Kandilët ndriçues
S’mund ta paramendoj një njeri që jeton në tokë pa ndonjë qëllim madhështor me të cilin do ta mbushte jetën, do ta shtrinte ndikimin dhe do ta shkruante historinë e realitetit të tij me bojë drite.
Të shumtë janë ata që përpiqen në mënyrat e veta, por këtë gjë nuk e bëjnë për ndonjë qëllim madhështor. Qëllimet janë ato dëshira që i mungojnë jetës sonë, janë shpresa që e ka kapur për fyti jetën, duke e vërtitur atë në botën e ëndrrave.
Qëllimet janë ato gëzime që përqafon çdo njeri punëtor mbi sipërfaqen e tokës, së paku një herë gjatë jetës së tij.
Qëllimet janë kuptimi madhështor i jetës, shpirti i njeriut, membrana e zemrës së tij, janë malli për dëshirat dhe aspiratat e veta.
Qëllimet janë ato që kanë bërë që Ebu Ali Kalij el-Bagdadi të vente herët në ligjëratat e mësuesit të tij Ibn Muxhahidit, tek i cili paraqitej qysh para agimit, në mënyrë që të afrohej pranë tij gjatë dëgjimit të ligjëratës. Ai tregon: “Kur arrita te porta përmes së cilës dilja tek hoxha, e gjeta atë të mbyllur dhe nuk ia dola ta hapja, ndaj thashë me vete: SubhanAllah! Të vij në këtë kohë kaq të hershme dhe të mos kem mundësi t’i afrohem atij?! Sytë më vajtën tek një tunel i vogël drenazhimi përskaj objektit dhe iu vërsula me vrull, por kur arrita nga mesi, m’u ngushtua vendi dhe as kisha mundësi të dilja, e as të kthehesha, kështu që i dhashë zor dhe depërtova pasi i shqeva rrobat dhe mishin deri në asht, por Allahu ma mundësoi të dilja në anën tjetër. Kështu që u afrova para hoxhës, duke qenë në këtë gjendje, dhe ja ku e kam ende shenjën e asaj plage, me të cilën shpresoj të hyj në varr.”
Qëllimet janë një mrekulli që e merr njeriun për dore për t’iu qasur rreziqeve, duke e bërë atë të mos shohë diçka tjetër pos realizimit të tyre.
Qëllimet janë sekreti i fshehur në jetën e çdo njeriu të suksesshëm. Nuk ndodh që të dëgjosh për një të suksesshëm apo për një njeri që ka lënë gjurmë në histori, e të mos shohësh se lidhja e tij me qëllimet e veta ka qenë njësoj sikurse lidhja jote më jetën aktuale, pa ndonjë dallim.
Qëllimet ishin ato që e shtynin imam Ahmedin (Allahu e mëshiroftë!) që të shihej nëpër rrugët e Bagdadit, në moshë të shtyrë, duke mbajtur me gojë rrobën e duke nxituar për nxënien e diturisë. E kur dikush e pyeti: “Deri kur kështu, o imam?”, ai tha fjalën e tij të njohur: “Me bojë shkrimi në dorë, derisa në varr të shkoj.”
Qëllimet ishin ato që bënin që Xhafer ibn Dustuvejhi, gjatë kërkimit të diturisë, të shkonte në vendin ku do të mbante ligjëratën hoxha i tij Ali ibnul Medinij dhe të ulej aty qysh në kohën e ikindisë, një ditë më herët, për ta pritur ligjëratën që do të mbahej të nesërmen, nga frika se dikush mund t’ia zinte vendin më të afërt me shejhun (hoxhën) e tij.
Qëllimet janë ato bënë që Abdulaziz ibn Muhamed el-Karavij el-Fasi, kur disa nga dijetarët e fikhut (legjislacionit Islam) hynë tek ai teksa ishte i ulur mes librave të fikhut të hapur përpara vetes (sakaq, djersa i pikonte mbi to, ndërsa rrobat i kishte të përlyera si mos më keq), njëri prej tyre i tha: “Ji i mëshirshëm ndaj vetes dhe pastroji rrobat!” Ai ia ktheu: “Kam gjashtë muaj që kam ndër mend t’i pastroj, por nuk po gjej kohë për ta bërë këtë, për shkak të angazhimit me këtë punë.” Kishte për qëllim zhytjen në kërkimin e diturisë.
Të vërtetën e ka thënë, Allahu e mëshiroftë! E sikur të mos ishin këto ambicie e ky përkushtim, s’do të përhapej përmendja e tij përkundër rrobave të përlyera që mbante. Eh, sa dallim ka mes një rrobe dhe tjetrës, e mes një ambicieje dhe tjetrës, distancën mes të cilave e afron durimi, qëllimi dhe shpresat e këtyre burrave!
Qëllimet janë ato që krijojnë botën e ndryshimeve në jetën e njerëzve të mëdhenj, saqë dikë e dërgojnë në pozitat e fisnikërisë, e dikë tjetër e përplasin për pluhurin e tokës. Lavd Allahut për këto qëllime që shtyjnë trupat e pronarëve të tyre drejt lartësive!
Qëllimet janë po ato që kanë bërë që hafizi Ebu Ala el-Hemdaniu ta shesë shtëpinë e tij në pjesën e hershme të ditës, posa në Bagdad u lajmërua për daljen në shitje të librave të Ibn Xhevalikit. Kësisoj, ai mori pjesë në ankand dhe sapo e lajmëruan që një pjesë e tyre shiteshin për gjashtëdhjetë dinarë, ai i bleu. Por një njeri që nuk gjente dot ushqim për të ngrënë për net të tëra, si do t’ia bënte për gjashtëdhjetë dinarë, teksa afati i pagesës ishte një javë? Ai i bleu ato, pastaj ia mësyu shtëpisë së tij në Hemdan dhe e nxorri atë në shitje. Shpejt, shtëpia e tij arriti çmimin gjashtëdhjetë dinarë, e në atë rast, ai tha: “Blijeni!” Por dikush i tha: “Prit, se ka për t’iu ngritur çmimi ende!” Por ai tha: “Blijeni!” Kështu e shiti për gjashtëdhjetë dinarë, të cilat i pranoi në dorë, pastaj u kthye në Bagdad në ditën e enjte dhe e kreu pagesën e librave. Askush nuk mori vesh gjë për këtë veprim të tij, derisa kaloi një kohë goxha e gjatë.
Ibn Xhevziu ka thënë: “Më është thënë se dikush e ka parë atë në ëndërr pas vdekjes së tij, në një qytet që të gjitha muret i kishte me libra. Përreth atyre mureve kishte libra të tjerë që s’mund të numëroheshin, ndërsa ai ishte i zënë duke i shfletuar. Dikush i kishte thënë: “Ç’janë këto libra?” Ai i ishte përgjigjur: “E kam lutur Allahun që të më angazhojë edhe pas vdekjes me atë që kam qenë i angazhuar në dynja, e më është përgjigjur.”
Poeti ka thënë:
Pse të kanë ndryshuar brengat, ndonëse puna jote është model i njerëzve?!
Thashë: Më lër në sikletin tim, se brengat janë vetëm sipas ambicieve.
Ah, more Hemdani! Sikur të ishe gjallë sot, s’do ta lija pa udhëtuar tek ti në cilëndo tokë që do të ndodheshe! Jo për diçka tjetër, por veç për të ta puthur ballin njëherë, sepse me fytyrën tënde ke lënë gjurmë në fletët e diturisë.
Pra, qëllimet tua janë kandilat e tu ndriçues, kurse ti je ëndrra që po kërkojmë. Në këto çaste që po i lexon këta rreshta, unë nuk kam tjetër përmallim dhe dëshirë më të madhe për ty, sesa përmallimi dhe dëshira e prijësit të drejtë të muslimanëve, Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur u tha shokëve të tij: “Dëshironi diçka!”, e pasi ata dëshiruan secili veç e veç, Omeri u tha: “Epo, sa më përket mua, unë do të dëshiroja një shtëpi si kjo, të mbushur me burra si Ebu Ubejde Amir ibn Xherrahu!”
Syri s’më qetësohet e as më mbushet me shpresë me diçka tjetër, përveç se me burrat të cilët, ndonëse ecin mbi tokë, kokat e tyre arrijnë në qiell përmes dëshirave dhe ëndrrave që kanë!
Të tillët kanë gjithmonë për qëllim fenë e tyre, rrugën e tyre të drejtë, popullin e tyre, mesazhin e tyre dhe fisnikërinë e tyre.
Ah, sa i përmalluar e sa i ngazëllyer jam për të tillë njerëz!
Pishtar: Qëllimi rrëzon edhe malin.