Shtylla e tretë e Islamit: zekati - lëmosha e detyrueshme
Zoti i ka obliguar besimtarët që, kur pasuria e tyre të arrijë një sasi të caktuar - e quajtur nisab, të japin nga ajo pasuri, çdo vit, një përqindje të caktuar për të varfrit dhe të tjerët që, sipas Kuranit Famëlartë, e meritojnë lëmoshën - zekatin!
Për arin dhe argjendin duhet të jepet zekat; nisabi i floririt është 85 gramë (20 mithkalë), kurse ai i argjendit 595 gramë (200 dirhemë)! Duke u bazuar te vlera e arit dhe e argjendit, jepet edhe zekati i të hollave - monedhave valutë! Po ashtu, edhe për mallrat tregtare duhet të jepet zekat, nëse ato rrinë një vit pa u shitur dhe e arrijnë nisabin përkatës!
Allahu i Madhërishëm thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Kurani, 98:5)
Zekati u ofron skamnorëve një mirëqenie shpirtërore dhe materiale, kurse klasave të shoqërisë një mundësi që të afrohen ndërmjet vete!
Kjo fe, përveç zekatit, ngërthen në vete një tërësi përbërësish të tjerë që veprojnë në interes të çështjeve sociale e financiare të shoqërisë. Në Islam është e detyrueshme që, nëse një vend kaplohet nga uria dhe thatësia, të pasurit t’u dalin në ndihmë të varfërve; nuk është e lejuar që ti të ngopesh, ndërsa fqinji yt të mbetet i uritur; muslimani është i obliguar që, në ditën e festës së Bajramit, për çdo anëtar të familjes, madje edhe për fëmijën dhe shërbëtorin, t’u japë të varfërve lëmoshë (zekãtu’l-fitër) - sasia e të cilit është katër grushte (të bëra bashkë) nga ushqimi bazë i atij vendi.
Shtylla e katërt e Islamit: agjërimi
Bëhet fjalë për agjërimin e muajit ramazan, gjegjësisht agjërimin e muajit të nëntë hënor.
Forma e agjërimit
Para se të gdhijë agimi, agjëruesi e ndan mendjen që ta agjërojë atë ditë (e bën nijet). Sakaq, ndalet nga haja, pija dhe marrëdhëniet intime derisa të perëndojë dielli në fund të ditës. Ai e agjëron tërë muajin e ramazanit - adhurim për Zotin dhe përpjekje për të fituar pajtimin e kënaqësinë e Tij!
Të mirat e agjërimit janë të shumta e të panumërta. Dobia kryesore është: fakti se bëhet fjalë për vepër adhurimi e bindje ndaj Zotit. Robi e braktis epshin, ushqimin dhe pijen, vetëm e vetëm për hir të Zotit, ndaj agjërimi është një mundësi ideale e fisnikërimit të shpirtit dhe e forcimit të lidhjes me Allahun.
Allahu i Lartëmadhërishëm thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”; deri te fjala e të Madhërishmit: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Kurani, 2:183, 185)
Shtylla e pestë e Islamit: haxhi – pelegrinazhi
Duhet që një herë brenda jetës të bëhet pelegrinazh në Shtëpinë e Shenjtë - Qabe. Kjo vepër mund të përsëritet në mënyrë vullnetare. Haxhi ka shumë dobi:
E para: Është një vepër ku shpirti, trupi dhe pasuria bëhen bashkë për ta adhuruar Zotin!
E dyta: Aty, në një vend, në një kohë e me një lloj veshjeje, mbarë muslimanët bëhen bashkë që ta adhurojnë të vetmin Zot. Çdo lloj dallimi ndërmjet tyre bie poshtë: pari e popull; pasanik e fukara; të bardhë e të zinj; të gjithë paraqiten si krijesa dhe robër të Allahut. Aty muslimanët njihen ndërmjet vete dhe krijojnë ura bashkëpunimi. Pamjet me plot turma ua sjellin ndërmend atyre ringjalljen dhe tubimin e llogaridhënies, ndaj edhe motivohen që të bëhen gati e të bëjnë vepra të mira.
Urtësia dhe qëllimi i rrotullimit përreth Qabes - në drejtim të së cilës falen muslimanët, dhe i qëndrimit në Arafat, Muzdelife, Mina e gjetiu në Mekë, është që t’i bëhet adhurim Zotit të Madhërishëm - në vende të shenjta, ashtu siç ka urdhëruar Ai.
Assesi Qabja, vendet e shenjta dhe krijesat në tërësi, nuk adhurohen. As dëm e as dobi nuk pritet prej tyre! Në të vërtetë, adhurimi i takon vetëm Allahut - vetëm nga Ai vjen dobia dhe dëmi! Sikur urdhri i Zotit të mos ishte që pelegrinazhi të bëhet në Qabe, atëherë shkuarjet atje nuk do të ishin të vlefshme. Kjo ngase adhurimi nuk bazohet në logjikë e në teka, po në urdhëresat e Zotit, qofshin të përmendura në Kuran apo në traditën profetike.
Allahu i Madhërishëm thotë: “...dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Kurani, 3:97)
Pelegrini përgatitet materialisht me pasuri të pastër - hallall, dhe i shmanget pasurive dhe fitimeve të ndaluara - haram, ngase për pasojë të tyre, mund të mos i pranohen pelegrinazhi dhe lutjet.