Vetëbesimi
Sot, sikurse edhe dje, është e pamundur të gjesh një njeri të suksesshëm me guxim të luhatur. E pamundur! Madje, as që paramendohet të gjesh dikë që ka arritur majat e suksesit e të përjetojë kriza vetëbesimi.
E zëmë se në vegjëlinë tënde, apo përgjatë shkollimit tënd, apo në cilindo qoftë prej momenteve të jetës sate, të kanë ndodhur gjëra; ose të supozojmë se edukata që ke marrë në familjen tënde, ka lënë gjurmë dobësie tek ti, ose ka bërë që të humbësh vetëbesimin – gjëra këto që nuk janë larg mendsh të ndodhin, e as të pamundura, dhe s’do mend se shumë njerëz i kanë përjetuar. Por më thuaj: Kush të ka thënë se këto pengesa nuk kalohen dot?! Kush të bindi se kjo trashëgimi dhe kjo histori nuk shmanget dot?!
Më beso, po t’i lexoje biografitë e të gjithë të suksesshmëve, apo t’i takoje dhe t’i pyesje një e nga një, asnjëri prej tyre nuk do të thoshte se ka lindur ashtu i suksesshëm, pa asnjë pengesë nga rrethi dhe familja. Megjithatë, ata ia dolën që të hidhnin pas shpine çdo pengesë që hasnin dhe t’u bënin ballë të gjitha vështirësive që ua zinin udhën, duke mundur kështu të shkruanin vetë historinë e tyre, të cilën ti e sheh tashmë të gjallë e të realizuar në praktikë, përmes gjurmëve që ata lanë në këtë botë.
I suksesshmi është bir i së tashmes, e jo mbetje e së djeshmes. Historia nuk i njeh qaramanët që heqin vazhdimisht dorë nga qëllimet e tyre, por regjistron dhe hap faqet e saj vetëm për të suksesshmit e shndritshëm.
Duhet kuptuar se i suksesshmi beson në fuqitë dhe aftësitë me të cilat Allahu ? e ka begatuar. Me këtë besim, ai pajiset së pari me ndihmën dhe suksesin nga ana e Allahut ?. Paskëtaj, ai i vë në veprim aftësitë dhe mirësitë e tij.
Me të vërtetë, ky lloj besimi është sekreti i fshehur në mendje, është lënda djegëse nga e cila shndrit fitili i shpirtit për të arritur majat e lartësisë.
Nuk do të arrish sukses, për sa kohë që të mos i qasesh vetvetes, ndjenjave të tua dhe shpirtit tënd për nga brenda, në mënyrë që të ngjallësh forcat e fshehura në ty, e rrjedhimisht të aktivizosh fuqitë e nevojshme për realizimin e objektivave madhështore të jetës sate. Eh, sa afër agimit të vërtetë ke arritur, nëse i ke vënë në jetë këto qëllime të larta!
A e di ti vallë, se çfarë i paralizon dështakët dhe humbësit?! I paralizon bindja se realiteti është më i madh sesa ata, dhe se ata janë të vegjël sa për të shkruar vetë historinë, apo për të regjistruar një ngjarje të madhe në tokë, apo qoftë edhe për ta shtyrë përpara një rrotë, duke e rrokullisur atë nëpër rrugën e reformimit. Janë mu këta të mjerët, që humbën gjënë më të shtrenjtë të kësaj bote, si edhe bindjen për mundësitë dhe forcat që kanë, ndaj dhe mbetën si një i paralizuar i cili i shikon njerëzit se si i shtyjnë punët përpara në tokë, e ndërkohë qan sepse nuk gjen dot fuqi për t’iu bashkuar atyre.
Të vërtetën e ka thënë autori i kësaj shprehjeje: “Beteja më e ashpër është ajo që njeriu zhvillon kundër vetvetes.” Gjithashtu, ka folur drejt ai që ka thënë: “Vetëm atëherë kur brenda njeriut të ketë filluar lufta mes tij dhe egos së tij, ai e meriton të jetë prej atyre që përmenden.”
Ata që kujdesen për arritjen e suksesit dhe që e kërkojnë atë, duke shfrytëzuar të gjitha udhët që mundësojnë përqafimin e tij, do të merren shpejt ngryk nga ngjarje që kanë për t’i dërguar deri të rezultatet dhe do të begatohen nga piedestali i krenarisë dhe nga arritja e qëllimeve madhështore që kishin në jetën e tyre.
Betohem në Allahun, se të justifikoj ty plotësisht, kur e shoh se sjell shikimin vërdallë për të gjetur një model që të udhëzon apo një zanat që të nxit për sukses, por nuk gjen një të tillë. Por për sa u përket modeleve, ato mund të gjenden lehtë në histori, dhe janë aq të shumta, sa edhe vetë faqet e librave. Ndaj, pse e ke këtë pavendosmëri vallë?!
Sa i ëmbël është jetëshkrimi i Pejgamberit tënd ?, i cili përbën në vetvete njërin nga modelet më madhështore për ndërtimin e historisë! Për herë të parë, atij ? i zbriti Shpallja duke qenë në shpellën Hira. E çfarë mund të bënte ai në ato momente, në një tokë që s’njihte tjetër pos idhujtarisë!? Në ato momente, as që tentoi të hulumtonte për ndokënd që do ta ndihmonte në atë rrugë, por filloi “t’i ndërtonte” vetë ata që do ta ndihmonin në të ardhmen. Ai e mori këtë rrugë i vetëm në tokën që s’njihte tjetër (adhurim) pos statujave. Por mos më thuaj tani, se ai ka qenë i Dërguar i Allahut! Është e vërtetë se ka qenë i Dërguar i Allahut, por megjithatë, Allahu i Lartësuar e la të ecte në botën e ligjeve tokësore pa asnjë dallim prej krijesave të tjera që jetojnë në tokë; rrjedhimisht, ai mori vetë ta përhapte shpresën gjithandej e të shkruante historinë.
Fillet e udhëtimit të tij ? i bëri i vetmuar: qëndronte nëpër tregje dhe nëpër vendtubimet e njerëzve për të përçuar mesazhin dhe projektin e tij në veshët e çdonjërit që takonte: “O njerëz! Thoni ‘La ilahe ilallah’ (S’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut), që të shpëtoni!”
Në këtë rrugëtim, Pejgamberi ? përjetoi peripeci të llojllojshme, saqë u plagos në fytyrë, iu thye dhëmbi dhe nga mollëza i rrodhi gjak. U rrëzua në tokën e fushëbetejës, por asnjëherë nuk iu rrëzua vullneti. Po pra, sepse të tillë janë njerëzit e mëdhenj!
Me gjithë vështirësitë që dolën, ditët e tij ? prore i llogariteshin fitore, e në çdo moment nëpër të cilin kalonte, ndërtonte një histori. Ndonëse askush nga udhëheqësit e projekteve të mëdha nga e gjithë bota nuk ka hasur në vështirësi sikurse të Pejgamberit ? në mejdanin e rrugëtimit, prapëseprapë, asnjërit prej atyre nuk i është nënshtruar historia sikurse atij ?.
A e ke parasysh, se në çfarë mase është ballafaquar me dështimet në jetën e tij ??! Sa kanë qenë momentet e brengave dhe keqardhjeve gjatë rrugëtimit të tij ?? Ç’është e vërteta, kjo situatë e pret çdo udhëheqës të një projekti kudo qoftë, dhe çdo njeri që ka shpresë për të arritur një qëllim të madh në këtë botë. Mirëpo, një njeri i tillë, nuk do të shkojë gjatë e një ditë do ta gjejë veten e tij të mbërthyer nga momentet e lumtura.
Për projektuesit e krenarisë dhe thurësit e historisë, kjo rrugë bart në vetvete kujtime mbresëlënëse.
- Një shembull tjetër është Ibn Ethiri, i cili shkroi librin e tij “Xhamiul usul” në katërmbëdhjetë vëllime, teksa ishte i palëvizshëm.
- Ibn Kajimi shkroi librin “Zadul mead” teksa ishte në udhëtim.
- Ambicia e (Abdurrahman) Ibn Xheuziut e bëri atë të shfletonte rreth njëzetmijë vëllime gjatë kohës kur ishte kërkues i diturisë, kurse kur dëshironte të hante, në vend që ta përtypte ushqimin, e zbuste dhe e gëlltiste gjithmonë me një kafshatë të vetme.
- Ibn Akili shkroi librin e tij “El fununë” në tetëqind vëllime.
- Dëshira e imam Malikut për dituri nuk u shua, derisa u detyrua që ta shiste edhe kulmin e shtëpisë.
- Ndërkaq, Edisoni ka lënë thënien e tij të shquar rreth talentit: 1% është frymëzim (talent) e 99% është djersë e ballit.
Shpresoj që deri këtu të kesh marrë atë që të mjafton për të të shtyrë përpara në rrugëtimin tënd dhe për të trokitur në zilen e vendosmërisë tënde drejt lartësive.
E, po qe se ke nevojë për lajme të tjera shtesë, atëherë dëgjoje Muhamed Ahmed Rashidin i cili trumbeton në veshët e tu dhe thotë: “Bëhu hamall në treg, por sapo ta hedhësh hapin e parë aty, vendos që një ditë të bëhesh tregtar, agjent i shitjes së tokave apo drejtor i një kompanie, në mënyrë që vërtet ta arrish atë, me lejen e Allahut. Me rëndësi është të planifikosh.”
Po ashtu, lexo fjalën tjetër të tij, e cila nxit tek ti shpresën, ndërkohë që në këtë pikë dështon më së shumti “murgu” dhe pretendon paaftësinë duke thënë: “A mos po kërkon nga unë që të jem dijetar i fikhut, ndërkohë që gjyshi im nuk është as Maliku e as Shafiu?! Mos po kërkon nga unë që të thur poezi, ndërkohë që s’më ka lindur Mutenebiu e as Bahteriu?! A shpreson nga unë që të merrem me filozofi, kur s’e kam pasur kurrë Sokratin fqinj?! Prej nga mund të më vijë mua gjenialiteti, kur vetë Pejgamberi ? ka thënë: “Njerëzit u shëmbëllejnë njëqind deveve, prej të cilave njeriu e ka të vështirë të gjejë një bartëse (të aftë për udhëtim).”
Këtij i themi: Posi, kemi dëshirë, shpresojmë, mendojmë, madje këmbëngulim në këtë, sepse nuk ka vend që ta konsiderosh veten tënde të dobët, përderisa Allahu të ka dhënë mend dhe prejardhje (farefis), ndaj përse nuk nis me mësimin e pagjumësisë dhe kërkimin e gojëtarisë si për fillim?!
Nëse pasi i bën këto, vetja jote ka filluar të lëvizë për të arritur qëllimet e larta, atëherë je në rrugën e duhur. E nëse nuk gjen diçka të tillë, atëherë mendo sinqerisht rreth paraqitjes tënde para Allahut të Lartësuar në Ditën e Kiametit! Fiqiro rreth momentit kur do të shohësh se shokët e tu i gjetën rezultatet e asaj për të cilën janë lodhur dhe i fituan shpërblimet e këtyre stërmundimeve në tokën e tubimit të njerëzve, para Allahut të Lartësuar. Përkitazi me këto momente, i Dërguari yt ? ka thënë: “Banorët e Xhenetit do t'i shohin banorët e dhomave sipër tyre ashtu siç i shihni ju yjet e shndritshme të largëta në horizontin e lindjes ose të perëndimit. Kjo, për shkak të dallimeve mes tyre.” E pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a janë ato vendbanimet e pejgamberëve, ndaj askush përveç tyre nuk arrin atje?” Ai u përgjigj: “Përkundrazi, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ata janë njerëz që njëmend e kanë besuar Allahun dhe u janë përgjigjur pejgamberëve.”
***
Pishtar: Mos kërko gjetiu një shkëndijë që të ta ndriçojë rrugën, përderisa fshehtësitë e shkëndijave i ke në veten tënde .