“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin...” (Kurani, 5: 44)
Pastaj erdhi Mesihu – Isai (paqja qoftë mbi të!), me të ishte Inxhili – në të cilin kishte dritë e udhëzim, për të vërtetuar atë që ishte shpallur më parë në Teurat.
I Madhërishmi thotë: “Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë...” (Kurani, 5: 46)
Pastaj u dërgua Muhamedi ? me një legjislacion final e me një fe të përkryer, me të cilën i shfuqizoi legjislacionet pararendëse dhe i vërtetoi librat e mëparshëm.
I Larti ka thënë : “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur.” (Kurani, 5:48)
Zoti i Lartësuar na njofton se Muhamedi ? dhe besimtarët që ishin me të, besonin në Të, ashtu sikur që kanë besuar profetët e mëparshëm.
I Larti thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë, dhe te Ti do të kthehemi!” (Kurani, 2:285)
Çdo fe në botë e ka emrin e saj të përveçëm, që herë i atribuohet emrit të ndonjë personaliteti e herë ndonjë komuniteti të caktuar. Krishterimi e mori emrin nga Krishti, kurse budizmi nga themeluesi i saj, Buda, kurse zoroastrianizmi e mori këtë emër, ngase themeluesi dhe flamurtari i saj ishte Zoroasteri, ndërsa hebreizmi – jehudizmi u paraqit te një fis i quajtur jehuda – judah, e kështu me radhë. Vetëm Islami nuk i atribuohet asnjë personi të veçantë e as ndonjë populli të caktuar. Emri i tij flet për një përshkrim specifik që vetë domethënia e fjalës ‘Islam’ e përfshin ndër vete. Kjo domethënie nxjerr në pah se kjo fe nuk është produkt njerëzor, po as nuk i dedikohet një populli të veçantë. Thënë troç, synimi dhe thelbi i kësaj feje është që mbarë banorët e Tokës t’i vishen e t’i atribuohen cilësisë së ‘Islamit’, së cilës, kushdo që i përshkruhet, qoftë në të kaluarën, në të tashmen apo në të ardhmen, e merr emrin dhe vlerësimin e të qenit musliman.
“Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, si dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. Po ashtu, dëshmoj se xheneti është i vërtetë, xhehenemi është i vërtetë, se Dita e Gjykimit do të ndodhë pashmangshëm e pa dyshim, se Allahu do t’i ringjallë banorët e varreve që t’i marrë në llogari e që t’i shpërblejë dhe se çdo gjë për të cilën na ka treguar Allahu, qoftë në Librin e Tij apo nëpërmjet gjuhës së Profetit të Tij, është e vërtetë!”
O njeri i mençur, të thërras që ta besosh këtë dëshmi dhe ta deklarosh e ta jetësosh - kjo është rruga e shpëtimit.
Nëse të vërtetat që i treguam më parë i ke kuptuar, tani është radha të mësosh se Zoti ka dërguar tek ti por edhe tek i gjithë njerëzimi një profet e kumtar dhe ka urdhëruar që t’i bindemi atij e ta pasojmë atë. Zoti na ka treguar se rruga e vetme për njohjen e adhurimit të vërtetë është ajo e pasimit të këtij profeti dhe adhurimi i Zotit sipas ligjit të tij.
Ky profet fisnik është vula e të dërguarve. Ta besojmë e ta ndjekim e kemi obligim hyjnor. Atë e dërgoi Zoti Fuqiplotë për mbarë njerëzit. Ai është Muhamedi ?, profeti që nuk dinte shkrim e lexim. Në më shumë se dyzet vende në Teurat (Tora) dhe Inxhil, Musai e Isai e kishin paralajmëruar përgëzueshëm ardhjen e këtij profeti. Këto sihariqe lexoheshin nga hebrenjtë dhe të krishterët, mirëpo ata më vonë futën duart në librat e shenjtë dhe i ndryshuan ata!
Me këtë profet të çmuar e të dërguar te mbarë njerëzit, Zoti e vulosi vargun e profetëve. Ai është Muhamedi ?, i biri i Abdullahut, nga fisi i kurejshëve. Ishte më fisniku ndër burra, më i virtytshmi në shoqëri, e më fisniku në këtë planet. Rridhte nga loza e Profetit Ismail, të birit të Profetit Ibrahim. Ai ? lindi në Mekë, në vitin 570.
Allahu e dalloi Profetin Muhamed ? nga profetët e tjerë me disa veçori, prej tyre:
E para: Ai është vula e profetëve, ndaj nuk do të ketë pas tij ndonjë të dërguar nga Zoti.
E dyta: Mesazhi i tij i dedikohet mbarë njerëzimit, andaj tërë njerëzimi llogaritet si Umet i Muhamedit - kush i bindet dhe e pason, hyn në parajsë e kush e kundërshton, hyn në ferr.
Të gjithë duhet ta pasojnë atë. Po pra, edhe hebrenjtë dhe të krishterët e kanë obligim që ta ndjekin këtë kumtar të Allahut. Kushdo që nuk i beson atij e s’e pason, ai, në të vërtetë, i ka mohuar vetë Musanë, Isanë dhe mbarë profetët e tjerë, ngase ata, që të gjithë, veçse janë distancuar prej gjithsecilit që nuk e ndjek Muhamedin ?. Kjo ngase Zoti i ka urdhëruar ata që të sihariqojnë njerëzit për ardhjen e tij e t’i thërrasin popujt e tyre që, kur Zoti ta dërgojë atë, ata ta pasojnë dhe t’i besojnë. Feja e këtij profeti është pikërisht ajo fe me të cilën Zoti i dërgonte profetët e Tij të mëparshëm. Fe, që gjatë misionit të këtij profeti fisnik, arriti përsosurinë më të lartë dhe lehtësimet më të gjera. Askujt s’i lejohet që të përqafojë ndonjë fe tjetër përveç Islamit, fesë së shpallur nga Zoti. Me këtë fe të përkryer, Zoti e shfuqizoi çdo fe të mëparshme; kjo fe është e garantuar dhe e ruajtur!
Hebraizmi dhe Krishterimi janë fe të ndryshuara e të zvetënuara; ato më nuk janë ashtu siç i ka shpallur Allahu. Çdo musliman që e pason Muhamedin ? konsiderohet edhe ndjekës i Musait, i Isait dhe i profetëve të tjerë.
Kurse në anën tjetër, kushdo që del nga Islami, ai llogaritet mohues dhe përgënjeshtrues i Musait, i Isait dhe i mbarë profetëve, edhe nëse pretendon se është prej pasuesve të Musait dhe të Isait!
Andaj, që herët, shumë njerëz prej rabinëve hebrenj, e murgjve të krishterë, nuk ngurruan që t’i besonin Muhamedit ? e të hynin në Islam.
Profecitë rreth së ardhmes, gjegjësisht rreth periudhës së fundit të Botës; ja, ato dita-ditës po dalin në shesh, një nga një, pikërisht ashtu siç na ka paratreguar!
Të gjitha këto gjëra të paditura për njerëzimin, paraqitja e të cilave nisi pas vdekjes së vulës së profetëve, Muhamedit ?, -i cili i mësoi ato nga Zoti- janë të shënuara në koleksionet e hadithit dhe në literaturën rreth shenjave të Kijametit, siç janë: “En-Nihaje” e Ibn Kethirit; libri “El-E?bãr el-mushã’ah f? eshrã?i’s-sãah” dhe kapitujt rreth trazirave dhe qedereve në koleksionet e hadithit. Këto mrekulli kanë ngjashmëri të madhe me mrekullitë e profetëve të mëparshëm.
Mirëpo ai ka një mrekulli të veçantë, gjegjësisht një mrekulli logjike të përhershme, të cilën Zoti nuk ia dha askujt prej profetëve, përveç tij. Ajo mrekulli është Kurani i Madhërishëm - Fjala e Zotit, të cilën e garantoi vetë Ai, andaj dora e falsifikimit nuk mbërrin dot te ky libër, e madje, edhe nëse dikush përpiqet ta ndryshojë qoftë vetëm një shkronjë, ai menjëherë zbulohet. Bëhet fjalë për miliona ekzemplarë të këtij libri që gjenden në duart e muslimanëve, e të cilët janë në përputhshmëri të plotë me njëri-tjetrin. Ndryshe nga ekzemplarët e Teuratit (Torës) dhe Inxhilit (Ungjilit); ata janë të shumtë dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo ngase hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët e patën për detyrë që t’i ruanin ata libra, i futën në ta duart e ndryshimit, shtrembërimit dhe falsifikimit. E sa i përket ruajtjes së Kuranit, Zoti nuk e ngarkoi askënd me këtë detyrë, mirëpo e garantoi vetë Ai, madhëruar qoftë!
Ashtu siç i Madhërishmi thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (Kurani, 15:9)
Prej argumenteve logjike që flasin për këtë të vërtetë, pra se Kurani është fjalë e Allahut dhe se Muhamedi ? është Profet i Tij është sfida që Zoti ua ka bërë jobesimtarëve kurejshë, atëherë kur ata, e përgënjeshtruan Muhamedin ? njëjtë sikurse përgënjeshtruesit e mëparshëm të profetëve, duke thënë se Kurani nuk është fjalë e Zotit. Mirëpo Zoti i vuri në sfidë: sillni në mundshi diçka sikurse ai, por ata nuk patën mundësi të bënin diçka të tillë, edhe pse ishte në gjuhën e tyre, ishin populli më elokuent, e në mesin e tyre kishin gojëtarët më të shquar e poetët më të dalluar. Pastaj vijoi sfida e radhës: sillni në mundshi vetëm dhjetë kaptina sikur ato të Kuranit, por sërish nuk patën mundësi. Pastaj sfida e fundit ishte: sillni në mundshi qoftë edhe vetëm një kaptinë si ato kuranore, por prapë nuk patën mundësi dhe kështu Zoti e nxori në pah paaftësinë e tyre.
E pra, as njerëz e as xhinë nuk kanë mundësi të sjellin diçka si Kurani, edhe sikur të ndihmoheshin ndërmjet vete.
I Larti tha: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.” (Kurani, 17:88)
Sikur Kurani të kishte qenë prej fjalëve të Muhamedit ? apo të dikujt tjetër prej njerëzve, atëherë edhe dikush tjetër prej gojëtarëve dhe elokuentëve do të kishte mundësi të sillte diçka të tillë. Mirëpo bëhet fjalë për fjalën e Zotit, vlera dhe lartësia e së cilës kundrejt fjalëve të njerëzve është si vlera e vetë Zotit kundrejt njerëzve.
Ashtu sikur që Ai nuk ka ndonjë shembull e përngjasim, njashtu edhe fjala e Tij nuk ka ndonjë të ngjashëm e krahasim. Kështu na bëhet e qartë se Kurani është fjalë e Allahut dhe se Muhamedi ? është i Dërguari i Tij; kjo ngase me fjalë të Zotit nuk paraqitet askush përpos një profeti të dërguar nga Ai.
Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Kurani, 33:40)
Zoti i Lartë thotë: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë.” (Kurani, 34:28)
Po ashtu Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Kurani, 21:207)
Kuptimi i përgjithshëm i këtyre ajeteve:
Në ajetin e parë, Allahu na tregon se Muhamedi ? është dërguar me mision profetik te mbarë njerëzimi, si dhe na dëfton që, me këtë profet i jepet fund misioneve profetike. Gjithashtu, na tregon se ai ishte përzgjedhja e duhur për këtë detyrë madhështore – që të bartë mesazhin hyjnor dhe të jetë vulë e profetëve. Në ajetin vijues, Allahu na flet edhe më shumë për misionin mbarënjerëzor të Profetit ?; profet për të gjitha racat dhe për të gjithë popujt. Allahu na e bën me dije gjithashtu se shumica e njerëzve nuk e njohin të vërtetën dhe se për këtë arsye kanë mohuar dhe kanë devijuar, duke mos e ndjekur rrugën e Profetit Muhamed ?.
Në ajetin e tretë, Zoti i flet kumtarit të Tij, Muhamedit ?; i tregon se ai është mëshira e Zotit për mbarë botët. Pra, ai është mëshira që Zoti Bujar e ka lëshuar për ne; kush e beson dhe e pason atë, ai kështu e ka pranuar mëshirën e Allahut dhe për të është parajsa, e kushdo që nuk e beson Muhamedin dhe nuk e ndjek atë, ai kështu e ka refuzuar mëshirën e Zotit të tij dhe për të janë zjarri dhe ndëshkimi i dhimbshëm.