Buzë dështimeve korren ngadhënjimet
Vështirësitë janë shpesh pengesa të suksesit Por a mund të imagjinohet që njeriu të hasë në vështirësi duke qëndruar ulur? Apo të rrëzohet duke qenë i shtrirë? Kurrsesi! Në momentin kur përpiqesh dhe ballafaqohesh me vështirësi, pikërisht ky është çasti i triumfit të vërtetë në jetën tënde. Ky është momenti i një fillimi madhështor.
Rastet kur njeriu rrëzohet pas përpjekjes, janë momente në të cilat jeta e tij ka filluar të shkojë drejt lavdisë. Sekretet e suksesit janë të fshehura në hapin e guximshëm pas dështimit, pas ngritjes nga pluhuri i rrëzimit dhe marrjes së kafshatës së fitores nga goja e disfatës së idhët.
Kërkoje mundësinë në çdo moment kur has në vështirësi. Kërkoje vrimën e vogël të gjilpërës, se ndoshta aty është fillimi i rrugëtimit tënd madhështor në planetin e jetës.
Suksesi është produkt i situatave të vështira. Sa e sa herë sprovat na turbullojnë shikimin e mundësive! Duhet të besosh se në katastrofat e mëdha fshihen mundësi pozitive, që ato i sjellin me vete për të të çliruar ty në kohërat e vështira.
Të gjitha betejat në të cilat futet njeriu përgjatë jetës së tij, janë të mbështjella me fitore dhe mbarësi. Si në rastet kur e arrin qëllimin e tij në fund, si në rastet e disfatës, kur i ngushtohen frymëmarrjet herë pas here, të gjitha janë triumf për të. Me rëndësi është që ai të mos ndalet, i ndikuar nga çasti i zhgënjimit apo shpresëhumbur nga sfidat e fitores.
Kush të ka thënë o njeri, se dështimet janë fundi i historisë tënde? Kush të ka thënë se pengesat janë fundi i rrugës? Kush ta ka pikturuar zymtësinë e aktualitetit dhe të ka bindur me mbulojën e disfatës në jetën tënde?
Lëri të gjithë ata, sepse nuk do të gjesh kurrë një të sëmurë që arrin t'i shërojë të tjerët. Ngrihu, i mbushur plot me shpresë! Ngrihu dhe zhytu edhe një herë, sepse shpresa dhe mundësitë e suksesit janë shumë më të gjera sesa ato që u përmendën!
Po të shijohej ëmbëlsia e ngadhënjimeve qysh në fillim, aroma e tyre nuk do të ishte aq e këndshme, e as shija e tyre nuk do të ishte aq e ëmbël për çdonjërin. Zhgënjimet që të kaplojnë përgjatë rrugës dhe dështimet me të cilat ballafaqohesh, janë sekreti i kënaqësive dhe mrekullitë e përfundimeve.
Kush të ka thënë se guximi yt ka humbur me atë rrëshqitje, se fuqia jote është dobësuar me atë përpjekje, apo se koka jote është ulur nga ajo mposhtje?!
O njeri, këto momente janë fillet e një gëzimi në jetën tënde!
Në çastet e thyerjes, ti, me përpjekjen tënde, je njeri. Me orvatjen, je gjigant. Para kësaj kanë dështuar edhe njerëz të rëndomtë, të cilët nuk kanë kurrfarë lidhjeje me përpjekjen, aktivitetin, të dalluarit, të shquarit e të triumfuarit. Prandaj, si ka mundësi që këto zhgënjime po e frenojnë vrullin tënd? Si ka mundësi që këto dështime po ndikojnë në ty?!
Ngrihu dhe filloje shtegtimin tënd jetësor! Filloje projektin tënd madhështor në këtë jetë! Ngrihu, përpiqu dhe ngjalle shpresën në veten tënde nga e para! Ngrihu, se triumfi është afër sa ‘dy harqe apo edhe më afër'. Ngrihu, sepse profeti yt (s.a.v.s) të ka ngushëlluar, qetësuar e përgëzuar: “Dhe dije se fitorja vjen me durimin, fatkeqësia vjen me gëzimin, dhe vështirësia vjen me lehtësimin.”
Ngrihu, sepse po të ishte triumfi, mbarësia dhe suksesi diçka e lehtë, që vjen pa u derdhur djersë për të e pa u përpjekur, atëherë nuk do të shijonte aq ëmbël veçse në gojët e dembelëve!
Ngrihu, sepse për Zotin, po të ishte ngadhënjimi një gjë lehtësisht e arritshme në jetën e çdokujt, atëherë nuk do të flisja asgjë rreth këtyre ëndrrave!
E zëmë se more pjesë në një garë dhe dështove. Ose të goditi një fatkeqësi në trupin tënd dhe të paralizoi. Apo të zuri në befasi ndonjë krizë financiare dhe të varfëroi. A u shkatërrua bota? A u ndryshua gjë kozmosi? A u ndërrua toka? Jo, aspak. Mundësitë vazhdojnë të shfaqen përsëri nga e para. Sado që të zgjatet errësira në jetën tënde, pas saj vijnë çastet e një agu mëngjesor i cili përhap rrezet e dritës së vet dhe e shkruan bardhësinë mbi atë errësirë. Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Nuk ndodh që besimtarin ta godasë ndonjë sëmundje, dobësi, ligështi, mërzi apo shqetësim, që e bren përbrenda, e që të mos i jenë fshirë disa prej mëkateve të tij me të.”
Ngrihu, sepse atë audiencë që e pe duke ndjerë dhembshuri e keqardhje për gjendjen tënde në ato momente thyerjeje, po atë audiencë, e ndoshta edhe më të madhe sesa ajo, do ta shohësh më vonë të qeshur e të mrekulluar me ty, të ngazëllyer prej atyre çasteve të rilindura në jetën tënde. E njerëzit nuk i shtyn asgjë drejt mrekullimit me diçka e as lartësimit të diçkaje, veçse ngadhënjimet e rrëmbyera nga buzët e greminave të dështimit.
Nuk është me rëndësi numri i pengesave që gjen përgjatë rrugës së lavdisë, e as incidentet që përjeton përgjatë jetës. Me rëndësi është që tek ti të mos gjejë vend plogështia, e zemrën tënde ta kaplojë ndonjë moment dobësie! Duhet të kujdesesh për forcën tënde të brendshme, sado që të jetë numri i pengesave të jashtme në aktualitetin tënd. Dëshira jote duhet të mbetet e fortë, edhe në qoftë se trupi yt haset me barrierat më të rënda të rrugës.
Në jetën time, deri në këto momente, nuk di të kem korrur ndonjë fitore timen lehtësisht nga jeta, kurrë! Nëse një njeri e arrin një gjë të tillë në jetë, atëherë ai nuk meriton duartrokitje; sepse ajo fitore ka lindur e vdekur, dhe si e tillë nuk përmban në vetvete momente madhështore gëzimi. A ke hasur ndonjëherë përgjatë historisë, se njerëzit, të ngazëllyer, i kanë duartrokitur buzëqeshjes së fatit, pa mund, të një personi? Kurrë!
Fitorja e vërtetë, ngadhënjimi që arrin t'i mrekullojë krijesat, që meriton duartrokitje të zjarrtë dhe që i përkul kokat e njerëzve, është ai që i vjen njeriut pas rënies; është ngadhënjimi i atij që ngrihet pas rrëzimit dhe ulërin pas zhgënjimit. Vetëm ky është ngadhënjimi që të dhuron prej shpirtit, çiltërsisë dhe burimit të emocioneve të tij, çaste gëzimi e ngazëllimi.
Këto fitore janë të pamundura për pesimistët, dembelët, për ata që shpresojnë arritjen e niveleve të lumturisë duke qëndruar shtrirë mbi dyshekët e mëndafshtë. Për autorin e fantazive të tilla, historia e tij nuk ka hasur kurrë në fat. Në të vërtetë, fati u përket optimistëve që shohin dritën e fshehur ndër errësirat e zymta, dhe që e ndiejnë shpresën.
Luftëtari i lirisë, Mandela, pasi mbushi njëzet e shtatë vjeç, duke qenë i burgosur prapa hekurave për vite të tëra, të cilat nuk arritën ta bëjnë të heqë dorë nga parimet e tij, pas lirimit, shkroi:
“Në ato kohë isha i lënë mënjanë, por e dija shumë mirë se nuk do të hiqja dorë nga beteja. Isha në një mjedis ndryshe dhe të vogël, ku, edhe pse ishim shumicë, na burgosën. Megjithatë, ne e pamë betejën me të cilën ballafaqoheshim brenda burgut si një tërësi, sepse po i njëjti racizëm që mbretëronte brenda, gjendej edhe jashtë; persekutimi që ndodhte aty, ishte identik me atë që zhvillohej edhe jashtë. Por, pavarësisht kësaj, nuk e mendova asnjëherë seriozisht mundësinë që një ditë nuk do të dilja nga burgu. E dija se do të vinte dita në të cilën do të ecja si një njeri i lirë, duke e ndjerë edhe një herë barin nën këmbët e mia, dhe duke ecur nën rrezet e diellit, sepse unë jam rrënjësisht njeri optimist. Një pjesë e këtij optimizmi është kur njeriu e mban kokën e tij drejt diellit dhe këmbët i lëviz përpara. Kishte momente të shumta të errëta në të cilat besimi im në njerëzimin u testua rëndë, por nuk doja dhe nuk mundja t'ia dorëzoja veten dëshpërimit. Kjo për mua nënkuptonte disfatë dhe vdekje.”
E çfarë mund të thotë një besimtar në Allahun e Lartësuar, i cili e ka parasysh thënien e profetit të tij (s.a.v.s) : “... Dhe dije se ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të mos të të godasë, dhe ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë”?!
Të Allahut janë diamantet e shpirtrave të njerëzve, kur në to ndizen fenerët e optimizmit. Ata nuk i nënshtrojnë prangat e hekurta me të cilat lidhen, as grilat që bëhen pengesë mes tyre dhe dritës së shpërndarë në tokë, dhe as errësira që ndërhyn mes tyre dhe shpresës.
Pishtar: Dështimi është mësim që nuk duhet provuar qëllimshëm.