Deklaratat e të influencuarve
Gjurmët e mëdha përmbysen gjatë punimit të tokës, në mënyrë që në sipërfaqe të dalë dheu i moçëm, e kështu të mbijë toka nga fillimi.
Gjurmët e mëdha gdhenden në zemër dhe mbesin gjallë edhe me vdekjen e autorit të tyre prej kohësh.
Gjurmët e mëdha e bëjnë të qajë lexuesin e tyre edhe pas qindra vitesh.
E them këtë sepse sytë e mi shpërthyen në lot teksa po lexoja dëshmitë dhe opinionet e studentëve për mësuesit e tyre.
Gazaliu thoshte: “Kur isha në shkollën fillore, mësuesi im i gramatikës më tha: “Analizoje këtë fjali në aspektin gramatikor: Unë e kam parë Allahun të jetë më Madhështori nga çdo gjë”. Thashë: 'Unë e kam parë – kryefjalë dhe folje, dhe 'Allahun'- në rasën kallëzore, në shenjë madhërimi.
Në ato momente u bë një zhurmë nga nxënësit. I trembur hodha vështrimin nga mësuesi im dhe ia pashë lotët teksa i rridhnin nga sytë. Ai kishte një zemër të ndjeshme, dhe ajo që e kishte shkundur, ishte respekti që i kushtova emrit të të Madhërishmit përgjatë analizës gramatikore, ashtu siç më kishin mësuar. Nuk thashë: “Emri i tij është thjesht kundrinë e drejtë”, prandaj për këtë i lotuan sytë.”
Kjo kishte ndodhur para gjashtëdhjetë vitesh apo më shumë. Allahu e mëshiroftë dhe ia shumëfishoftë shpërblimin!
Gjithashtu, nxënësi Ibn El-Xheuzije, teksa ndodhej në hallkat e diturisë thoshte: "Kam takuar dijetarë, gradat e së cilëve ishin nga më të ndryshmet në dijen shkencore. Mirëpo, më i dobishmi për mua nga ata që shoqëroja, ishte ai që punonte me dijen e tij, edhe nëse kishte të tjerë që ishin më të ditur sesa ai.
Kam takuar një grup dijetarësh në fushën e hadithit, të cilët e arsyetonin përgojimin e të tjerëve duke e konsideruar atë prej xherhit dhe ta'dilit, që merrnin pagë në këmbim të leximit të hadithit, si dhe nxitonin në dhënien e përgjigjes, në mënyrë që të mos iu cenohej nami, edhe nëse një përgjigje e tillë ishte e gabuar.
Kam takuar Abdul Vehab el-Enmatiun, i cili ishte në rrugën e të parëve të devotshëm; në ndejat e tij nuk dëgjoje përgojim, e as nuk kërkonte kompensim për mësimin e hadithit. Kur lexoja tek ai ndonjë hadith të ndjeshëm, fillonte e qante pandërprerë. Duke qenë se në atë kohë isha i vogël, e qara e tij më prekte në zemër. Ai i thjeshtësonte mësimet duke i përmbledhur në rregulla, dhe kishte karakteristikat e dijetarëve për të cilët kishim dëgjuar gjatë transmetimit të haditheve.
Pata takuar po ashtu, edhe Eba Mensur El- Xhevalikiun i cili ishte i heshtur, shumë i matur në atë që thoshte, ishte një studiues i thuktë, dhe atë që e dinte, e zotëronte tepër mirë. Ndodhte që të pyetej për një çështje, përgjigjja e së cilës në shikim të parë dukej e thjeshtë, ndoshta edhe për ndonjërin nga shërbyesit e tij, mirëpo ai ndalej për pak çaste, që të sigurohej mirë rreth saj. Prandaj, nga takimet me këta dy burra kam përfituar më shumë seç kam përfituar nga dikush tjetër ndonjëherë.
Abdurrahman Bedevij El-Masrij ka thënë për mësuesin e tij Mustafa Abdurrazak: “Ishte plot fisnikëri e virtyte. Për nga natyra ishte gjithmonë i qetë, fytyrëqeshur, kurrë nuk nevrikosej. Edhe nëse zemërohej me dikë, nuk e shprehte, por një gjë të tillë e kuptoje nga skuqja e fytyrës dhe heshtja e thellë që e kaplonte. Ai ishte simbol i butësisë dhe i seriozitetit; ishte serioz me natyrë mëshiruese, pa teprim e shtirje në të. Në rastet e takimeve të ngrohta me bashkëbiseduesit, miqtë dhe nxënësit, ishte shumë i dashur me ta. I admironte shakatë e lehta dhe ishte model në bamirësi. Nuk kishte rast që ndonjë i shtypur t’i drejtohej për ndihmë, e ai të mos përpiqej me tërë qenien për ta ndihmuar. E sa e sa ndihma e dhurata ua shpërndante nxënësve të tij!...”
Këto janë deklaratat e të influencuarve prej mësuesve të tyre. E mos mendo se nuk janë për ty! E vërtetë, këto janë deklarata nxënësish që në shikim të parë kanë për qëllim mësuesin. Mirëpo, të gjithë ne jemi prindër, ose të gjithë ne kemi shokë, apo kolegë. Të gjithë ne, me gjurmët tona pikturojmë portretet në sytë e të tjerëve, të cilat nesër do të jenë njëlloj si këto deklarata në gojët e atyre që flasin për ne.
Këto faqe janë biografi të autorëve të tyre, e nuk mendoj se ty të pengon diçka që të bëhesh pjesë e tyre, kudo qofsh, apo me çfarëdo që të merresh. Ta zëmë se ti je një nxënës i thjeshtë shkolle; edhe ata ishin nxënës të jetës. Edhe ti je njëri prej atyre që mësojnë vetë, apo i mëson të tjerët në shkollën e jetës. Nëse deri më sot kanë munguar deklaratat e mira nga gojët e të tjerëve për ty, ndoshta nuk do të mungojnë nesër, kur të largohesh nga kjo botë. Rreshtat që shkruhen janë kujtime të mira për personalitetin tënd dhe punë të mira përgjatë jetës tënde.
Sa e sa influencues janë ndarë nga kjo jetë, por bëmat e tyre vazhdojnë të na rrëfejnë historinë e të zotëve të tyre në çdo çast!
Ah sikur t'i kisha lexuar këto deklarata më herët, siç po i lexoj tani!
Pishtar: Historia është rrëfenjë në gjuhët e të arsimuarve.