argumentet rreth ekzistencës së Allahut dhe të qenët Zot
Mirsim Maliçi
KU ËSHTË RRUGA?!

Kur njeriu rritet dhe fillon të kuptojë, në mendjen e tij sillen vërdallë pyetje të ndryshme, si, fjala bie, prej nga kam ardhur?!
Përse kam ardhur?!
E, ku do të shkoj?!
Kush më krijoi mua dhe këtë gjithësi përreth meje?!
E kujt është gjithësia dhe kush e mbarështon?!
Si dhe pyetje të tjera.
Njeriu nuk arrin dot te përgjigjet e këtyre pyetjeve në mënyrë të mëvetësishme, madje as shkenca bashkëkohore. E vetmja rrugë ku mund t’i gjesh këto përgjigje është feja e vërtetë, e cila në mënyrë ekskluzive për këto çështje e për të tjera e posedon fjalën e prerë e të saktë. Këto çështje i përkasin të fshehtës e të padukshmes, për të cilat, askush përveç fesë së vërtetë nuk e thotë të vërtetën dhe të drejtën. E si të mos jetë kështu kur feja e vërtetë është shpallje e Zotit për profetët e Tij. Ndaj, njeriu nëse dëshiron të kapë rrugën e drejtë, e të mos mbesë i hutuar e me dyshime, duhet ta mësojë dhe besojë fenë e vërtetë.

Në vijim, të ftoj ta pasosh rrugën e vërtetë të Zotit! Do t’i paraqes disa argumente, prova e dëshmi, që ti t’i vrojtosh ato me qetësi, dëlirësisht dhe thellësisht.

ARGUMENTET RRETH EKZISTENCËS SË ALLAHUT DHE TË QENËT ZOT

Argumenti i parë:
KRIJIMI I KËSAJ GJITHËSIE DHE KRIJIMTARIA E JASHTËZAKONSHME NË TË

Kjo gjithësi përreth teje, ky univers madhështor, me këtë përbërje, qiej, planetë e orbita, e kjo tokë e shtruar, me hapësira e vise që ngjiten me njëra-tjetrën, e varësisht dallimeve mes tyre dallon edhe ajo çfarë del prej dheu, e cila nxjerr fryte të çdo lloji, ku të gjitha krijesat janë dy gjinish. Ky kozmos nuk e ka krijuar vetveten, ngase nuk ekziston një mundësi e tillë, andaj, doemos ai ka një Krijues. E kush është pra Ai që e ka krijuar këtë sistem të mahnitshëm dhe e përsosi me këtë bukuri të mrekullueshme, e që për çdo vrojtues këto u bënë argumente që të lënë gojëhapur?! Askush përpos Zotit, Njëshit, Mposhtësit, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, e as nuk ka kush që e meriton adhurimin përveç Tij. I Lartësuari ka thënë: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur.” (Kurani, 52:35-36)

Këto dy citate kuranore përmbajnë tri koncepte hyrëse në këtë trajtesë, e ato janë:
A janë krijuar prej asgjësë?!
A e kanë krijuar vetveten?!
A i kanë krijuar ata qiejt dhe Tokën?!

E nëse ata nuk janë krijuar prej asgjësë, nuk e kanë krijuar vetveten e as nuk i kanë krijuar qiejt e Tokën, atëherë ata pashmangshëm duhet ta pranojnë ekzistencën e Krijuesit që i solli në ekzistencë dhe i krijoi ata, qiejt dhe Tokën. Ai është Allahu, Njëshi e Mposhtësi!

Argumenti i dytë:
FITREJA – NATYRA FILLESTARE DHE E PAPREKUR NJERËZORE

Krijesat në natyrën e tyre e kanë të skalitur pranimin e Krijuesit, duke e njohur si më të Madhin, më Madhështorin e më të Përkryerin. Kjo çështje është e mbjellë fort në natyrën e tyre, më fort sesa parimet dhe ligjet e fizikës e të matematikës. Për këtë arsye, në parim nuk ka nevojë të sillen argumente për këtë çështje, mirëpo ekzistojnë njerëz të atillë, tek të cilët natyra njerëzore origjinale dhe kursi i saj u kanë pësuar ndryshime dhe kanë nevojë për këto argumente. I Lartësuari ka thënë: “...fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit...” (Kurani, 30:30)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ? [1] ka thënë:  “Çdo foshnje lind në natyrën e pastër. Më pastaj, prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë ose adhurues të zjarrit. Sikur shembulli i kafshës që e pjell të voglin e saj të pagjymtuar (të shëndoshë e pa të meta), vallë, a i vëreni ndonjë gjymti (të metë)?!”
Pastaj, transmetuesi i hadithit, Ebu Hurejra, thotë: “Në daçi, lexojeni: “...fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit...” (Kurani, 30:30)
Gjithashtu Profeti ? ka thënë:  “Zoti im më dha urdhër që t’jua mësoj juve atë që nuk e dini, e që mua ma mësoi sot: (Tha) Secilën pasuri që ndonjë robit ia dhuroj, ajo për të është e lejuar; Unë të gjithë robërit e Mi i kam krijuar hunefa (të pastër e të gatshëm për të pranuar udhëzimin), mirëpo atyre u erdhën djajtë dhe i shmangën nga feja e tyre, ua ndaluan atë që Unë ua kam lejuar, si dhe i urdhëruan që të më përshkruajnë ortakë, gjë për të cilën Unë s’u kam zbritur asnjë argument.”

Argumenti i tretë:
KONSENSUSI I POPUJVE

Të gjithë popujt, qofshin të lashtë apo modernë, janë të një mendimi se ky kozmos e ka një Krijues, e Ai është Allahu, Zoti i botëve, i Cili, pa asnjë ortak, i krijoi qiejt e Tokën, po edhe pa asnjë ortak e posedon dhe e sundon çdo gjë që ekziston.
Nuk përmendet asgjëkundi se ndonjë popull i mëparshëm ka besuar se hyjnitë e tyre, bashkë me Allahun, i kanë krijuar qiejt e Tokën. Assesi! Përkundrazi, kanë besuar se Zoti është Krijuesi i tyre dhe Krijuesi i hyjnive të tyre. Pra, besonin se s’ka Furnizues tjetër përveç Allahut dhe se vetëm në Dorë të Tij është dobia e dëmi. E duke treguar se si e pranonin idhujtarët hyjnoren e Zotit, i Madhërishmi thotë: “Nëse ti (Muhamed) i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Atëherë, si po largohen (nga rruga e drejtë)? Allahu, ia zgjeron furnizimin kujt të dojë nga robërit e Tij, e dikujt ia zvogëlon. Allahu është vërtet i Dijshëm për çdo gjë. Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Thuaj: “Qoftë lëvduar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.” (Kurani, 29:61-63)

Po ashtu, i Lavdishmi ka thënë: “Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata, me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi.” (Kurani, 43:9)

Argumenti i katërt:
ARSYEJA RACIONALE

Mendja e ka të pashmangshme të pranojë se gjithësia ka një Krijues Madhështor, ngase ajo e sheh sheshazi se gjithësia është e krijuar dhe shpikur, sikurse e sheh se ajo nuk e ka sjellë vetveten në ekzistencë, ndërsa një gjë e krijuar domosdo duhet ta ketë Krijuesin që e shpiku dhe e solli në ekzistencë.
Kur njeriu në jetë preket nga krizat dhe fatkeqësitë, largimin e të cilave nuk mund ta bëjë qenia njerëzore, atëherë zemra e tij vetvetiu drejtohet nga qielli dhe i kërkon Zotit ndihmë. Kthehet tek Ai për ta lutur që t’ia largojë brengën e hallin, edhe nëse në ditët e tjera e mohon Zotin e tij dhe e adhuron idhullin e vet. Kjo është një domosdoshmëri e pashmangshme, andaj duhet të pranohet. Madje, edhe kafshët kur lëndohen nga ndonjë qeder i rëndë, e ngrenë kokën lart dhe i ngulin sytë nga qielli. Zoti i Madhërishëm ka treguar se kur njeriu preket nga ndonjë dëm, shpejton për te Zoti i tij, nga i Cili kërkon largimin e atij dëmi. I Lartësuari thotë: “Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar me pendesë. E kur atij i vjen një e mirë prej Zotit, ai harron se për çfarë ishte duke u lutur më parë dhe sajon zota të tjerë të barabartë me Allahun...” (Kurani, 39: 8)
E duke na treguar për gjendjen e idhujtarëve, i Lartësuari tha: “Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten Allahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë do të jemi mirënjohës”. E kur Allahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.” (Kurani, 10:22-23)
Po ashtu, i Madhërishmi tha: “Kur ata i mbulon vala si pëlhurë, e thërrasin Allahun me devotshmëri të çiltër. Por sapo Ai i shpëton, duke i kthyer ata në tokë, një pjesë e tyre lëkunden (ndërmjet besimit dhe mosbesimit). Në të vërtetë, shpalljet dhe mrekullitë Tona i mohojnë vetëm mashtruesit dhe mosmirënjohësit.” (Kurani, 31:32)

E ky Zot është Ai që e solli gjithësinë në ekzistencë, e cila më parë ishte thjesht një hiç; Ai e krijoi njeriun në formën më të bukur, kurse në natyrën e tij e gdhendi bindjen për Zotin, për të Cilin janë përulur mendjet njerëzore, duke dëshmuar për hyjnoren e Tij dhe për denjësinë që ka për t’u adhuruar. E sa për hyjnoren e Tij, kjo është një çështje konsensuale te mbarë popujt; pra ky Zot që është Një në hyjnoren e Tij është po ashtu Një në denjësinë e Tij për t’u adhuruar, ngase, sikurse që nuk e shoqëron askush Atë në krijimtarinë hyjnore që ka, asisoj, Ai nuk ka ndonjë ortak që e shoqëron në denjësinë e Tij për t’u adhuruar. Argumentet për këtë realitet janë të shumta, e prej tyre:



[1] Ky simbol ? lexohet kësisoj: “sal-lallahu alejhi ve selem” dhe d.m.th.: lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com