Rrëfim zemre
Nuk gjej në mendjen time një kuptim më të thellë sesa dashurinë! E as rrëfim më të mrekullueshëm sesa rrëfimin e dashurisë!
Dashuria është ligjërim emocionesh, më e madhe se hapësira e ndonjë libri dhe më e gjerë se jeta e ndonjë njeriu.
Dashuria është hapësirë e gjelbëruar e cila sjell pranverën në syrin e zotëruesit të saj, edhe nëse në ato momente toka nuk ka asnjë pikë uji.
Dashuria është rrëfim që nuk të mërzit me leximin e shkronjave të saj. Ajo është libër, faqeve të të cilit nuk arrin t'u shkosh në fund. Është tërësi emocionesh prej parfumit të së cilës shpërndahet aroma e mirë në zemër.
Dashuria është balsam që mjekon plagët e të rraskapiturve dhe të lodhurve për vdekje, dhe që u fal prej burimit të ndjenjave të saj të privuarve dhe të stërmunduarve.
Dashuria, kur banon në zemrën e një njeriu, e ujit atë me ëndrra dhe ia përfytyron atij çdo pamje të bukur në tokë.
A mund të imagjinosh dot një njeri pa emocione, pa rrahje zemre dhe pa ndonjë tregim dashurie e ngrohtësie? Kurrë.
Dashuria është sikurse thotë Ikbali:
“Kur njeriu zhvishet nga ajo (dashuria), mbetet forma e tij prej gjaku e mishi. Kur nga ajo zhvishet një popull, atëherë mbetet një tufë bagëtish. Kur nga ajo zhvishet një libër, atëherë mbetet një bojë shkrimi mbi ca fletë. Kur nga ajo zhvishet adhurimi, atëherë ai bëhet rit prej riteve dhe trup pa shpirt. Kur nga ajo zhvishet një qytet, ai bëhet statujë pa kurrfarë kuptimi. Dhe kur nga ajo zhvishet një shkollë apo një sistem arsimor, atëherë ky i fundit bëhet një zakon apo një detyrë që në vetvete nuk përmban kurrfarë kënaqësie e as motivi."
Muhamed Ikbali ishte një njeri i ndritur që e kuptoi shijen dhe ndikimin e dashurisë. Ah sikur ta njihnin të tjerët ashtu siç e njoha unë!
Mund të pyesësh: po ç’lidhje ka dashuria me suksesin?
Të përgjigjem: që të dy janë binjakë të së njëjtës nënë dhe anë të së njëjtës monedhë. Nuk sjell kurrfarë dobie, suksesi i një njeriu pa zemër e pa emocione.
Të gjitha format e suksesit janë të cekëta, të venitura dhe pa gjallëri, nëse u mungon dashuria. Kjo domethënie e përcaktuar nga Ikbali, meriton të jetë e përjetshme në mendjet dhe jetët e njerëzve. Çfarë dobie ka jeta e një njeriu, e cila është e mbushur me plot sukses në çdo aspekt, por që nga ana tjetër është e zhveshur nga dashuria?
Unë nuk po flas këtu për dashurinë e zakonshme të cilën ia dedikon një njeriu nga emocionet e tua, dhe që buron nga zemra jote për të. Po flas për një zemër që vadit me dashuri çdonjërin që takon përgjatë rrugës, dhe që i fal prej ndjenjave të saj çdo nevojtari; këta janë ata fatlumët në suksesin e tyre dhe të ngazëllyerit me të në jetën reale.
Shpeshherë, dashuria fillon me një tregim të shkurtër dhe me një përmasë të kufizuar, por në të njëjtën kohë edhe të drejton drejt qendrës së këtyre ndjenjave madhështore në zemrën e zotëruesit të saj.
Njëherë, njëri nga eprorët amerikanë, teksa po drejtonte Fuqitë Aleate në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, i shkroi një letër nga Parisi gruas së tij e cila gjendej në Amerikë, duke i thënë: “Kam kaluar pranë monumenteve të Roterdamit, ato për të cilat vijnë vizitorë nga të gjitha skajet e botës, mirëpo nuk pashë diçka që të më bënte përshtypje. Thjesht ndjenja se ti më mungon dhe se je larg meje, ma ka shuar ëndjen për t'i shikuar këto ndërtesa të vjetra monumentale.”
Njëri nga liderët e Afrikës, gjersa ishte me mision në Paris, ku kishte shkuar për të kërkuar pavarësinë e shtetit të tij, i shkroi letër së shoqes e cila gjendej në Senegal duke iu drejtuar: “Ende pa e përfunduar fjalimin tim në konferencën për shtyp, e tërë salla u pushtua nga duartrokitjet. Ia dola me sukses duke i bindur të gjithë të pranishmit për objektivitetin e çështjes së vendit tim. Por largësia nga ti, e shtrenjta ime, ma humbi ndjenjën e të shijuarit të suksesit. Pamja jote nuk m’u shkoq në asnjë rast të vetëm nga përfytyrimet e mia përgjatë tërë asaj kohe sa zgjati fjalimi im. Fytyrën tënde e kam vazhdimisht para syve. Ah sikur të të kisha pranë!”
Imagjinoji këto çaste madhështore në jetën e këtyre njerëzve! Detyrat që kishin në vendet e huaja, nuk i hutuan nga ndjenjat e dashurisë për gratë e tyre. Mund ta përfytyrosh se si çastet e suksesit e kërkojnë këtë ndjenjë madhështore në jetën reale, edhe kur vetë arrijnë pikën më kulmore.
Sa shumë nevojë kanë të suksesshmit për këtë ndjenjë në jetën e tyre! Dhe jo vetëm për dashurinë ndaj grave të tyre, por për dashurinë ndaj çdo njeriu.
Bota sot është e tejngopur me ndjenja mërzie. Ajo lundron mbi një grumbull të errët dekurajimi, i cili nuk ka lënë vend për dashuri në zemrat e shumë prej njerëzve. Prandaj, ata kanë nevojë për një zemër që flet me ndjenja të tilla siç është dashuria, dhe ua largon atyre çastet më të errëta.
Më beso, jeta është më e gjerë sesa një moment hidhërimi, një dozë mllefi, apo një çast mërzie.
S’ka më të gjerë sesa jeta që gjendet në zemrat e shpirtmirëve, dhe s’ka më të ngushtë sesa ajo që gjendet në zemrat e të mërziturve!
E zëmë se, në një moment zemërimi, një miku yt të ka bërë padrejtësi, apo një i afërmi yt të ka ofenduar, apo një kolegu yt të ka gënjyer. Duhet të kesh parasysh se ekziston një rrafsh më i madh sesa të gjitha këto rrethana, një hapësirë që i përmbledh të gjitha këto ndodhi, që i vesh ato me rrobat e dashurisë dhe që i dhuron vizione jetës së bukur nga e para.
Nuk është e thënë që njeriu të jetë burrë, vëlla, baba dhe vetëm kaq. Ndjenjat e ngrohta duhet të shtrihen përtej çdo të varfëri, të lënduari e nevojtari në sipërfaqen e tokës.
E rëndësishme është që suksesi që ke arritur, të jetë i ndërthurur me këtë ndjenjë madhështore, të jetë i rrethuar me emocionet e dashurisë dhe haresë në çdo çast të tij.
Pishtar: Ah sikur ta dinin njerëzit vlerën e dashurisë!