Bindjet e tua janë sekreti i suksesit tënd
Nuk di ndonjë armë më të fortë në gjoksin e bartësit të saj, sesa arma e bindjes. Bindjet pozitive ndërtojnë në ty një hero që ecën mbi tokë dhe shënojnë ndryshimin e madh në botën e suksesit. Bindja është një armë abstrakte që të nxit për të arritur majat dhe të hedh tutje për të kullotur nëpër botën e gëzimeve. Ah sikur ta kuptoje se çfarë ndikimi kanë bindjet në zemrën dhe mendimet e bartësit të tyre!
Nuk di të ketë ekzistuar fjala “dështim” në jetën e një të suksesshmi. Në fakt, ajo që unë lexoj në përvojën e tij është çasti i disfatës. Sa dallim të madh ka ndërmjet këtyre dy termave! Sakaq, nuk kam parë ndonjëherë ndonjë pamje më të rëndë sesa pamja e pesimistit.
Çohu, o ti i strukur! Çohu e shkelmo çdo pengesë që të bën të çalosh! Çohu e mos u dëshpëro, ngase toka është e gjerë dhe e gjatë, nuk i ngushtohet kujt pos atyre që kanë ambicie të ulëta dhe mendime negative, si dhe të hutuarve që s’kanë qëllime në jetë!
Ka folur drejt ai që ka thënë: “Nëse nuk je i bindur se je ti, ai që duhet të krijosh botën tënde, bashkë me sukseset dhe dështimet e saj, atëherë ke mbetur nën mëshirën e rrethanave.” Autori i kësaj shprehjeje e ka ndjerë aromën e saj në veten e tij, ndaj ka shtuar: “Më lejo të të them se, nëse do të përballesha me një bindje të tillë – pra me mungesën e forcës për të ndërtuar vetë aktualitetin, – atëherë do të udhëtoja për të gjetur një kulturë tjetër gjetiu, një botë tjetër, madje një planet tjetër.” Pra, ç’ke që qëndron këtu nëse nuk je tjetër veçse një protagonist i përplasjeve pacak nga dallgët e aktualitetit?!
Vërtet, pse po rri këtu? Ose çohu dhe shkruaje historinë tënde, ose shko! Shko në një botë tjetër, në një planet tjetër! Shko në një vend tjetër, sepse për dështakët s’ka ekzistencë, as për përtacët.
E gjen dot se cili është dallimi mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë? Cili është dallimi mes atyre që munden dhe atyre që nuk munden? Si ka mundësi që shumë njerëz ia dalin të tejkalojnë kriza të rënda në jetën e tyre, duke i shndërruar ato në fitore, përkundër rrethanave të vështira me të cilat ndeshen gjatë rrugëtimit? Ndërsa të tjerë, përkundër të gjitha vlerave që zotërojnë, mbesin sakrificë e rrethanave krejt të zakonshme?
Suksesi, para se të jetë triumf ndaj egos, është bindje që ka zënë vend në zemër dhe ka ndezur në të reflektorët e saj. Kjo është arsyeja që shumë njerëz vdesin duke qenë në shtretërit e tyre, në ambient mirëqenieje, e shumë të tjerë mbesin gjallë, ndonëse ndodhen në mejdanet e luftës, nën hijen e shpatave!
A ke dëshirë të jesh i suksesshëm dhe i njohur? A ke dëshirë ta regjistrosh emrin tënd në historinë e të suksesshmëve? A ke dëshirë të jesh krejt ndryshe nga bota që të rrethon? Atëherë, eja me mua të të jap një mësim që nuk do ta harrosh më!
Nëse ti beson se je i suksesshëm dhe nëse ke vendosur prerazi që të arrish lartësitë, duke qenë i bindur se asnjë mashtrues s’do të ketë mundësi të ta mposhtë vendosmërinë, atëherë, këtë kohë, prej tani e tutje, mund ta shënosh në bilancin e jetës tënde të re.
Vallë, a nuk të kanë arritur lajme nga banorët e kësaj bote, të cilët japin tërë mundin e tyre për t’i arritur dëshirat, e madje i tejkalojnë edhe mundësitë e tyre, vetëm e vetëm që t’i realizojnë ëndrrat?! Gjatë leximit të këtyre jetëshkrimeve, do të shohësh shembuj të gjallë të qëllimeve të kristalta. Lexo rreth biografisë së personaliteteve luftarake, si Abraham Linkolni, president i Amerikës gjatë një periudhe të historisë; Këtë pozitë, që ai e kishte parafytyruar si diçka fisnike për të cilën ia vlen të luftohet, nuk e arriti ndryshe veçse pas çudirave, duke lënë pas vetes një mësim për të gjithë ata që e lexojnë jetëshkrimin e tij, se dëshirat nuk realizohen pa iu përkushtuar atyre me gjithë zemër.
Ai e kishte filluar rrugëtimin drejt realizimit të ëndrrës së tij, përkitazi me pozitën e udhëheqësisë, në moshën njëzetenjëvjeçare, kur mori hapin e parë në këtë drejtim dhe dështoi. Pastaj provoi për herë të dytë në moshën njëzetedyvjeçare por prapë dështoi në votime. Më tej provoi për herë të tretë dhe dështoi në moshën njëzetekatërvjeçare, për të vazhduar me herën e katërt kur provoi sërish në moshën njëzeteshtatëvjeçare, dhe prapë dështoi, sakaq u godit edhe nga probleme psikike. Për herë të pestë, ai provoi në moshën tridhjetekatërvjeçare, ku u mposht në zgjedhjet e kongresit, për të vazhduar me herën e gjashtë në moshën tridhjetegjashtëvjeçare, ku gjithashtu u mposht po në zgjedhjet e kongresit. Në moshën dyzetepesëvjeçare, ai provoi për herë të shtatë por dështoi sërish në zgjedhjet e senatit. Provoi për herë të tetë në moshën dyzetenëntëvjeçare, me ç’rast prapë dështoi në zgjedhjet e senatit. Dhe në fund, ai e përqafoi ëndrrën e tij, e cila po e refuzonte vazhdimisht për tridhjetë e dy vite me radhë, duke u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në moshën pesëdhjetedyvjeçare.
I tillë ka qenë përkushtimi i njerëzve të suksesshëm. Rrugët e tyre ishin të mbushura me pengesa e dështime, por ata nuk rrinin asnjëherë duarkryq pas rrëzimeve; përkundrazi, vazhdonin duke hulumtuar për të gjetur rrugëdalje dhe për të korrur sukses kundrejt dështimeve.
Edisoni vazhdoi të vërtetonte se suksesi i madh nuk vjen ndryshe veçse nga barqet e dështimeve, madje vetë ai dështoi të zbulonte rrymën elektrike gati njëmijë herë me radhë, por në fund zbuloi atë që sot e konsiderojmë si një prej ngjarjeve historike më madhështore mbi sipërfaqen e tokës. Ai tha: “Gjenialiteti është 1% talent dhe 99% djersë balli.”
Prej bindjeve që nuk duhet t’i ndahen kurrsesi vrapuesit drejt realizimit të synimeve, është se: s’ka sukses pa përkushtim. Të mëdhenjtë nuk janë domosdoshmërisht më të mirë dhe më të mençur, por janë më të përkushtuar se të tjerët.
Përkushtimi në punë, vazhdimësia në rrugëtim dhe përshkimi i njëtrajtshëm i distancës së caktuar ditore, është rruga optimale për të arritur caqet e mëdha dhe ëndrrat e jashtëzakonshme në jetë.
Mandela ka thënë të vërtetën kur ishte në errësirat e burgut: “Sa i përket trupit të njeriut, ai përshtatet në çfarëdolloj rrethanash, sado të ashpra qofshin, ashtu sikurse bindjet e njeriut. Këto të fundit janë sekreti i mbetjes së tij në rrethanat e privimit.” E ndërsa ishte ende në errësirat e burgut, ai u shkroi një letër atyre që e kishin burgosur dhe u tha: “Nëse do të dal nga burgu në po të njëjtat rrethana për shkak të të cilave më keni arrestuar, dijeni se unë prapë do të veproj të njëjtat gjëra për të cilat jam burgosur.”
Për Allah, shih se sa domethënëse janë bindjet e palëkundshme të njeriut në jetën e tij! Njeriu, ose duhet të jetojë kështu, ose s’do të përjetojë kurrë çaste lumturie.
Poeti Ebul Kasim Shabiu, duke u thelluar në këto kuptime, shkroi:
Në daçtë njeriu ta jetojë jetën një ditë,
caktimit patjetër duhet t’i përgjigjet,
se s’ka çare nata pa u larguar,
e edhe pranga, patjetër një ditë do t’i hiqet.
Kur lakmon për të arritur një qëllim,
kësmetin e ke ndjekur e alarmin e ke harruar,
e kush ka fobi t’i ngjitet malit të lartësuar,
gjithmonë nëpër gropa, jetën ka për ta kaluar.
Përkushtimi na mëson çdo herë e më shumë se çmimi i tij është më i madh sesa ç’përshkohet nga ngjyra e lapsit. Muhamed ibn Tahir Makdesiu – Allahu e mëshiroftë! – thotë: “Kam dëgjuar hadithe në më shumë se dyzet qytete, madje më ka ndodhur dy herë, që gjatë kërkimit të haditheve të urinoja gjak: një herë në Bagdad e një herë në Mekë, sepse ecja zbathur, andaj e pësova nga kjo. Gjatë kërkimit të hadithit s’kam hipur kurrë në kafshë udhëtimi; librat i bartja në shpinë.” Një njeriu të tillë i takon me të drejtë që emri i tij të shënohet nëpër rreshta prej drite në këtë shkrim timin, ndërkohë që unë s’jam gjë tjetër, përveçse një përcjellës i një biografie të këndshme që udhëton nëpër brendësitë e njerëzve qysh prej asaj kohe.
Drejt ka folur ai që ka thënë:
Ja do ta kthej vështirësinë në lehtësim, ja vdekja të më kaplojë,
se synimet s’i nënshtrohen kujt, pos atij që do të durojë.
Ndërsa Ibn Kasimi – Allahu e mëshiroftë! – thotë: “Kam udhëtuar prej vendit tim - Egjiptit - deri në vendin e Malikut – Medinë -, dhe kam qëndruar tek ai shtatëmbëdhjetë (17) vite. Njëherë, teksa po qëndroja tek ai, hyri një djalosh i ri i maskuar, i dha selam imam Malikut dhe tha: “A është Ibn Kasimi në mesin tuaj?” Të pranishmit bënë me shenjë nga unë e ai u kthye dhe filloi të m’i puthte sytë, kur ja, ishte im bir. E pata lënë nënën e tij shtatzënë me të para shtatëmbëdhjetë vitesh, ndërkohë që i pata propozuar që ose ta shkurorëzoja, ose të qëndronte me mua në kurorë, por ajo zgjodhi të qëndronte nën kurorë.”
Kur ndalemi te Buhariu – Allahu e mëshiroftë! – kujtojmë se sa e sa herë e ka shtyrë vetja e tij të ngrihej nga shtrati i gjumit për të shënuar dobi (që i vinin në mendje)!
E për Ibnul Xheuziun – Allahu e mëshiroftë! - edhe rruga vajtonte, sepse siç thotë ai vetë: “Po të thoja se kam lexuar njëzetmijë vëllime, do të ishin më shumë se kaq, madje jam ende në kërkim (të diturisë).”
Njëri nga të suksesshmit kishte shënuar një fjali në dorën e tij, ku thuhej: “Ata që zgjedhin gjithmonë rrugët më të lehta, s’do të arrijnë asnjëherë majat.”
Japonezi Takeo Osahiro jetoi tetëmbëdhjetë vite jashtë vendit të vet, ndonëse vendlindje kishte Japoninë. Gjatë këtyre viteve, ai hulumtonte për sekretin e përparimit teknologjik të Evropës dhe për këtë arsye nuk e kishte parë vendlindjen e tij për aq gjatë. Në fund, pasi i mori mësimet dhe e mësoi mirë zanatin, ai u kthye për t’i zbatuar ato në vendin e tij. Ai thotë: “Pasi kryetari i shtetit japonez pa motorët që tashmë po funksiononin në tokën e Japonisë, unë u ktheva në shtëpi dhe fjeta dhjetë orë gjumë. Kjo qe hera e parë që bëra dhjetë orë gjumë të plota qysh prej pesëmbëdhjetë vjetëve.”
Përmbushja e qëllimeve me ëndrra s’arrihet, jo,
por gjithë botën duhet ta përshkosh,
asnjë populli nuk i vështirësohen qëllimet,
kur mësyn me gjithë pjesëtarët troç.
Hafëz Ibn Manda – Allahu e mëshiroftë! – udhëtoi më qëllim të kërkimit të hadithit në moshën njëzetvjeçare dhe nuk u kthye në vendin e tij veçse në moshën gjashtëdhjetepesë vjeçare. Ndërsa martesën e bëri kur u plak, përkatësisht në moshën shtatëdhjetë vjeçare.
Kur shpirtrat janë të mëdhenj,
trupat lodhen për arritjen e qëllimeve të tyre.
Po ashtu, e ka thënë të vërtetën ai që ka shijuar përvojën dhe që i ka njohur telashet dhe mundimet e këtij rrugëtimi, kur ka thënë:
Lartësitë fitohen varësisht nga vendosmëria,
e kush lartësitë kërkon, natën gjumin e refuzon,
krenarinë ke vënë në shënjestër, e prapë natën fle,
ai që kërkon lehtësi, i është futur detit në thellësi.
Ky realitet i kthjellët është vërtetuar dhe nuk lë hapësirë për dilema, ndaj dhe e shohim të ndodhë çdo ditë para syve tanë, sikur na thotë: Pika shiu të njëpasnjëshme gërmojnë hendeqe nëpër shkëmbinj memecë.
***
Pishtar: Bindja (besimi) është një shkëmb madhështor mbi kokën e një njeriu me ambicie të larta.