Bonjakët që ndryshuan rrjedhën e historisë
Shumë njerëz, po u fole diçka për suksesin, përparimin dhe arritjen e aspiratave të larta, të zhgënjyer nga gjurmët e së kaluarës, do të të thonë: “Të gjitha këto modele që ti i sheh dhe të duken se pasqyrojnë suksesin, janë pikësëpari pasqyrim i familjeve të përsosura që u kanë ofruar atyre çdo gjë për të cilën kanë pasur nevojë. Pastaj, s’do mend se të tillët e kanë arritur atë që kanë pasur dëshirë pa ndonjë lodhje të madhe...”. Pra, kështu të thonë. Por, ç’është e vërteta, kjo është vetëm një hamendje e cila as përrallë nuk mund të quhet dhe, jo vetëm që s’ka të bëjë fare me realitetin, por është edhe gënjeshtër sepse nuk bazohet në ndonjë përvojë reale.
Ajo që e vërteton këtë që po them, është se një pjesë e madhe e atyre që kanë lënë gjurmë në histori, që kanë regjistruar në të sukseset dhe kanë realizuar shpresat e tyre, janë bonjakë që nuk kanë pasur baballarë për t’u kujdesur për ta dhe për t’u dhënë kurajë për të vazhduar përpara. Të tillë ka shumë; pra, prej atyre që nuk e njihnin historinë e edukimit të mirëfilltë, madje as derën e shkollës nuk e kanë parë ndonjëherë. Këta, në fund shkruan: “Prejardhja e njeriut nuk ia shkurton aspak distancën prej ëndrrës së tij.” Andaj, hiqju këtij iluzioni të pavërtetë, sepse ti je më i madh sesa të merresh me gënjeshtrat që qarkullojnë nëpër mendjet e dembelëve më shpejt se gjaku nëpër damarë.
Deri në këtë çast, nuk di sëmundje më të rrezikshme në jetën e njerëzve sesa iluzionet - kjo fantazmë që ka shkatërruar një numër të madh njerëzish duke qenë gjallë. Në rreshtat në vijim do të t’i shpalos disa modele të njerëzve që i refuzuan këto iluzione dhe ndërtuan vetet e tyre prej asgjësë. Të tillët shkruan: “Suksesin e përcakton vendosmëria e shpirtit, çfarëdo qofshin rrethanat dhe realiteti që të rrethojnë”:
Një rast ilustrues është Gazaliu, i cili ndonëse humbi babanë në moshë të vogël dhe kujdesin për të e mori përsipër njëri nga të afërmit e tij, ai e refuzoi idenë se suksesi trashëgohet nga afërsia farefisnore apo blihet me para. Në fund, jetimi e realizoi ëndrrën, e shkroi historinë, e regjistroi përvojën e vet, la pas vetes emrin e mirë dhe u bë një prej mendimtarëve më të mëdhenj në Islam.
Në fakt, baballarët s’kanë mundësi t’ua realizojnë ëndrrat atyre që kanë ambicie të dobëta, e as t’i shtyjnë përpara për t’u bërë burra, në qoftë se ata vetë nuk i kanë bazat për të ecur me këmbët e tyre.
Një rast tjetër suksesi është Ibn Xhevzi, i cili kishte një fëmijëri të ngjashme. Ai mori përsipër të paguante çmimin me djersën, lodhjen, mundin dhe jetën e tij, në mënyrë që ditët që e prisnin t’i sillnin nderin që po kërkonte. Vullneti i tij vazhdoi ta çonte atë përpara, derisa shkroi këto fjalë: “I mençuri duhet të synojë kulmin e asaj që mund të arrijë. Andaj, në qoftë se birit të Ademit do t’i jepej mundësia të ngjitej në qiell, qëndrimin e tij në tokë do ta konsideroja prapambetjen më të shëmtuar.”
Në vazhdim, ai tregon: “Isha në moshë të re kur merrja me vete somune të thata dhe nisesha për të mbledhur hadithe. Nuk kisha mundësi t’i haja ndryshe, përveçse pranë ujit: ulesha pranë lumit Isa dhe sa herë që haja një kafshatë nga somunet, e përcillja me një gllënjkë ujë (që të kisha mundësi ta përtypja), ndërkohë ambicia ime nuk shihte tjetër pos ëmbëlsisë së kërkimit të diturisë.”
E njëjtë është edhe historia e imamit të ehlu sunetit, imam Ahmedit (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë!). Ai jetoi si jetim dhe nuk kishte tjetër pos nënës së tij që të kujdesej për të. Por, prej kur vallë bonjakëria na pengoka nga ambiciet e larta?! Në fund, imam Shafiu me të drejtë tha: “E lashë Bagdadin dhe nuk lashë pas vetes njeri më të mençur, më të ruajtur, më zahid, më të pajisur me dituri dhe zënie përmendësh sesa Ibn Hanbeli.”
Libri i tij “Musnedi”, i cili përmban më shumë se dyzetmijë hadithe, vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e gjurmëve që ai ka lënë mbi faqen e dheut. Ndërsa kur shkoi nga kjo botë, dikush nga shkruesit e biografisë së tij tha: “Njerëzit s’kanë parë ndonjëherë skenë më madhështore sesa turma që përcolli xhenazen e tij.”
Më tej është rasti i Buhariut, imamit dhe dijetarit të njohur të hadithit, autorit të librit më të saktë në gjithë dynjanë, pas Librit të Allahut të Gjithëdijshëm. Edhe ky kaloi nëpër të njëjtin rrugëtim: ndonëse u rrit jetim, humbja e babait nuk e pengoi për ta ndërtuar historinë e tij kaq të bujshme, saqë Ibn Huzejme duke shkruar për të thotë: “Nuk kam parë dikë nën këtë qiell, më të ditur për hadithin e të Dërguarit të Allahut ? dhe më memorizues sesa Buhariu.”
Ka thënë të vërtetën ai që është shprehur: “Një çast lavdie vlen sa një jetë pa lavdi.”
As tregimi i Shafiut jetim nuk është larg. Edhe ai u rrit jetim, pa baba. Me plot përpjekje thurte udhëtim pas udhëtimi (në kërkim të diturisë), saqë për të, i biri i imam Ahmedit e pyeti njëherë babanë e tij: “O baba! Çfarë njeriu ka qenë Shafiu? Të kam dëgjuar shpesh të lutesh për të.” Ai ia ktheu: “O biri im! Shafiu ka qenë sikurse dielli për botën, ka qenë mëshirë për njerëzit.”
I tillë ishte edhe kolosi i dijes, dijetari i hadithit dhe i fikhut në vendin e dy haremeve - në Arabinë Saudite - Ibn Bazi, i cili ishte prej modeleve bashkëkohore që dëshmojnë se nevoja e njeriut për ambicie të larta, në shumë raste e tejkalon domosdoshmërinë e kujdesit dhe udhëzimit nga ana e familjes.
Të vërtetën e ka thënë Mutenebiu, të cilin nuk e pengoi varfëria për të arritur piedestalet, ndaj edhe thuri poezi:
“Në syrin e të voglit, zmadhohet e vogla,
përderisa e madhja, në syrin e të madhit, duket si e vogla.”
Mandela, i cili dëbohej nga vendi për luftën e tij për liri, shkroi: “Në këtë botë, madhështia nuk qëndron asnjëherë në mosrrëzimin, por në ngritjen pas çdo rrëzimi.”
I jap të drejtë vetes këtu, që të rënkoj për çdo të dobët, frikacak dhe iluzionist i cili mendon se burrat nuk mund të lënë gjurmë në histori, përveçse përmes baballarëve të tyre, kamjes apo ndihmësve! Vaj halli për burra të tillë!
***
Pishtar: Eja drejt ambicieve të njerëzve të mëdhenj!
***
Kuranin dhe sunetin, sipas kuptimit të gjeneratave të para të muslimanëve nga sahabët, tabi’inët dhe tabiu’tabiinët (pasuesit e sahabëve dhe pasuesit e këtyre të fundit).
Zahid: njeri që kënaqet me një jetë të thjeshtë dhe modeste dhe nuk ngarend pas shtimit të pasurisë dhe pas dynjasë, duke i kushtuar rëndësi të madhe jetës shpirtërore dhe adhurimeve të fshehta.
Fikh: shkenca që merret me studimin e dispozitave sheriatike, që ndërlidhen me veprat që i vihen në barrë besimtarit apo që i ndalohen, dispozita të cilat nxirren nga argumentet përkatëse sheriatike, përkatësisht: harami, hallalli, mustehabi, mekruhu dhe mubahu (pra: e ndaluara, e lejuara, e pëlqyeshmja, e urryera dhe e paqortueshmja).
Dy haremet (haramejn): xhamia e Pejgamberit Muhamed ? dhe xhamia e shenjtë, Qabja.