BALLINA VIDEO HAP NJË FAQE URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE LUTJET E JETËS KËSHILLA ÇKA ËSHTË ISLAMI?
Hap një faqe të re!Kujtime nga te medhenjte Rrefime te te pareve Ambicie qe prodhojne shpresaVizioni yt për të ardhmenSekretet e te suksesshmeveMendimi yt pozitivNjerez te medhenj pa shkollim I paralizuari qe dridhi boten me karrocen e tijBonjaket qe ndryshuan rrjedhen e historisePozicionimi i mendjes tendeBindjet e tua jane sekreti i suksesit tendPervojat e te suksesshmeve Jeta jote eshte fryt i mendimeve te tuaVetebesimiFesto çdo ditë tënden!Hap nje faqe te re!
Kujtime nga te medhenjte
Kujtime nga te medhenjte
Dr. Mishal Felahi

Kujtime nga të mëdhenjtë 


Njeriu s’mund të gjejë diçka më të mirë, sesa përmendja e një personaliteti madhështor që ka lënë gjurmë të përjetshme, që e ka shkruar historinë e që pa kaluar në botën e amshueshme, ka mbushur dynjanë plot me përvoja e gjurmë madhështore të vetat. 

Xhabir ibn Abdullahu udhëtoi në largësi një mujore deri tek Abdullah ibn Unejsi për një hadith të vetëm. 

Ebu Ejub Ensariu udhëtoi prej Medinës për tek Ukbe ibn Nafiu në Egjipt, për të marrë prej tij një hadith të vetëm. Kur arriti në Egjipt, zbriti nga kafsha e udhëtimit, të cilës nuk iu desh të qëndronte aty më gjatë sesa derisa Ebu Ejubi e dëgjoi hadithin. Me të mbaruar, ai i hipi kafshës sërish për t’u kthyer në Medinë. 

Sa të ëmbla janë këto lajme në kujtesën e njeriut! Vallë, a ka shkruar pena ndonjëherë diçka më të bukur sesa kjo?! 

Ambiciet për arritjen e lartësive kanë bërë edhe që imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) të shesë edhe kulmin e shtëpisë së vet në rrugën e hadithit, por ja që sot (libri i tij) “Muvata” ka mbetur i gjallë si pasojë e kësaj sakrifice. 

Një kolosi njëherë i është thënë: “Si e ke nxënë diturinë?” Ai është përgjigjur: “Nën dritën e kandilit, deri në lindjen e agimit.” Një tjetër u pyet njëjtë, e ai u përgjigj: “Me udhëtim dhe me qëndrim zgjuar natën e ditën.” Kurse Fatimja, e bija e Shafiut tregon se vetëm brenda një nate, ia ka ndezur shtatëdhjetë herë kandilin babait të saj. 

Ndërsa kur Buhariun e kaplonin ndjenjat e kënaqësisë nga kërkimi i diturisë, ai zgjohej dhe ndizte llambën për të shkruar meditimet e tij. Këtë gjë i ndodhte ta bënte njëzet herë brenda një nate të vetme.

Abdurrahman ibn Kasimi, njëri nga shoqëruesit e Malikut, ka thënë: “Nganjëherë i shkoja Malikut në errësirën e para-agimit dhe e pyesja për dy, tri apo katër çështje të fesë, e në atë kohë e gjeja të kthjellët; po ashtu i veja çdo natë, por një herë u mbështeta në prag të derës së tij dhe m’u rënduan sytë e më mori gjumi. Ndërkohë, Maliku kishte dalë për namaz në xhami, kurse unë nuk e kisha vënë re, por më zgjoi një robëreshë të tij duke më prekur me këmbë dhe më tha: “Zgjohu, se zotëria yt ka dalë në xhami; ai s’është neglizhues kështu si ti. Ndonëse i ka dyzetenëntë vjet, sabahun e ka falur pothuajse gjithmonë me abdes të jacisë.” Ç’është e vërteta, ajo robëresha kishte menduar se Maliku e kishte Abdurrahman ibn Kasimin rob, për shkak të dallimit të madh që kishte nga ai. 

Neveviu, duke folur për veten e tij gjatë periudhës së kërkimit të diturisë, ka thënë: “Për dy vite me radhë s’jam shtrirë asnjëherë në tokë (shtrat) për të fjetur.” Sikur kjo të mos kishte efekt tjetër pos librave si: “El-mexhmuë”, “Shpjegimi i Muslimit”, “Tehdhib el-esma vel-lugatë” e “Rijadus salihin”, do të mjaftonte si prova më e qartë për librat madhështorë që realizoi gjatë jetës së tij. 

Subkiu, duke rrëfyer për Ibn Dekik el-Eidin, ka thënë: “Sa i përket këmbënguljes së tij në dituri dhe adhurime gjatë natës, është një gjë e mahnitshme. Kishte raste kur gjatë një nate lexonte një ose dy vëllime librash, e kishte raste kur tërë natën lexonte një ajet të vetëm duke e përsëritur atë deri në agim.” 

Ndoshta ke dëgjuar se shkaku i vdekjes së Hashimit, ishte tollovia e madhe e nxënësve të dijes të cilët e kishin rrethuar nga çdo anë dhe, si pasojë, e rrëzuan atë nga gomari i tij, me ç’rast vdiq nga plagët e marra. 

Ndoshta të ka arritur lajmi edhe për ambicien dhe shfrytëzimin e kohës nga Ebu Bekër Hajati, i cili ishte gjuhëtar. Ai mësonte gjatë gjithë kohës, madje edhe gjatë rrugës, saqë ndodhte që të përplasej në ndonjë shkrep apo ta godiste ndonjë kafshë. 

Thuhet se Thalebi nuk i ndahej asnjëherë mësimit të librave. Kur ndokush i bënte ftesë, ai ia kushtëzonte që t’ia bënte një mbështetëse nga lëkura për ta vënë librin për të lexuar. 

Po ashtu, ka folur të vërtetën ai që ka thënë (këto vargje): 


As vendosmëria, as qëndrueshmëria e as virtytet e mia

s’më janë plakur, jo ... e as devocioni, as feja e ndershmëria,


thjesht vetëm koka më ka ndërruar ngjyrë

por të të thinjen flokët s’është sikur të të thinjet ambicia.


Sa tregim i këndshëm është ai i Ebu Rejhan Bejrunit, i cili kur dikush hyri tek ai teksa po përjetonte çastet e fundit të jetës, i tha atij: “Si ishte ajo çështja e gjysheve të papërfillura (në shkencën e trashëgimisë Islame)?” Ai ia ktheu: “A edhe në këtë gjendje?!...” Tha: “O filani, a më mirë është ta lë dynjanë duke qenë i ditur rreth kësaj meseleje, apo të shkoj i paditur?” Në vijim,  ai dha shpirt ende pa dalë mirë nga dhoma vizitori. 

Ambiciet, ose duhet të jenë të këtilla, ose është më mirë që vdekja e shpejtë, e cila heq qafe sindromin e paaftësisë, dembelisë e kërkimit të rehatisë nga zemrat e batallëve, ta marrë njeriun.

Po ashtu, Ibn Xhevziu ka lënë pas vetes fjalët e tij të njohura që ndikojnë në largimin e disa prej mëdyshjeve të tilla nga jetët e bartësve të tyre, duke thënë: 

“Asketët u përngjajnë lakuriqëve të natës, e kanë varrosur veten e tyre duke u izoluar nga dobia ndaj njerëzve. Një gjendje e tillë do të ishte e mirë, po qe se nuk do të privonte nga mirësitë si tubimet (namazi me xhemat), përcjellja e xhenazes apo vizita e të sëmurit. Por, ç’është e vërteta, ajo është gjendje e frikacakëve, sepse trimat mësojnë dhe përhapin diturinë tek të tjerët, pozitë kjo që u përket pejgamberëve (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta!). 


Nëse s’ka në ty shpresë që dikujt një brengë t’ia largosh,

e as punët e mira nuk zënë vend tek ti...


Nëse me pozitën tënde, askënd s’mund ta ndihmosh,

e as në Ditën e Ringjalljes s’ka ndërmjetësim nga ti...


Jeta në këtë botë dhe vdekja për ty janë njësoj,

e një rrëmojëse dhëmbësh është më e vlefshme sesa ti.


Pishtar: Thjesht vetëm koka më ka ndërruar ngjyrë, por të të thinjen flokët, s’është sikur të të thinjet ambicia.



/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com