BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re! Lëri brengat dhe fillo të jetosh!Sekreti i fitoreveRrefim zemre Te mjafton pritja e deritanishmeShprehite e njerezve te suksesshemSuksesi eshte udhetimBuze deshtimeve korren ngadhenjimetDeklaratat e te influencuarveProjekti yt personal Kandilet ndricues Kujtime nga te medhenjte Rrefime te te pareve Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
 Lëri brengat dhe fillo të jetosh!
Lëri brengat dhe fillo të jetosh!
Dr. Mishal Felahi

Leri brengat dhe fillo të jetosh!


Sa madhështore bëhet jeta kur është e mbushur me shpresë! Sa e bukur është ajo kur mbushet me synime! 

Më beso, jeta është shumë më e gjerë sesa mendon, dhe shumë më e madhe sesa kujton!

 A mendon se të janë ngushtuar shpresat deri në atë masë, sa t'i ngjasojnë vrimës së gjilpërës?! Kush ta tha këtë? Kush ta mbushi mendjen për mantelin e të sëmurëve?

Ngrihu o njeri, se ti je bir i ditës tënde të sotme! Përse po e sjell ndërmend të nesërmen, ndërkohë që ajo është ende enigmë? Kush të ka thënë se të është afruar fundi? Kush të ka pëshpëritur në vesh se fati yt është dështimi? As i pari nuk mund ta dijë fundin e tij, dhe as i dyti nuk mund ta dijë caktimin e tij. Prandaj, si ka mundësi që të sulen kaq shumë, sikurse ato fluturat që, të joshura nga drita, mësyjnë drejt zjarrit dhe gjejnë shkatërrimin e tyre? Ata janë më të paditurit në lidhje me fatet dhe jetët e tyre. Ç'lidhje ke ti me ata rrenacakë e trillues, që flasin për çështjet e Allahut të Lartësuar pa pasur dije?

Në këtë ditë që je duke frymuar, ky moment i yti tani është jeta, ekzistenca, historia jote! Të ftoj, pikërisht në këtë moment, që t'i mbyllësh dyert e së shkuarës me tërë ato që ajo përmban, dhe në të njëjtën kohë t'i zhdukësh prej syve të tu dyert e së nesërmes.

Jetoje ditën tënde me ëndrrat, shpresat dhe haretë e saj! Më beso, lumturia jote, sekreti i dëfrimeve të tua, jeta me optimizëm dhe me ëndrra, është e fshehur në të tashmen që e ke pranë vetes.

Të ftoj tani, që derës së kujtimeve të së djeshmes t'ua vësh dryrin. Edhe derës së shpresave për të nesërmen, po ashtu. Të ftoj të jetosh vetëm momentet e tashme. Në këtë mënyrë, ti ke për të gjetur shpresën si ndërmjetësen më të përsosur për zemrën tënde.

Të ftoj në këto çaste që të dalësh nga kafazi i iluzionit dhe i dobësisë. Dil në planetin e pakufizuar! Mos u ndal në mes të rrugës! Kush të prangosi me këto iluzione? Kush të fundosi në kujtimet e së djeshmes dhe t'i fshehu ëndrrat e së nesërmes?

Çastet e këndshme që po jeton tani, janë bota për të cilën je duke kërkuar, dhe për të cilën i bihet tokës rreth e qark.

Ngrihu dhe lexoje hadithin e të dërguarit (s.a.v.s.) që thotë: “Dhe dije se ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të mos të godasë, dhe ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë”!

Ç'ke që i vajton kohët e shkujdesjes? Lëri mënjanë mërzitë dhe momentet e pikëllimit! Mbylli dyert e së shkuarës me të gjitha gjërat që ajo përmban. 

A e di se si t'i mbyllësh? Mos mendo për të! E nëse ajo të kaplon, atëherë futju projektit tënd për të cilin të kam folur, dhe braktise të shkuarën sepse ajo ka për t'u larguar medoemos.

Këto çaste të errëta që je duke përjetuar tani në mendjen tënde, nuk janë gjë tjetër veçse fantazi; s'janë tjetër veçse mani të cilat përpiqen ta nënshtrojnë ndjenjën e shpresës. Këshilla ime për ty është që të ngrihesh nga shtrati dhe të shohësh hapësirat e pafundme dhe shpresat që t’i ofron jeta. 

Ç'ke që mendohesh në rastet e dështimit? Dështimi yt i së shkuarës është përvoja jote e guximshme në jetën aktuale.

Ç'ke me sëmundjet që të kaplojnë dhe me sprovat që të lëkundin? Ato nuk janë tjetër, veçse dhurata që përcaktimet e Allahut i sjellin tek ti.

A nuk e ke dëgjuar hadithin e profetit (s.a.v.s.) që thotë: “Nuk ndodh që besimtarin ta godasë ndonjë mundim, pikëllim a brengë, e madje as ta shpojë ndonjë ferrë, e që me to Allahu të mos ia falë gabimet e tij.”?

A nuk e ke dëgjuar zërin e lexuesit të hadithit të profetit (s.a.v.s.), që thekson: “Njerëzit që më së shumti sprovohen, janë profetët, pastaj njerëzit e mirë, e kështu me radhë. Njeriu sprovohet sipas besimit të tij. Nëse besimin e ka të fortë, i shtohen sprovat... derisa ta takojë Allahun pa pasur asnjë mëkat.”?

Ngrihu, se këto sëmundje, mërzi, sprova e dhimbje nuk janë gjë tjetër veçse pengesa në të cilat mbështetesh, në mënyrë që të vazhdosh rrugën drejt lumturive. Sa e sa çaste dhimbjesh të sjellin në fund momente të tëra gëzimi e hareje?! 

Ngrihu dhe hiqe qafe shtratin e ligësisë! Ngrihu që të shohësh rrezatimin e diellit në agun e mëngjesit të tij, dhe universin që lulëzon në më të bukurën formë! Ëndrrat e së tashmes janë shumë më të mrekullueshme sesa kujtimet e së djeshmes!

Jeta e kësaj bote, sado e gjatë të jetë, në fund mbetet thjesht një përjetim që kalon e shkon, dhe nuk ekziston asnjë gjendje vuajtjeje sot, që nuk e ka pikën e takimit me momentet e gëzimit në ditët pasuese.

A e di se kush është i lënduari në këtë jetë? Është ai që nuk pajtohet me caktimin e Allahut të Lartësuar, ai që rri ulur në shtratin e fantazive. Ndërsa besimtarit që pajtohet me caktimin e Allahut të Lartësuar, nuk i cungohet aspak gjendja emocionale, pa marrë parasysh problemet që i dalin në jetën e tij.

Ç'ke që e kthen kokën pas? A nuk ke dëgjuar se edhe një njeri i paralizuar tërësisht, mund ta shëtisë botën anembanë duke synuar përmbushjen e nevojës së tij, përhapjen e idesë së tij dhe shkrimin e historisë së tij sipas ambicieve që ka?

Ngrihu, se edhe ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm kanë arritur ta shndërrojnë burgun e tyre në vend lumturie! Ata, edhe në momentet më të errëta dhe në netët më të zymta të jetës, kanë arritur t'ia diktojnë vetes llojet e dhuratave më të mrekullueshme.

Ngrihu, se të sëmurët e vërtetë janë ata që vuajnë nga sëmundja e shpirtrave dhe brengave! Vetëm për këta nuk shpresohet shërimi. Lëri brengat dhe nise jetën nga fillimi!

Në momentin kur sprova e godet njeriun, ajo ia merr tërë vëmendjen e tij duke e çorientuar dhe duke e bërë kështu të harrojë atë që duhet prej durimit. Më pas, momente të tilla nuk mbesin gjë tjetër veçse kujtime që kanë kaluar me tërë përmbajtjen e tyre. Në fund, përfundimi është tek Allahu i Lartësuar. Prandaj, mos lejo të të humbasë shpërblimi i sprovës, e as të të ikin gjurmët e mira të saj të lëna pas, sepse i mençuri ndër njerëzit si puna jote, është më i binduri në lidhje me shpërblimet që pritet të vijnë.

Të gjithë të plagosurit që i sheh sot, nuk e vuajnë dhimbjen tani njësoj si dje! Por ja që njeriu mund të dorëzohet shpejt në çastet e para dhe për këtë nuk ka as fitim e as kthim prapa.

Njëherë, profeti (s.a.v.s.) pa një grua duke qarë pranë varrit dhe i tha: “Bëj durim dhe mbaj shpresë në shpërblimin e Allahut.” Ajo ia ktheu: “Më lër të qetë! Ti s'je sprovuar ende me atë që jam sprovuar unë!” Por më pas, kur i treguan se ai që e kishte këshilluar ishte i dërguari i Allahut (s.a.v.s.), ajo shkoi tek profeti plot keqardhje duke i thënë: “Nuk të njoha, o i dërguar i Allahut!” Ai i tha: “Në fakt, durimi është në goditjen e parë.”

Në këto momente, pa marrë parasysh se sa e rëndë është plaga jote apo sprova në të cilën je, të ftoj që të kujtosh shpërblimin dhe gjurmët e mirësisë që sjell fundi i tyre, dhe pastaj të ndalesh e të marrësh qëndrim burrash, të cilëve nuk iu humbin mundësitë e jetës.

Vendimi është në dorën tënde e jo të dikujt tjetër. Dhimbja që mban zemra jote nuk ka për të sjellë gjë tjetër veçse sëmundje kronike dhe kujtime të hidhura. Ngrihu dhe mendo me mendësinë e njeriut të palëkundur! Nise rrugën e re duke u zhytur në përvojat e jetës nga e para!

Ato që të presin prej ndodhive të reja, janë më madhështore sesa ato që tashmë kanë ngjarë. A nuk e di, se edhe ti një ditë do të largohesh nga kjo tokë, siç janë larguar të tjerët para teje?! Përse vazhdon në pikëllim për shkak të humbjes së njeriut që do, e që Zoti yt vetë e ka krijuar dhe vetë e ka marrë?! Ka vdekur edhe i dërguari i Allahut (s.a.v.s.), që është edhe ngushëllimi më i madh për secilin besimtar në lidhje me humbjen e të dashurve.

Profeti ka njoftuar se caktimi yt është shkruar para krijimit të qiejve dhe të tokës për pesëdhjetë mijë vjet, dhe të ka treguar se ditën kur ke lindur, meleku përgjegjës ta ka regjistruar sasinë e furnizimit, jetëgjatësinë, si dhe nëse do të jesh prej të mjerëve apo të lumturve. Pra, përse i mbulon veshët me dorë, nga frika se mos po dëgjon ndonjë lajm të keq?! Përse të pushton ankthi kur bie telefoni në orët e vona të natës nga frika e së panjohurës në vazhdim?! Përse sa herë që sheh ndonjë aksident rrugor, të shtohen të rrahurat e zemrës nga frika se mos vallë viktima e aksidentit mund të jetë familjari yt?! A nuk e ke dëgjuar akoma fjalën e Zotit tënd: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” [Ali Imran: 185], apo ndoshta e lexon me mëdyshje?!

Ngrihu, se tashmë kemi parë mjaft fatkeqësi e tragjedi që mezi i kanë përballuar njerëzit! I kemi parë se si në ato momente u ikte mendja nga tmerri, mirëpo më pas kaluan ditët, dhe ja, të lënduarit e djeshëm janë njerëzit më të lumtur sot!

Nëse vuan nga ndonjë sëmundje apo je i lënduar, ke humbur familjen apo shoqërinë, apo të ka ikur nga dora pasuria dhe jeta, dije se momentet e gëzimit kur të bëhet llogaritja në ahiret, kanë për t'i shuar të gjitha përjetimet që ke pasur, si të mos kishin ekzistuar fare.

Në hadithin profetik thuhet: “Në Ditën e Gjykimit do të merret njeriu më i përvuajtur në tokë, i cili është përcaktuar të jetë prej banorëve të xhenetit, dhe do të futet në xhenet për një çast, sa hap e mbyll sytë, dhe do të nxirret. Do t'i thuhet atij: “A ke parë vështirësi ndonjëherë në jetën tënde? A ke përjetuar vuajtje ndonjëherë?” Ai do të përgjigjet: “Jo pasha Allahun, nuk di të kem përjetuar ndonjëherë vuajtje, dhe s'di të kem hasur vështirësi ndonjëherë në jetën time!”.




Pishtar: Besimi ynë në caktimin e Allahut është qetësia që na i mbështjell zemrat. Prandaj, të mos lejojmë që atë të na e trazojnë sprovat!

/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com