BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re! Te mjafton pritja e deritanishmeShprehite e njerezve te suksesshemSuksesi eshte udhetimBuze deshtimeve korren ngadhenjimetDeklaratat e te influencuarveProjekti yt personal Kandilet ndricues Kujtime nga te medhenjte Rrefime te te pareve Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
 Te mjafton pritja e deritanishme
Te mjafton pritja e deritanishme
Dr. Mishal Felahi

 Të mjafton pritja e deritanishme


Të shumtë janë ata që ndalen përgjatë rrugës së jetës, në pritje të 'anijes së shpëtimit'.  Të tillëve u shkon koha si zakonisht, ndërkohë që janë duke pritur. Për ta, më e udhës do të ishte po të shkonin vetë drejt anijes, pa e pritur atë diku në skajet e rrugës që t'u vijë.

Sigurisht, kjo pritje ua çon dëm kohën, ëndrrat dhe gjëra të tjera të shumta. Ndërkohë, jeta e njeriut e merr formën e saj përmes atyre hapave me të cilat i futet rrugës në planetin Tokë, drejt projektit, synimit dhe misionit madhështor që ëndërron të realizojë. 

Të shumtë janë ata që presin ndonjë ndodhi mbinatyrore që t’ua ndryshojë rrjedhën e jetës së tyre, ose ndonjë fat të madh që ua përmbush të gjitha shpresat. Me këtë shpresë, ata vazhdojnë të presin ende!

Fatkeqësia më e madhe në jetën e njeriut është kur ai mendon se ekzistojnë njerëz që e kanë mundësinë ta shpien atë drejt botës së ëndrrave! Apo të atillë që e nxjerrin atë nga balta ku ka rënë për drejt majës së lartë tokësore!

Njeriu është i vetmi në tërë rruzullin tokësor që mund t'ia kapë dorën vetes, dhe me të, të udhëtojë drejt botës së aspiratave. Ai mundet që me shpirtin e tij t'i brohorasë përqafimit të lavdisë, edhe nëse nuk gjen rreth vetes dikënd që i qëndron pranë, apo që e ndihmon në rrugëtimin e tij, apo që e duartroket me tërë forcën.

Është për t'u habitur shumë se si ai, pavarësisht faktit se në jetën e tij i zotëron të gjitha erërat që fryjnë fuqishëm në tërë universin, prapëseprapë i duhet dikush që ta shtyjë përpara për ca hapa, në mënyrë që të krijojë të ardhmen dhe të ndërtojë shpresën e tij në jetën reale!!

Një natë, një njeri doli për të shëtitur dhe, teksa po ecte, rrugës pa një njeri tjetër që po kërkonte nën dritën e njërës nga shtyllat elektrike, diçka që i kishte humbur. E pyeti: “Çfarë të ka humbur?” Ai iu përgjigj: “Një çelës.” Kalimtari i ofroi ndihmë, dhe kështu, që të dy vazhduan duke kërkuar në gjunjë zvarrazi për gjënë e humbur. Pas orëve të tëra kërkimi, kalimtari i tha shokut të tij: “Kërkuam në çdo vend dhe nuk gjetëm gjë. A je i sigurt se e ke humbur atë pikërisht në këtë vend?” Burri iu përgjigj: “Jo more! Çelësi më ka humbur diku në shtëpi.” Kalimtari e pyeti i çuditur: “E përse po e kërkon këtu atëherë?” Ai iu përgjigj: “Epo, drita këtu është më e fortë.., këtu nën këtë shtyllë elektrike..!”.

Ky tregim është shembulli më i përafërt me atë njeri që i ka vetë elementet e suksesit, e megjithatë vazhdon të kërkojë dikë që t'ia kapë dorën e ta shtyjë drejt botës së ëndrrave.

Ka ardhur momenti. Nuk ka nevojë për zvarritje apo pritje. Kthehu tek vetja dhe tek thellësitë e shpirtit tënd, sepse vetëm aty është anija e shpëtimit për të cilën je duke pritur.

Ti, në këto momente, ke mundësi t'i braktisësh të gjitha arsyetimet e vonesave dhe ngecjeve në jetën tënde. Ke mundësi të fillosh shkrimin e historisë sate, pa i varur shpresat në pritjen e të pasigurtës. Duhet ta kesh të qartë se e tërë jeta jote është rezultat i zgjedhjeve që ke bërë në njërën nga ditët e tua. 

Prej këtij momenti duhet të ndalesh nga çdo bisedë në të cilën ankohesh për të kaluarën, ku i vajton momentet e dështimit dhe i justifikon rastet e sfidave.

Çdo lloj realiteti që sheh sot në jetën tënde, është prej dorës sate, çfarëdo qoftë përfundimi i saj; qoftë edhe një dështim tepër i madh. Zgjidhja nuk qëndron në ankesën e hidhur, as në fajësimin e të tjerëve dhe as në të diskutuarit rreth pengesave të rrugës. Ajo qëndron në të ngriturit prej rënies, në të zhvendosurit prej asaj pike ku je ndalur dhe në plotësimin e tregimit të ëndrrës madhështore. 

Vazhdoje projektin tënd që tani, dhe mos u brengos për pengesat që të shfaqen përgjatë rrugës. Dije se ditët kanë për ta shkruar historinë e suksesit, për të cilën do të duartrokasin turmat në të ardhmen.

Jeta na ka mësuar se ne kemi mundësi t'i ndërtojmë edhe tregimet e umetit, jo vetëm tonat! Mirëpo, problemi qëndron në faktin se ne i varrosim këto mundësi në botën e frikës e të merakosjes, dhe ua dorëzojmë mendjen tonë të tjerëve, që abuzojnë me të siç ua ka qejfi. E më pas, kur biem në baltën e realitetit të hidhur, kthehemi nga ata, por nuk i shohim; i kërkojmë, por nuk i gjejmë. Është e drejtë e tyre të largohen, sepse ai që nuk mund të marrë vendim për veten, nuk mund të kërkojë llogari prej atyre që ia kanë mbathur.

Sidoqoftë, harroje tërë këtë. Ti ndalu me veten tënde në këtë moment, duke e mbushur atë me shpresë të pafund. Fryji në të shpirtin sfidues dhe ujite atë prej vendosmërisë sate, aq sa t'i mjaftojë për të luftuar me gjëra të ndryshme në ditët vijuese. Tregoji vetes, se të gjithë ata që sheh duke gëzuar përfundime madhështore në jetët e tyre, janë rrëzuar gjithashtu në gjysmë të rrugës, janë përballur me vështirësitë e orvatjes dhe kanë përjetuar majat e dhimbjes. Megjithëkëtë, ata nuk i janë dorëzuar asnjëherë dhimbjeve të tilla dhe nuk janë zbrapsur kur janë gjendur përballë pengesave. Përkundrazi, ata kanë rifilluar duke e përmirësuar udhëtimin dhe duke e shkruar fatin e tyre nga ajo rrugë edhe një herë.

Mos prit më! Mjaftojnë ato çaste të shkreta, të cilat i ka humbur pritja nga jeta jote. Deri tani, nuk di ndonjë pritje që t'ia ketë zgjatur jetën njeriut apo t'i ketë shtuar diçka të re, sado e rëndësishme të ketë qenë vlera e saj. Mjafton që ajo ia ka vonuar atij udhëtimin, ia ka ngadalësuar projektin, dhe me kalimin e kohës, i ka nxjerrë probleme të reja që e kanë zgjeruar boshllëkun ndërmjet shpresës dhe përmbushjes së synimit. Mjafton kjo si dëshpërim në jetën e njeriut!

Pritja është shenjë dobësie e frike nga të ballafaquarit me të panjohurën. Kjo nuk duhet të jetë kronikë në jetën e atij që ka projekte për të ardhmen. Ti duhet të besosh se sfida dhe aventura e panjohur janë pjesë e një udhëtimi që kryhet sipas mistereve që takon përgjatë rrugës dhe sipas përafrimit të distancave të largëta e të tejskajshme. 

Për çdo ditë, përvojat na mësojnë se një pjesë e jetës madhështore nuk shtrihet tjetërkund, pos mbi krahun e aventurës, në ndërmarrjen e gjërave të panjohura, në të trokiturit me forcë në dyert e mjegullta. Dhe pikërisht këto kuptime përbëjnë diferencën në jetën e madhështorit mes njerëzve në planetin Tokë.

Të nxis që të krijosh jetën sipas mënyrës që dëshiron. Mos lejo që rrugën e së ardhmes tënde ta përcaktojë mendimi i ndokujt, kushdo qoftë ai, përpos në suazat e asaj që e shtyjnë përpara ambicien tënde dhe që e zgjerojnë rrethin e imagjinatës sate. 

Jeta që krijojmë sipas mënyrës sonë të veçantë, në fund rezulton të jetë pasqyrim i personalitetit dhe e qartëson me kthjelltësi rolin tonë. Në këtë mënyrë, ajo shkruan tregimin që vetë ne kemi dëshiruar, e jo ato shpresa që i kanë ndërtuar të tjerët. 

Më beso, shumë prej të dështuarve janë pre e të ndaluarit të gjatë në jetën e tyre; i ndaluan projektet nga të menduarit dhe shpirtrat nga të aspiruarit. Nuk hapën asnjëherë ndonjë horizont të jetës së çmuar dhe as nuk zgjeruan territore në hapësirën e atyre shpresave. U kaluan vitet nga jeta dhe synimet e projektet e tyre nuk bënë asnjë hap përpara. 

Të lutem, mos prit më! Mjafton vonesa e deritanishme. Të mjafton dhimbja që përreth vetes ke shumë kalimtarë që ecin drejt synimeve të tyre, ndërsa ti vazhdon të jesh ende në fazën e pritjes.




Pishtar: Nëse rruga është e lirë, atëherë çfarë pret?!

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com