Projekti yt personal
Nuk parafytyrohet njeriu pa një projekt personal! Apo siç thuhet ndryshe: S’ka mundësi të ekzistojë një njeri pa qëllime! Çdokush e ka mundësinë që të fillojë një projekt të madh për ndërtimin e komunitetit. Kam shpresë të plotë, lexues i dashur, se këto rreshta do të ndikojnë tek ti, që të mos zhvishesh nga kjo ambicie dhe të mos e përçmosh veten tënde e të privohesh kështu përjetësisht.
Ti ke mundësi ta fillosh vetë një projekt. Si fillim, mos të të brengosë madhësia e projektit apo ndikimi i tij në ndërtimin e shoqërisë. Me rëndësi është që ambicia jote të të çojë drejt një fillimi të vrullshëm, që “të vraposh” në mejdanin e punës e të kontribuosh me tërë mundin në ndërtim. Një fillim i tillë, sado i vogël në dukje, do të krijojë për ty një hapësirë në të cilën, në ditët e ardhshme, do të kesh mundësi të shohësh gjurmët e punës tënde. Në të vërtetë, çdo fillim është i tillë, në dukje pa shumë peshë, por vjen më vonë një kohë kur ndoshta i gjithë komuniteti mahnitet nga ajo vepër.
Me siguri që ke dëgjuar për tregimin e robëreshës me ngjyrë, që kishte një projekt krejt të thjeshtë! Projekti për të cilin ajo jetoi, ishte përkujdesja për xhaminë. Ajo e pastronte atë dhe tërë jetën e kaloi në shërbim të saj. Qëllimi i saj me këtë projekt, ishte që të arrinte në Xhenetet e bukura.
Andaj, në fillim të rrugëtimit, nuk është me rëndësi se sa i madh është projekti yt, por qëllimi i tij, pamja që ke vizatuar në mendjen tënde në lidhje me të, hapësira që zë ky projekt tek ti dhe ndikimi që ka ai në aktualitetin tënd.
Islami pranon me gëzim çdo njeri që ka ide dhe projekte, pa e vënë re madhësinë e projektit apo gjurmët që lë ai në realitet.
Bartësja e këtij projekti tokësor, gruaja me ngjyrë, u largua nga kjo botë në orët e vona të natës. Kjo i bëri shokët e Pejgamberit ? të nguteshin për t’ia përgatitur trupin, për t’ia falur namazin dhe për ta varrosur, përpara se ai të kuptonte gjë për vdekjen e saj. Ata druheshin se do ta shqetësonin atë në ato orë të vona. Mirëpo në mëngjes, me të marrë lajmin për vdekjen, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) i qortoi sahabët. Pastaj duke ndjerë keqardhje për mospjesëmarrjen e tij në lamtumirën e fundit, u tha: “Përse nuk më lajmëruat?” Pa pritur gjatë, ai u nis drejt varrit të saj dhe, kur arriti aty, ia fali namazin. Me këtë veprim, Pejgamberi dëshmoi pozitën e lartë të asaj gruaje në Islam dhe madhështinë e projektit që ajo barti në historinë e umetit Islam. Mos vallë Islami përfshin diçka tjetër (të jashtëzakonshme), pos veprave të kësaj natyre?!
Projekti është një fjalë që të ofron një hapësirë në tokën e umetit, të lë vend në trupin e saj dhe të jep kuptimin e vërtetë të të qenurit pjesëtar i një periudhe të caktuar kohore dhe një cope të caktuar tokësore.
Projekti është një vendrojë ku ti qëndron për të bllokuar mundësitë e depërtimit andejpari, duke e ndihmuar umetin tënd të ngrejë ndërtesën që do të ketë ndikim të madh në ditët e ardhshme.
Projekti është mesazh, ide, përpjekje, punë dhe histori, në të cilat ti qëndron duke ndërtuar fillimet e tij dhe duke shkruar finalizimet e tij, si dhe duke shtyrë përmes tij komunitetin tënd, për të arritur në grada të larta.
A ke ndonjë projekt, për të cilin je zotuar se do t’i kushtosh jetën? S’është e domosdoshme të më përgjigjesh tani, por është me rëndësi që t’i flasësh vetes me shpresë përkitazi me këtë. Në çdo moment, shpresa të ta bëjë zemrën tënde të përmalluar për të. Madje sa për fillim, të mjafton kjo shpresë.
E nëse më pyet se çfarë kam për qëllim me “projektin jetësor”, do të të thoja se bëhet fjalë për projektin, qëllimet e të cilit janë të qarta në mendjen e bartësit të tij, ideja për të triumfon mbi mendjen e tij dhe mendimet, e rrjedhimisht të gjitha forcat, i shpenzon në realizimin e tij. Pra, vetëm ky mund të quhet projekt jetësor. Është ai projekt që, teksa të flas për të, e parafytyroj finalizimin e tij në një të ardhme të afërt.
Të kërkoj ndjesë, se ndërsa po t’i them këto fjalë, nuk jam i vetëdijshëm se çfarë historie mund të kesh. Ndoshta sapo ke filluar. Ndoshta edhe ke mbaruar. Ose ndoshta je duke hulumtuar me gulçim për këtë kuptim që të bën të madh në realitet, por ende s’e di si do të fillosh.
Ajo që ka rëndësi, është që mos të të ikin kushtet elementare të ndërtimit të këtij projekti. Në fillim, projekti yt duhet të shpërfaqë forcat e tua reale, duhet të jetë në ujdi me prirjen dhe dëshirat e tua, duhet të të shtyjë drejt perfeksionimit e të të bëjë të gjesh aty shpirtin dhe ndjenjat e tua. Mos u merr me kopjim të rëndomtë, sepse kjo gjë s’është tjetër veçse një përpjekje e pashpresë. Po ashtu, bëj kujdes të mos përhapesh në shumë projekte, ngase në shumicën e rasteve, një gjë e tillë vështirë do të realizohet. Ta them nga përvoja personale, se nuk kam gjetur fjalë më të përshtatshme që e përshkruan suksesin, sesa fjala “fokusim”, dhe se nuk ndiej keqardhje për asgjë, më shumë sesa për paditurinë që kam pasur gjatë një pjese të jetës sime.
Nevoja jonë sot për një fjalë pozitive, për të zgjuar shpirtin e ambicieve në aktualitetin që na rrethon, është më e madhe sesa nevoja për ushqim dhe pije.
Pjesa më e madhe e jona ka më shumë nevojë për një fjalë optimiste, që ka forcë të na shtyjë drejt lartësive, sesa për të marrë përgjigje për pyetjen se si të bëhemi të suksesshëm. Kjo për shkak se ndjenjat e zemrës, brenga e saj për të ardhmen, optimizmi i saj për aktualen dhe përkushtimi i saj për të arritur qëllimet, janë më efektive se çdo metodë tjetër që të jep udhëzime për hapat e nevojshëm drejt suksesit. E kur zemra e njeriut gjallërohet dhe e kupton rolin dhe përgjegjësinë e saj në aktualitetin në të cilin ndodhet, atij i lehtësohet mësimi i rrugës më të shkurtër drejt suksesit të projektit të jetës. Po të më detyroje të ta shkruaja qysh sot, gjersa zemra jote e ka përvetësuar sasinë e duhur të ambicieve dhe e ka kuptuar mirë rolin dhe përgjegjësinë e saj në tokë, do të të thoja:
Fillo njëherë me vetveten. Reflekto thellë pastaj pyete atë: Çfarë mendon? Cilat janë projektet që ndiej se më mbushin me gëzim nëse merrem me to? Cilat janë ato projekte, për të cilat, nëse dëgjoj dy veta duke biseduar rreth tyre, do t’i bëj veshët katër për t’i dëgjuar? Cila është ajo temë, fjalë apo projekt, rreth të cilit kam shumë nevojë të lexoj, hulumtoj apo shfletoj?
Në fillim, këto pyetje vetëm do të ta hapin rrugën dhe do të të udhëzojnë drejt objektivave që shpirti yt i do dhe i kërkon me tërë fuqinë.
Nëse gjen projektin tënd dhe i njeh ëndrrat dhe ndjenjat e tua të vërteta, atëherë duhet të hedhësh hapin e parë, duke mos pasur frikë nga fillimi i rrugës, sado e errët apo e mjegullt të jetë, sepse përpjekjen serioze e shoqëron gjithmonë frika nga e panjohura. Kur të hedhësh një hap, paramendo sikur je duke u afruar një hap drejt ëndrrës sate, se kjo të shtyn drejt botës së dëshirave të tua, të bën të arrish rezultatet që ke pritur.
Hidh hapin tënd drejt të ardhmes së gjerë duke ndjekur modelin e atyre që kanë thënë: “Edhe rruga njëmijë milje e gjatë, fillon me një hap të parë.”
Fillo, teksa në mendje ke këto pika uji të njëpasnjëshme, të cilat me kalimin e kohës gërmojnë hendeqe edhe në shkëmbinjtë e shurdhër.
Fillo, duke qenë i sigurt se fjala e Pejgamberit tënd ? të dhuron mjaft shpresë për ditët e ardhshme: “Puna më e dashur tek Allahu është ajo që është e vazhdueshme, edhe nëse është e paktë.”
Në përfundim, të kërkoj që, nëse do ta realizosh ëndrrën dhe dëshirën tënde apo ta përqafosh projektin tënd sa të jem gjallë, të mos më privosh nga kënaqësia e suksesit tënd. Më lejo të jetoj siç jetojnë të suksesshmit. Më lejo të ndiej se të shkruarit e këtyre fjalëve mund të ketë ndikim në peshoren e umetit. E nëse nuk përpiqesh mjaftueshëm në rrugëtimin tënd, atëherë zgjeroje gjurmimin! Zgjeroje projektin tënd! Shto hapa të tjerë, provo të kapësh për dore çdo njeri që njeh dhe të prezantohesh me projektin që ai ka, ngase kjo do të jetë si një jetë e re për shokun tënd, kur pas vdekjes së tij, ai do të gjejë rezultatin e ndihmës që të ka dhënë.
Pishtar: Pikërisht ai hapi në të cilin je rrëzuar gjatë projektit tënd, është momenti kur ti ke lindur për së dyti!