O njeri i arsyeshëm, besoje Allahun për Zot e të Dërguarin e Tij Muhamedin ? për profet; pasoje atë dhe vepro sipas proklamatës me të cilën u dërgua nga Zoti, gjegjësisht sipas fesë islame, burimi i së cilës është Kurani madhështor – fjala e Zotit, dhe hadithet autentike – fjalët e vulës së profetëve, Muhamedit ?. Profeti e kishte një mbrojte të veçantë nga Zoti; ai nuk urdhëronte asgjë tjetër përpos urdhëresave që i jepte Zoti, sikundërqë nuk ndalonte nga asnjë send, përveç nga ajo që e ndalonte Zoti. Thuaj pra sinqerisht: Allahu është Zoti dhe Hyjnia ime. Thuaj gjithashtu: Muhamedi ? është i Dërguari i Allahut dhe atë e ndjek! Kjo është udha e vetme e shpëtimit! Na shoqëroftë lumturia përherë e përjetë!
Nëse arsyeja jote e shëndoshë i kapi këto të vërteta, pra, se Allahu i Lartë është Zoti yt - i Cili të solli në ekzistencë dhe i Cili të furnizon pareshtur, se Ai është i Vetmi Zot i Vërtetë e i Paortak, se ta adhurosh Zotin është detyrë e pashmangshme, se Muhamedi ? është Profeti që Zoti e dërgoi tek ti dhe te mbarë njerëzimi. Pra, tani mësoje se besimi yt në Zotin e Madhërishëm dhe në Profetin e Tij, Muhamedin ? mund të konsiderohet i vlefshëm e i pranueshëm vetëm nëse vërtet e beson, e përqafon dhe e jetëson fenë Islame, ngase Zoti këtë fe e përzgjodhi për ne, na urdhëroi ta jetësojmë dhe me të i dërgoi të gjithë profetët, sikurse edhe Muhamedin – vulën e profetëve ?.
Vula e profetëve dhe kumtari i Zotit për mbarë njerëzit thotë:
“Islami është të dëshmosh se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh ramazanin dhe, nëse ke mundësi, ta bësh haxhin në Qabe!”
Pra, Islami është feja botërore, të cilën Zoti e bëri të detyrueshme për mbarë njerëzit. Këtë fe e besonin të gjithë profetët, të cilët sheshazi e proklamonin dorëzimin e tyre ndaj Zotit, i Cili shpalli prerazi se nuk pranon asnjë fe tjetër përveç Islamit!
I Larti ka thënë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Kurani, 3:19)
Po ashtu, Allahu i Madhërishëm thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Kurani, 3:85)
Kuptimi i përgjithshëm i këtyre dy ajeteve:
Zoti i Lartë na tregon se fe e vetme tek Ai është Islami, kurse në ajetin tjetër na tregon se nuk e pranon asnjë fe tjetër përveç Islamit.
Sikurse na tregon se në botën tjetër, askush përpos muslimanëve nuk do të jetë i lumtur; e ata që vdesin në një fe tjetër përveç Islamit, do të jenë të humbur në botën tjetër dhe ata i pret dënimi me zjarr.
Për këtë arsye, të gjithë profetët e proklamonin Islamin - dorëzimin ndaj Zotit, dhe distancoheshin nga gjithkush që nuk i dorëzohej Atij. Cilido hebre apo i krishter që dëshiron shpëtim e lumturi, le të hyjë në Islam dhe le ta ndjekë Profetin e kësaj feje - Muhamedin ? që si rrjedhim, vërtet, të jetë një pasues i denjë i Musait e i Isait (paqja qoftë mbi ta!). Kjo ngase Musai, Isai, Muhamedi ? dhe të gjithë profetët e Zotit, ishin muslimanë dhe propagandues të Islamit, ngase kjo fe është feja e Zotit, i Cili i dërgoi ata profetë që të kumtonin Islamin te njerëzit. Tani e tutje, pasi Allahu e ka dërguar me mision Profetin e Tij, Muhamedin ? e deri në fundin e kësaj bote, askush nuk mund të konsiderohet musliman - i dorëzuar ndaj Zotit, e as që ia pranon Allahu dikujt një pretendim të tillë, përveçse nëse e beson vulën e profetëve - Muhamedin ? si profet të dërguar nga Zoti, e pason atë dhe vepron me mësimet e shpallura nga Zoti në Kuran.
Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Kurani, 3:31)
Kuptimi i përgjithshëm i ajetit:
Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij, Muhamedin ? që t’u thotë atyre që e pretendojnë dashurinë e Zotit: nëse ju e doni vërtet Allahun, atëherë ndiqmëni mua, e kështu do të fitoni dashurinë e Allahut. Kjo ngase Allahu nuk ju do e as që jua falë mëkatet, përveç nëse i besoni Profetit të Tij, Muhamedit ? dhe e pasoni atë.
Ky Islam, me të cilën u dërgua Muhamedi ? nga Zoti i Madhërishëm, te mbarë njerëzit, pikërisht ky është Islami i plotë, gjithëpërfshirës, i lehtë e tolerant, të cilin e përsosi Zoti dhe e përzgjodhi për robërit e Tij, prej të cilëve nuk e pranon asnjë fe tjetër. Këtë Islam e sihariqonin dhe e besonin të gjithë profetët.
Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Kurani, 5:3)
Kuptimi i përgjithshëm:
Teksa Profeti Muhamed ? ishte në Arafat - në Mekë, duke kryer ritualet e haxhit të lamtumirës - nga fundi i jetës së tij, periudhë kjo kur feja e vërtetë kishte marrë dhenë, ndërsa zbritja e Kuranit veçse ishte në përfundim e sipër, Zoti i shpalli këtë ajet fisnik.
Zoti Fuqiplotë po na tregon se me dërgimin e Profetit Muhamed ? dhe me zbritjen e Kuranit të madhërishëm e përkreu fenë dhe e përsosi mirësinë hyjnore. Na tregon se vetëm këtë fe Ai e pranon e assesi ndonjë tjetër.
Gjithashtu, na tregon se Islami me të cilin erdhi i Dërguari i Tij, Muhamedi ? është një fe e përsosur, gjithëpërfshirëse dhe e përshtatshme për çdo kohë, vend e popull; është feja e diturisë, e lehtësimit, e drejtësisë dhe e mirësisë. Kjo fe është sistemi më i përkryer që i përgjigjet çdo nevoje jetësore të njeriut, pra, përmbush shpirtin dhe organizon jetën qytetare. Kjo ngase ajo vepron me metodologjinë më të drejtë në të gjitha segmentet e jetës, që nga pushteti, gjyqi, politika e deri te çështjet sociale e ekonomike. Po pra, ajo mbarështon jetën në tërësi, sikurse siguron edhe lumturi në jetën pas vdekjes, në jetën e amshimit.
Islami i plotë, me të cilin e ka dërguar Allahu Profetin e Tij, Muhamedin ? është i ndërtuar mbi pesë shtylla. Njeriu nuk bëhet dot musliman i vërtetë, përveçse kur t’i besojë e t’i zbatojë ato:
1. Të dëshmojë se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut;
2. Ta falë namazin;
3. Ta japë lëmoshën e detyrueshme (zekatin);
4. Ta agjërojë muajin ramazan;
5. Ta bëjë pelegrinazhin (haxhin) në shtëpinë e shenjtë – Qabe, nëse ka mundësi rruge;
I Dërguari i Allahut ? ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshmia se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit - lëmoshës së detyrueshme, haxhi - pelegrinazhi tek Shtëpia e Shenjtë dhe agjërimi i muajit ramazan!”
Këto shtylla kanë shtrirje të gjerë në argumentet e Kuranit Famëlartë.