Më lejo të të tregoj, se pozicionimi i mendjes përkitazi me vetveten, mund të bëjë ndryshimin madhështor në jetën tënde, qoftë për keq, qoftë për mirë.
Një studim ka nxjerrë në pah se 85% e shkaqeve të suksesit dhe e arritjeve në jetën tonë, e kanë burimin në pozicionimin e mendjeve tona, ndërkaq vetëm 15% e këtyre sukseseve lidhen me përvojën tonë profesionale.
Vërtet, pozicionimet mendore përmes të cilave ruajmë vetet tona, kanë rol të madh në realizimin e suksesit ose dështimit në jetë. Siç citojnë të parët: “Jetën tonë mund ta ndryshojmë përmes ndryshimit të qëndrimeve tona.”
Të gjithë njerëzit e suksesshëm, në shumicën e rasteve gëzojnë një pozicionim të shkëlqyeshëm të mendjeve të tyre karshi vetvetes. Parafytyrimet pozitive në mendjet e tyre, në çdo kohë, i shtyjnë ata përpara për të përqafuar ëndrrat dhe shpresat e tyre. Nuk do të gjesh ndonjë të suksesshëm mbi sipërfaqe të tokës, që ta ketë penguar brenga e dështimit, përveç aq sa do t’i ngjallte dëshirën për të arritur më shumë dhe për të qenë më i suksesshëm.
Autori i librit “Po të shoh në majë” thotë: “Pozicionimi mendor është vetë ajo gjëja e vogël e cila prodhon ndryshimin e madh. Rrëfimi i jetës na siguron se, në përgjithësi, gjërat e imëta janë ato që sjellin ndryshimin masiv mes lumturisë dhe vuajtjes, suksesit dhe dështimit, fitores dhe humbjes...”
Kam parë me sytë e mi shumë njerëz që kanë qëndrime pozitive krejt të rëndomta, të cilat ua kanë ndryshuar jetën në formën më të mahnitshme. Po ashtu, kam parë të tjerë që, si rezultat i qëndrimeve të tyre tjetërsoj, u ka ndryshuar jeta në formën më të keqe të mundshme.
Me t’u qartësuar kjo, e kemi obligim të ndërrojmë vizionin tonë karshi gjërave, qëndrimeve apo ndodhive që përjetojmë gjatë jetës. Duke i parë pozitivisht gjërat, ne do të shtyjmë përpara qëllimet dhe shpresat tona drejt përfundimeve në mënyrën më të shpejtë.
Të marrim si shembull, bie fjala, një lojtar futbolli, i cili i vë vetes një objektiv që do të arrijë kundër një ekipi të caktuar, objektiv ky që shndërrohet në një shkaktar serioz për gjallërinë dhe aktivitetin e tij me atë ekip në veçanti, madje është shumë optimist për takimin që e pret me të; mirëpo vërehet se një lojtari të tillë, në shumicën e rasteve, po qe se i ndodh që të ballafaqohet me një ekip tjetër, e ndërkohë ka krijuar një përshtypje e keqe për të, vështirë se do t’ia dalë të realizojë diçka karshi atij ekipi.
I kësaj natyre është edhe shembulli i një njeriu që dëgjon për rrëzimin e një aeroplani me të gjithë udhëtarët në bord dhe, si pasojë, atë e pushton kjo ngjarje dhe i ndikon edhe në udhëtimet qëllimmira që ka pasur në plan, si dhe sakrifikon kohë të gjata dhe rreziqe shëndetësore, vetëm e vetëm për të shmangur hipjen në aeroplan.
E kështu me radhë, e njëjta gjë mund të thuhet për gjithçka që përmban në vetvete qëndrime të caktuara, pozitive apo negative.
Po ashtu, kësaj i shëmbëllen edhe rasti i një hatibi (ligjëruesi) nëse në fillim të ligjërimit ka sukses, ose nëse i ndodh krejt e kundërta; këto skena do të mbesin të ngulitura aq thellë në mendjen e tij, saqë bazuar në to, ai do të marrë vendime të mëdha në jetë, të cilat mbase do t’i sjellin sukses në projektin e tij, ose do t’ia prishin atë qysh në zanafillë.
Dua të theksoj këtu, se çdo përjetim negativ me të cilin përballesh në rrugën tënde drejt pjekjes, duhet ta konsiderosh si një përvojë të gjallë prej së cilës do të vijnë përjetime të tjera të mëdha pozitive, si një shans për ta trajnuar veten, që pas çdo rënieje duhet të ngrihesh sërish në këmbë, e pas çdo rrëzimi duhet të mbledhësh forcat sërish; madje, ky është një mësim se si mund të ripërtërihet jeta e njeriut.
Më ka lënë shumë mbresa sjellja e një oficeri në njërën prej ceremonive të diplomimit:
Teksa princi po shpërndante trofetë e diplomimit, ky oficer erdhi para tij për të demonstruar modelet e periudhës së trajnimit. Papritmas, me të arritur përballë princit, duke dashur ta përshëndeste atë me përshëndetjen e zakonshme ushtarake, oficeri u rrëzua dhe ra mu përfund sirtarit aty pranë, përpara këmbëve të princit. E gjitha kjo ndodhi para një audience të gjerë, siç janë zakonisht audiencat e diplomimit, madje ceremonia po transmetohej drejtpërdrejt në media.
Është për t’u çuditur se si oficeri në fjalë vendosi atypëraty që t’i mblidhte edhe një herë forcat dhe prej kësaj përvoje të hidhur të nxirrte një përvojë suksesi që ngrihet lart në horizont. Pikërisht këta janë njerëzit e mëdhenj. Në vijim, ai ia doli të thoshte këto fjalë: “Rrëzimet mund t’u ndodhin edhe burrave, të cilët ia dalin që prej tyre të krijojnë shanse për t’u ngjitur edhe më lart.” E tejkaloi situatën dhe u ngrit sërish në këmbë. U kthye me vrap tek pika prej ku ishte nisur fillimisht, u rregullua edhe një herë dhe u nis drejt princit me pamjen e një burri mbresëlënës e të vendosur, që lë gjurmë burrash prapa vetes. U ndal përballë princit dhe e përshëndeti me një pamje gazmore e cila reflektonte qëndrueshmërinë e njerëzve të mëdhenj përballë situatave të dështimit.
Princi s’u përmbajt dot para kësaj situate mahnitëse e përplot pozitivizëm, ndaj ia shtrëngoi dorën me ngrohtësi dhe hoqi nga dora orën e tij personale e ia dha oficerit për ta nderuar për atë shpirt të vyer që kishte. Sakaq, të pranishmit filluan të duartrokitnin të gjithë me ngrohtësi. Pra, ky burrë ia doli që nga kjo situatë e vështirë të nxirrte në pah modelin më madhështor të një personaliteti të suksesshëm, që i bëri të gjithë të pranishmit të duartrokisnin nga mahnitja.
Pa eja me mua ta meditojmë pakëz këtë situatë: ta zëmë se një person vjen në shtëpinë tënde dhe shkapërderdh nëpër të qeset e mbeturinave. Si do të veproje me të? Padyshim që qëndrimi yt do të ishte i rreptë, madje askush s’do të mund të të qortonte, pavarësisht vendimit që do ta merrje kundrejt tij. Nga ana tjetër, si do të veproje ndaj atyre personave që u është bërë punë pothuajse e përditshme që të hedhin qese mbeturinash, dhe atë, jo në shtëpinë tënde por në mendjen tënde, përmes fjalimeve të tyre depërtuese apo situatave të ndryshme ndaj të cilave të ekspozojnë?
Sa njerëz të tillë ka sot, që marrin vendime të prera kundrejt çdonjërit që, i shtyrë nga egoja e tij, mund të dëmtojë diçka në shtëpinë e tij, ndërkohë që nuk ia dalin dot, apo më mirë të themi, bëjnë sikur nuk ia dalin dot, për t’iu kundërvënë atyre që çdo ditë hedhin mbeturina në mendjet e tyre?!
Këto janë ato gjëra që të japin përshtypjen se forcat e tua janë të dobëta, apo të bëjnë të dyshosh në vendimmarrjet tua, apo të zvogëlojnë efikasitetin, apo vetëbesimin, apo të shlyejnë gjurmët dhe të bëjnë të mos ndjesh nevojë për të arritur lartësitë. Të tillët e kanë përvetësuar mirë artin e hedhjes së mbeturinave në mendjen tënde, ndaj këta janë shumë më të këqij sesa ai që ditë e natë të hedh bërllok në portën e shtëpisë.
Do të të jap edhe një shembull më të kapshëm, të cilin e vëren çdo ditë në jetën tënde: A nuk i sheh të sëmurët nga sheqeri, nga tensioni i gjakut apo nga çfarëdo sëmundje tjetër që shkakton varësi? A nuk i ke parë se si humbasin peshë në mënyrë të dukshme, u zbehen sytë dhe çdo ditë duken tek ata qartë shenjat e plogështisë, e në çdo moment i vëren të tendosur dhe gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të përkeqësohet çast pas çasti? Pastaj sheh një tjetër që vuan nga po e njëjta sëmundje, apo që i ka të gjitha simptomat e edhe më shumë, por megjithatë, tek ai nuk vëren asgjë nga ato që cekëm më lart. Ky qesh me plot gaz; gjendja e tij shëndetësore duket shumë e mirë, madje të lind dyshimi nëse është i prekur nga kjo sëmundje apo jo!
Shkaktar i këtyre që përmendëm është pozicionimi mendor që secili prej këtyre të sëmurëve ka marrë. I pari rënkon gjithmonë për fatin e tij, qan për kohën e tij, i fajëson ditët e tij, madje ndoshta edhe dëshpërohet nga përcaktimi hyjnor (kaderi) apo e akuzon Zotin e tij. Ndërkaq, i dyti dallon krejtësisht: ai shpreson në shpërblimin e Allahut të Lartësuar për këtë që ia ka caktuar dhe është falënderues ndaj Tij.
Gjatë punës sime profesionale kam njohur shumë prej kolegëve të mi me të cilët jam takuar, apo shokë të profesioneve të tjera, të cilët më kanë habitur me tregimet e tyre për triumfin vetanak. Njëri prej tyre qe bërë mësues, pasi më parë kishte qenë shkrues ligjor në njërin nga departamentet gjyqësore, dhe këtë e arriti përmes mësimdhënies gjatë natës apo mësimdhënies nëpër shtëpi, sakaq ia doli që sot të bëhet mësues i brezave. E di mirë se teksa po punonte në atë departament gjyqësor, shpresa ia kishte kapluar zemrën për sekretin e të ardhmes, ndërsa pozicionimi i tij përkitazi me personalitetin ishte tejet pozitiv, gjë që bëri që në fund të përqafonte ëndrrën e tij dhe ta realizonte shpresën madhështore që kishte. Po ashtu, di një tjetër që kaloi prej shërbimit ushtarak të forcave të armatosura në profesionin e një mësuesi të dalluar, në ambiente të njerëzve të edukimit dhe mësimdhënies.
Këtyre njerëzve, po të mos kishin një pozicionim pozitiv karshi veteve të tyre, Allahu i Lartësuar nuk do t’u mundësonte arritje të tilla.
Detyra ime këtu, është që ty të të ofroj zgjidhje që vijnë nga goditjet e shigjetave të sukseseve të tua në praktikë, por nuk jam kurrsesi përgjegjës për të ngulitur në kokën tënde, apo për të të detyruar që t’i çosh në vend këto porosi, nëse ti vetë nuk ia bën qëllim vetes zbatimin e tyre në praktikë dhe të vraposh për to nëpër botën e gjerë.
Unë nuk po të këshilloj ato gjëra për të cilat do të të këshillonin edukatorët e programeve psikologjike: “Shkruaj mendimet dhe shprehitë e tua të këqija në një letër, pastaj shqyeje letrën dhe thuaj: Unë jam i suksesshëm. Unë jam i suksesshëm. Unë i besoj vetvetes.”, e kështu me radhë... Assesi! Ajo që unë po të them është: Hidhu përpara Zotit tënd! Lute Atë duke qenë i përulur, duke iu përgjëruar, i frikësuar dhe i penduar thellë, që të t’i hapë rrugët, që të të ndihmojë për të ndërtuar vetveten dhe të ardhmen tënde, që të të dhurojë përkrahje dhe ndihmë nga ana e Tij. Të gjitha këto bëji duke kërkuar kohët e pranimit të lutjes: qoftë orët e syfyrit në orët e fundit të natës, qoftë kohën kur pranohen lutjet çdo javë në ditën e xhuma.
Edhe një herë po të ftoj që të simulosh disa mendime pozitive dhe ta mësosh veten me to, të ndërtosh vizione të larta. E pas gjithë këtyre tentimeve, të qëndrosh i palëkundur, i fortë përballë çdo situate demoralizuese që të shfaqet gjatë rrugës, të qëndrosh në rrugë. Kështu, të premtoj, duke shpresuar në Allahun e Lartësuar, se do ta përcaktosh vetë atë që ti shpreson ta arrish dhe që synon të jetë suksesi dhe shpëtimi yt.
***
Pishtar: Nëse ti nuk e vlerëson vetveten, dije se nuk do të gjesh askënd që do të të duartrokasë gjatë rrugëtimit tënd!
***