\Më beso, ti je thjesht të menduarit tënd!
Edhe tani që po i shkruaj këto fjalë, nuk e kuptoj se përse ti po e vë ende veten brenda qarkut të akuzave e mangësive. Përse po e akuzon veten se je vonuar? Përse u dashka të ballafaqohesh me kësi mendimesh dëshpëruese, duke u privuar nga gjërat e mrekullueshme që të presin në hapat e mëtejshëm? Të menduarit tënd është ai që ka prodhuar tek ti atë shpirt të privuar nga shpresat, e njëkohësisht të shtangur përpara ekspozimeve ndaj botës.
Sa madhështore është kjo thënie: “Prej gjërave të provuara në jetë është se, nëse nuk kënaqesh me tjetër pos më të mirës, atëherë do ta arrish atë.” Ajo që do ta bëjë këtë ndryshim, është parafytyrimi që ke për veten tënde. E nëse nuk më beson për këtë që po të them, ja ku e ke tregimin më poshtë:
Një ditë, një i suksesshëm ia mësyu me veturën e tij njërës prej autostradave të shpejta dhe, teksa po rendte nëpër të me shpejtësinë më të lartë, diçka i tërhoqi vëmendjen anash rrugës dhe ktheu kokën për ta parë. Sakaq, ai e ktheu kokën prapë për të parë rrugën, kur ja, u gjend përballë një aksidenti të hatashëm: një kamion ishte ndalur mu në mes të rrugës. Nuk pati rrugëdalje tjetër, përveçse të përplasej me të. Për shkak të goditjes së fuqishme, makina iu ndez e tëra flakë. Kur i erdhi vetëdija, e pa veten në spital, ndërkaq trupin ia kishin mbuluar djegie serioze dhe kishte dhimbje të mëdha, si dhe vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve. Rrjedhimisht, ai mbeti në spital për t’iu nënshtruar trajtimeve mjekësore për një kohë të gjatë. Më pas doli për të filluar jetën prej fillimit, ndërkohë që disa pjesë të trupit i ishin shëmtuar.
Më vonë, atij iu përsërit edhe një herë, një tjetër ndodhi e ngjashme, madje më e rrezikshme se e para: u ballafaqua me rrëzim të aeroplanit me të cilin po udhëtonte. Si pasojë, ai u paralizua në pjesën e poshtme të trupit. Të gjitha këto aksidente nuk ia dolën që këtij njeriu t’ia prishin përshtypjen që kishte për vetveten dhe vetëbesimin. Pas kësaj, ai filloi një periudhë të aktivitetit dhe punës së palodhshme në jetën e tij personale, derisa arriti të krijonte një bagazh të punëve. Madje, ky vetëbesim që kishte, e bëri që të kandidonte për kryetar të vendit të tij, përkundër deformimeve që kishte në pamje, të cilat binin lehtë në sy. Motoja e kandidaturës së tij ishte: “Më dërgoni në kryeqytetin e vendit tim, sepse unë s’do të jem thjesht një fytyrë e bukur atje!”
Shembulli i një njeriu të tillë sot – për mendimin tim – është Muhamed Hasen Mashiu, i paralizuar me katërplegji, i cili përkundër kësaj, gëzon një karakter shumë të lartë, saqë i lë mbrapa shumë prej njerëzve të shëndetshëm në këtë aspekt. Ai është mësues në një shkollë shtetërore, mualim në hallkat e mësimit përmendësh të Kuranit, administrator i një faqeje interneti, e ndërkohë ka qëllime të larta, të cilat vetëm të shëndetshmëve u shkojnë për shtat. Pra, nuk është kusht që të plotësohen vetëm rrethanat fizike, por duhet të plotësohen rrethanat shpirtërore dhe kuptimore fillimisht.
E ka thënë të vërtetën edhe ai që për profesion kishte zgjedhur të bëhej hajdut; pra, kishte zgjedhur të jetonte me pasuritë dhe forcat e të tjerëve. Pasi u zu, dikush e pyeti: Kush është personi që ke vjedhur më së shumti deri sot? Hajduti dha një përgjigje që meriton të shkruhet me shkronja të arta: “Personi që kam vjedhur më së shumti, është vetja ime. Kisha mundësi të bëhesha njeri me projekte të suksesshme dhe anëtar që i sjell kontribut shoqërisë, por mora rrugën e hajdutërisë, ndaj po e kaloj një të tretën e jetës si njeri i mirë dhe i pjekur prapa hekurave.”
Gjëja që të shtyn më së shumti drejt lartësive, është përshtypja që ti ke për veten tënde. Vetja jote s’do të gjejë dikë tjetër që e duartroket dhe e trimëron më shumë sesa vetë ti. Sa dëshmitarë ka mbi tokë, që ndoshta ti je shkaktar për suksesin, përparimin dhe dallimin e tyre nga të tjerët, e ndërkohë vetja jote është më nevojtarja për ndryshim?!
Ta zëmë se ti je i sëmurë, se ke pengesa apo ke memorie të dobët, ose ke bërë përpjekje shumë herë por ke dështuar. Ta zëmë se ti je një grumbull dështimesh të njëpasnjëshme. E çfarë pastaj? Pavarësisht të gjitha këtyre gjërave, tani e ke mundësinë, mu prej këtij çasti, që t’i ndryshosh këto kujtime të këqija, e sipër tyre të shkruash tregimet e suksesit në jetën tënde.
Ta kam thënë edhe më herët: në tokë nuk ka njeri të suksesshëm që nuk ka shijuar fillimisht hidhësinë e dështimit në jetën e tij, e që nuk i kanë dalë në rrugë pengesa në të cilat është rrëzuar, si dhe probleme që e kanë penguar ta realizojë suksesin në fazat e hershme. Por një njeri i tillë i ka tejkaluar të gjitha këto, dhe në fund i ka fshirë gjurmët dhe i ka flakur tutje kujtimet e tyre, duke iu bashkëngjitur karvanit të udhëtarëve që kanë marrë rrugën e arritjes së piedestaleve.
Teksa po të flas, kërkoj nga ti që t’i flakësh tutje të gjitha mendimet e këqija që ta kanë zënë rrugën e suksesit dhe të ngritjes; dua që të vësh pengesë mes mendjes tënde dhe përhapjes së iluzioneve të këqija që të shfaqen kohë pas kohe. Mundohu me të gjitha forcat, që ta bindësh mendjen se ti je i aftë ta ndërtosh të ardhmen tënde në çfarëdolloj forme që ke dëshirë, me cilëndo metodë që ke dëshirë, çfarëdo qofshin rrethanat në të cilat ndodhesh në këto momente.
Përgjigjmu sinqerisht: a nuk ke mundësi që mu tani të ndash një pjesë të kohës tënde për lexim?! A nuk ke mundësi që, në këtë çast, të zgjedhësh për shokë njerëz të suksesshëm që do të të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të larta?! A nuk është mu tani, rasti i volitshëm që të fillosh përpjekjet për të përzgjedhur një pjesë të kohës tënde që të merresh vetëm me qëllimet tua më të rëndësishme?!
A mendon se ndonjëra nga pyetjet që të bëra, është e paarritshme? Atëherë, ç’ke që pret? Pse e mbyt veten, ndërkohë që jeta të buzëqesh përpara? Përse i fik llambat që ta tregojnë rrugën drejt ngritjes, e që janë më të qarta se dielli në mesditë?
Allahu qoftë lavdëruar për ekzistencën e njerëzve si Anbera Xhahiliju, i cili, qysh në kohën e tij, e shtynte gjithmonë veten drejt qëllimeve të larta. Ndërkohë, mendimet që ngërthenin në vetvete zvarritje e dështim, ai i përplaste për muri, e duke ecur në realitet, recitonte:
O zgjidh për veten një vend që të lartëson,
o vdis me nder, nën hijen e luftës që të mbulon,
se asnjë kështjellë, nga vdekja dot s’të mbron,
madje edhe me shkrepa po qe se e fortifikon.
Më e mirë është vdekja e të riut me nder e krenari,
sesa skllav i shikimit të një vashe sy-hyri,
edhe po të ndodhesha në rrethanat e ca robërve,
ambicia ime do të tejkalonte plejadën dhe yjësinë e peshqve.
Edhe nëse prejardhjen time, kalorësit abasitë do ta mohonin,
dhëmbët e shtizës sime dhe shpata ime për këtë do të pohonin,
ujin e jetës mos ma shërbe me nënçmim e përulësi,
më mirë, në vend të tij, më ofro një kungull të egër, por me krenari.
Ti ke mundësi të fillosh! Si? Sa për pikënisje, mos pyet askënd, por mundohu dhe ji këmbëngulës, në mënyrë që Allahu i Lartësuar të ta hapë rrugën e lumturisë dhe të suksesit. Mundohu mos të të preokupojnë kurrsesi dështimet, sepse çdo përpjekje është një hap real praktik për të ndërtuar historinë tënde, si dhe një regjistër i shpresave për ditët e tua të ardhshme.
Të lutem, mos u ndal në mes të rrugës e mos hiq dorë nga përpjekjet! Mos u dëshpëro nga përvojat e përsëritura! Ndërkohë, unë të pres me përmallim, që të më kontaktosh ose të më dërgosh mesazh me postë elektronike, ku do të më lajmërosh për gjurmët që kanë lënë këto fjalë tek ti, për mbresat që kanë mbetur në memorien tënde nga përpjekjet e tua.
***
Pishtar: Të menduarit, në shumicën e rasteve, është ai që ndërton ngjarjet madhështore të historisë në jetën tënde.