Njerëz të mëdhenj pa shkollim
Historikisht, shkolla ka qenë dhe vazhdon të jetë një portë nga e cila diplomohen gjenerata të tëra, si dhe një mejdan që përcakton çdoherë fatet e njerëzve të suksesshëm. Në realitetin tokësor, kualifikimi shkencor është prej shkaqeve më të rëndësishme të suksesit, ndaj shumica e të suksesshmëve vijnë nga radhët e atyre që kanë mbaruar shkollë në një periudhë të caktuar gjatë jetës së tyre.
Megjithatë, jo domosdoshmërisht shkolla është e vetmja portë nga e cila përcaktohen fatet e njerëzve të mëdhenj. Sa njerëz ka sot, që kontribuojnë në përmirësim dhe reformim me të gjitha mundësitë, duke lënë gjurmë në historinë e popujve të tyre, ndonëse shkollimi nuk ka pasur hise në përkrahjen e mesazhit dhe realizimin e qëllimeve të tyre?! Mbase nga kjo marrim një mësim, e ai është: Shpirtrat e mëdhenj refuzojnë që të jenë robër ose të pushtohen nga programet e dizajnuara dhe idetë që, në shumicën e rasteve, janë të mjegulluara dhe nuk lëshojnë rrënjë në mendje.
Ahmed Didati, njëri nga emrat e shquar të thirrjes Islame, xhihadit, diturisë dhe debateve, e braktisi shkollën qysh në klasën e gjashtë. E braktisi atë për të projektuar me vendosmërinë e tij shkollën më të madhe në tërë biografinë e tij. Fillimisht, ai punoi si shitës në një dyqan ushqimor, pastaj si vozitës në një punishte mobiliesh, pastaj qatip, pastaj drejtor në punishten e mobilieve, pastaj u bashkëngjit në disa trajnime për punimin e radiove dhe për të mësuar bazat e inxhinierisë elektrike, pastaj udhëtoi për në Pakistan për të punuar në rregullimin e një punëtorie për qëndisjen e pëlhurave, pastaj shkoi në Afrikën Jugore ku ndaloi së punuari dhe filloi xhihadin e thirrjes në Islam dhe të reformimit.
Ai qëndroi në projektin e tij madhështor të thirrjes në Islam duke dhënë një mund të madh për të zgjeruar historinë e popullit të tij, derisa kaloi në botën tjetër, pasi e kishte mbushur biografinë e tij me përpjekje dhe thirrje të vazhdueshme në Islam. Ndonëse shkolla ndoshta ia ka hapur një derë për të filluar këtë histori të lavdishme, prapëseprapë ajo që bëri të arrinte këtë sukses, ishte vendosmëria për t’i realizuar këto qëllime, mundi dhe lodhja e tij.
Muhamed Nasirudin el-Albani, kalorësi i hadithit, dijetari i kohës në shkencën e hadithit, u mjaftua gjithashtu me klasën e gjashtë të shkollës fillore, për të mos u kthyer më kurrë në portat shkollore. Ishte i varfër e nevojtar, ndërsa punë kishte ndreqjen e orëve dhe nuk kishte burim tjetër të ardhurash.
E filloi mësimin e hadithit në moshën njëzetvjeçare, pasi revista “Menar” ngacmoi tek ai ambicien për të filluar me projektin e tij personal. Ndonëse ishte një fillim krejt i zakonshëm, për një kohë të shkurtër, ai arriti të bënte një punë të hatashme saqë, para se të kalonte në botën e amshueshme, shitësi i orëve kishte kontribuar në bibliotekën Islame me më shumë se njëqind shkrime, ku secili prej tyre ishte një punë që s’do të mund ta bënte as një grup burrash së bashku. Por të tillë janë të mëdhenjtë. Ata bëjnë punë të mëdha edhe nëse s’kanë pasur gjë në duart e tyre.
Ebul Ala el-Mevdudi, ndonëse ishte njëri nga dijetarët e mëdhenj në qiellin e thirrjes Islame dhe reformimit, për të, shkolla e mesme ishte hera e fundit e shkollimit të rregullt në jetën e tij. Ai jetoi në një familje të varfër dhe udhëtimin e jetës së tij e filloi me shkrimin e artikujve të shkurtër për gazeta, qysh në moshë të re. Pastaj, ambicia e tij e tërhoqi tutje për t’u bërë thirrës në Islam e muxhahid, derisa la pas vetes një bagazh të madh të diturisë prej së cilës edukohet sot umeti. Nuk do t’i numëroj këtu veprat që ai ka lënë pas vetes, e as “ndërtesën” që sot e kësaj dite e mbështet çështjen e komunitetit Islam deri në këto çaste të historisë që po jetojmë.
Mustafa Sadik Rafiu: edukimi i tij i rregullt shkollor nuk e kaloi shkollën e mesme. Madje, pa i kaluar ende të tridhjetat, ai u godit nga shurdhimi në veshët e tij dhe pas kësaj nuk ka dëgjuar më kurrë. U angazhua si shkrues dhe tagrambledhës i gjykatës së Tantasë, dhe mbeti aty derisa kaloi në botën e amshueshme, porse ai nuk u shpërngul nga kjo botë para se të linte një thesar të madh intelektual pas vetes.
Sulejman ibn Abdulaziz er-Raxhihi, e braktisi shkollën ndonëse nuk e kishte mbaruar ende klasën e dytë fillore. Ai filloi me shitjen e gazit për një grosh, ose gjysmë groshi, për të vazhduar më tutje të punonte si kuzhinier, shërbëtor, e pastaj me vendosmërinë e tij trokiti në derën e tregtisë, për të mos e braktisur më kurrë derisa ia doli që emri i tij të shkruhej në mesin e tregtarëve të mëdhenj në tokat e dy haremeve (Mekë dhe Medinë). Nuk ka ndodhur që një pasaniku t’i kihet lakmi, ashtu siç ia kishin lakmi këtij kolosi, sepse nuk ka ndonjë portë bamirësie në tokat e dy vendeve të shenjta e që ai të mos ketë marrë pjesë aty me sasi aq të mëdha, sa s’mund ta paramendojë një njeri i zakonshëm që kërkon shpërblimin e Allahut me bamirësi.
Abdurrahman el-Xherisi, pronari i shoqatës më të madhe tregtare në dy vendet e shenjta. U rrit jetim, ndërkaq shkolla nuk mori përsipër edukimin e tij më shumë se pesë vite (të shkollës fillore). Pas kësaj, ai i braktisi bankat shkollore për të ndërtuar suksesin me duart e tij, me mendjen dhe vendosmërinë vetanake, për të thurur kështu, me durimin e tij, skenat më mbresëlënëse të sfidave gjatë ndërtimit të një personaliteti.
Jetën e tij si punëtor e filloi në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, kur nisi të punonte tek pronarët e disa dyqaneve tregtare, për të ndërtuar pas një kohe “Fondin e Riadit”, i cili u bë bazamenti i tetë kompanive të mëdha që ekzistojnë sot, të gjitha këto në saje të suksesit të një fëmije që doli nga klasa e pestë fillore, i hutuar e pa asnjëfarë plani për jetën e vet.
Vallë, kur na paska qenë mossuksesi në studime, një tregues i dështimit në jetë apo i humbjes së udhës?! Ç’është e vërteta, unë nuk do t’i numëroj këtu të gjithë ata që e kanë braktisur shkollën e mandej janë regjistruar në histori dhe kanë filluar gjithçka prej fillimit, por vetëm desha që t’jua ndriçoj sadopak rrugën para jush.
Suksesi është një portë më e gjerë sesa gjërat që në këto momente na paraqiten në fotografitë e parafytyrimeve tona. Allahu i Lartësuar nuk e ka caktuar përparimin e njeriut dhe ndërtimin e suksesit të tij vetëm në një lëmi të caktuar, por realiteti që mbretëron sot në tokë janë rastet që i përmendëm dhe që mund t’i hasësh kudo në jetën e përditshme. Suksesi është më i madh sesa pengesat që shfaqen në rrugë për t’ia ndalur hovin atij.
Shpirtrat optimistë e kuptojnë mirë se kur mbyllet një derë, tutje ka plot dyer të tjera që hapen për të, ndërsa shpresa që ia ka kthyer shpinën në njërën anë, ia kthen atij fytyrën nga ana tjetër, për të parë shpresën tjetër që po e pret përballë.
***
Pishtar: Kur një derë të mbyllet para fytyrës, dije se një derë tjetër të është hapur po në atë moment!
***