BALLINA VIDEO URTËSI POROSI HYJNORE CICËRIMA PROFETIKE KËSHILLA
UrtësiMos u dëshpëro ngase Zoti yt falë mëkate dhe pranon pendime Tejkalo shqetësimet dhe brengat Dëboje mërzinë nga jeta jote Lumturia e shokëve të të Dërguarit (paqja e Allahut qoftë mbi ta) Frenimi i emocioneve Arti i të qenit i lumtur E mira e diturisëBuzëqeshu Pikëllimi me Islam nuk është i lejuar as i preferuarDhe kështu u bëmë popullin më të drejtë Kujto Xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe Toka Ji i kënaqur me atë çfarë të ka caktuar Allahu, do të jesh njeriu më i pasur Mos u thyej nga gjëra të parëndësishmeNuk janë të gjitha problemet e kësaj bote problemet tuaDurimi është pasuri Thuaj: Udhëtoni nëpër Tokë Namazi, namazi... Merr mësim nga ata që janë në sprovë Prano jetën ashtu siç është Kur përmendet Allahu, zemrat vërtet qetësohen! Merre mjaltin por mos e thyej kosheren Besimi është vetë jeta! Dhuratë nga Allahu Shtëpia le të jetë e gjerë Ai është, i cili i përgjigjet nevojtarit, kur ky i drejtohetKrijo prej limonit pije të ëmbël Po, me të vërtetë, me vuajtjen vjen edhe kënaqësiaPërcaktimi i Zotit Mos u bëj parazit Plotëso kohën e lirë me punë Bamirësia ndaj të tjerëve të bën zemërgjerë Mos prit mirënjohje nga askush Si t’i kundërvihemi kritikës qëllimkeqe? Lere të ardhmen të vijëDita është vetëm e jotjaÇka u bë, u bë Mendo dhe bëhu mirënjohësJeto i lumturO Allah!
Buzqeshu
Buzëqeshu
Aid el Karni
E qeshura e matur është ilaç për të gjitha brengat dhe pikëllimin. Kjo është fuqi jashtëzakonisht e fuqishme e cila e gëzon shpirtin e njeriut dhe ngjallë gëzim në zemër.
Ebu Derda ka deklaruar: "Dua ta bëj njeriun të qeshë, në mënyrë që ta lehtësoj zemrën e tij."
Njeriu më fisnik, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), qeshte aq shumë sa që nganjëherë i dukeshin dhëmballët. Kjo tregon se e qeshura është mjet i njerëzve të mençur e të urtë me të cilën e shërojnë zemrën dhe shpirtin.
E qeshura është momenti kur shpirti mbushet më së shumti, kulmi i qetësisë dhe i gëzimit. Mirëpo, kjo e qeshur ka kufi dhe nuk është e tepruar: "Dhe mos e tepro me qeshje, vërtet e qeshura e tepruar e lodhë shpirtin."
E qeshura duhet të jetë e matur si dhe çdo punë tjetër:
"Buzëqeshja në takim me vëllain është sadakë". (hadith)
"Dhe ai qeshi më zë për fjalët e tij." 
Duhet dalluar qartë të qeshurën nga përqeshja dhe ironizimi:
"Dhe pasi u solli faktet Tona, ata, befas, filluan të tallen me to."
Qeshja është një prej begative, të cilën do ta gëzojnë banorët e Xhenetit.
"Sot ata që besuan – do t’i përqeshin jobesimtarët."  
Arabët të qeshurën e shikonin me mirësi ngase ajo aludon për zemërgjerësi, shpirt të ngrohët, fisnikëri, shpirt të hapur dhe mirësi.
Një poet shkruan:
 
Njeriu i cili qeshë i gëzohet dhuratës,
është i mahnitur nga çdo takim miqësor.
Zehiri në këngën e vet për shpirtin thotë:
Njeriu i mirë gëzohet kur i shkon,
sikur t’i dërgosh pasurinë më të madhe.
Është e vërtetë që Islami është bazuar në drejtësi dhe në rrugë të mesme në besim, akaid, etikë dhe mirësjellje. Prandaj në të nuk ka vend për melankoli dhe ngrysje, e as për tmerr dhe shtangie. Islami sjelle seriozitet, respekt, lehtësim dhe frymë stabile.
Ebu Temami thotë:
Gjithçka në jetë ia detyroj babait,
i cili ka qenë ylli i urtësisë.
Urtësisë së madhe të mëngjesit, argëtues,
shumë serioz, i cili në jetët e të tjerëve fuste gëzim.
Fytyra e ngrysur dhe e mërzitur janë dëshmi të njeriut të pakënaqur dhe të shqetësuar, i cili kurrë nuk ka disponim të mirë:
"Pastaj u zbeh dhe u ngrys."
Fytyrat e tyre janë të nxira nga errësira e mendjelartësisë,
sikur dikush t’i kishte futur me dhunë në zjarr.
Ata nuk janë njerëz që shkëlqejnë në çdo takim,
si yje që lëvizin në pafundësinë e qiellit
O vëlla, sikur miqtë e tu t’i prisje me buzëqeshje, do të ndieje lumturi dhe mirësi të madhe.
Ahmed Amini në librin e tij Fejd el-Hatir deklaron: "Njerëzit të cilët qeshen në jetë nuk janë vetëm më të lumturit në shpirt, por janë edhe më të zellshmit, më të duhurit për përgjegjësi të ndryshme, njerëzit më të mirë në kohëra të vështira dhe kur zgjidhen situata problematike. Ata i qasen në mënyrën më të mirë gjërave të cilat janë të dobishme, si për ta ashtu edhe për njerëzit tjerë."
Nëse do të ndodhesha në situatë të zgjedh midis urisë së madhe, ndonjë funksioni të lartë dhe shpirtit të kënaqur, buzagaz, do të zgjidhja këtë të fundit.
Në të vërtetë, çka të duhet pasuria nëse je i mërzitur dhe i dëshpëruar?!
Çka të vlen pozita e lartë kur ke shqetësime shpirtërore dhe skamje?!
Në fund, çka të vlen tërë pasuria e kësaj bote, nëse je i frikësuar, i shqetësuar dhe i mërzitur sikur kthehesh nga xhenazja e një personi të dashur?!
Çka të vlen bukuria e femrës nëse është gjithnjë e ngrysur, nervoze dhe shtëpia e së cilës të bëhet xhehenem?!
Shumëfish më e mirë se sa ajo është femra e cila nuk është e bukur si ajo, por e cila me disponimin dhe me sjelljen e saj shtëpinë ta bën xhenet.
E qeshura vlen vetëm atëherë kur buron nga natyra e njeriut plot mirësi. Lulet e pyjet, lumenjtë e detet, qielli dhe yjet edhe shpezët – të gjithë qeshen. Njeriu për nga natyra e vet është  i qeshur dhe gaztor. Ajo që e prishë këtë pamje dhe natyrë të tij janë lakmia, epshi dhe e keqja, që e bëjnë të ngrysur. Në këto momente ai është në disharmoni me karakterin e vet origjinar. Për këtë, çdonjëri që është i ngrysur nuk e sheh bukurinë askund, kurse ai që e ndotë zemrën e vet nuk e sheh realitetin.
Çdo njeri këtë botë e shikon përmes veprave, mendimeve dhe motiveve të veta. Prandaj, nëse veprat e tij janë të bukura, mendimet e pastra dhe motivet e mira, ai ka qëndrim pozitiv ndaj kësaj bote. Njeriu i tillë botën e shikon në bukurinë e saj origjinale. Në të kundërtën, qëndrimet e njeriut janë të mjegulluara, pamjet e botës të zymta dhe ai gjithçka përreth e sheh të zezë dhe të padobishme. 
Ekzistojnë persona që nga çdo gjë krijojnë fatkeqësi dhe vuajtje, por edhe ata të cilët në gjithçka kërkojnë lumturi dhe gëzim. Disa femra në shtëpinë e tyre vërejnë vetëm gabime dhe kujtojnë ditët e zeza kur, për shembull, është thyer ndonjë pjatë, kur gjella ka qenë më shumë kripë ose kur dhoma ka qenë e parregulluar. Atëherë ato bëjnë zhurmë, shajnë dhe qortojnë secilin që ndodhet në shtëpi, dhe kështu ndizet shkëndija e cila shkakton zjarr. Ekzistojnë njerëz të cilët ia vështirësojnë jetën vetes edhe njerëzve përqark.
Njerëz të tillë çdo fjalë e dëgjojnë dhe e komentojnë gabim, nga ndonjë ngjarje e parëndësishme krijojnë katastrofë, vajtojnë me sa zë kanë për shkak të tregtisë së pasuksesshme, fitimit të pakët, dëshirës së paplotësuar e të ngjashme. Në sytë e tyre tërë bota është e zezë, dhe këtë ndjenjë ata e bartin tek të tjerët përreth. Ata kanë aftësi të jashtëzakonshme për teprime dhe zmadhime të çdo gjëje që zhvillohet, mizën e bëjnë buall, fijen e barit- dru. Por, ata nuk kanë fuqi për të bërë vepër të mirë, kështu që nuk janë të lumtur kur shpërblehen, edhe nëse është shumë dhe janë të pakënaqur me çkado që arrijnë, qoftë edhe grandioze.
Jeta është art, ndërsa arti mund të mësohet. Prandaj për njeriun është më mirë të mësoj se si ta plotësojë jetën e vet me lule, aromë dhe dashuri, para se t’i përkushtohet mbushjes së xhepave dhe kasafortave me para.
Çka është jeta nëse shndërrohet në vrapim pas parave?
Çka është jeta nëse në të nuk do të kishte mëshirë, dashuri dhe bukuri?!
Numri më i madh i njerëzve është i verbër para këtyre bukurive të kësaj bote. Ata i shohin vetëm pasuritë materiale dhe paratë. Njerëzit e tillë kalojnë pranë kopshteve të bukura, luleve të mrekullueshme, puseve të bekuara dhe zogjve që këndojnë, por nuk dinë të kënaqen me to. Kënaqen vetëm me para kur vinë dhe shkojnë. Duhet pranuar se paraja është mjet për jetë të mirë, por këta njerëz këtë e kanë kuptuar gabimisht, andaj pandehin se jeta e mirë mund të blihet dhe se kjo në realitet është jetë e cila rrotullohet rreth parasë. Sytë na janë dhënë të shikojmë bukurinë, por ne këtë e kemi ndryshuar dhe i shikojmë vetëm paratë.
Asgjë nuk e bën fytyrën më të zymtë sesa dëshpërimi. Prandaj, nëse dëshiron të kesh buzëqeshje në fytyrë, lufto kundër dëshpërimit. Dyert dhe shanset janë të hapura për ty dhe për mbarë njerëzimin, prandaj mësoje mendjen të jetë e hapur për shpresë dhe prit të mira në të ardhmen.
Nëse je i bindur se je krijuar për të kryer gjëra të vogla atëherë në jetë do të arrish shumë pak. Nëse mendon se je krijuar për qëllime të larta dhe ke ambicie të mëdha, do t’i thyesh të gjitha barrierat e pengesat para vetes, do të kalosh kufijtë dhe do të arrish në hapësirën e pafund dhe do të arrish qëllimin më të lartë. Për këtë dëshmon edhe shembulli nga jeta e njerëzve të cilët i kanë kushtuar gjithçka gjërave materiale. Ai që në këtë garë për gjëra materiale lodhet në njëqind metra, aty mbetet, kurse ata më të qëndrueshmit nuk ndiejnë lodhje dhe kalojnë disa qindra metra. Qëllimi dhe vizioni i jetës tënde pasqyrojnë fuqinë tënde. Prandaj, cakto qëllimin tënd dhe ai le të jetë i lartë. Ndonëse ai arrihet me vështirësi, ti do ta realizosh vetëm nëse i afrohesh çdo ditë, atij hap pas hapi.
Ajo që njerëzit i ndalon në Rrugën e së vërtetës dhe i hedh në burg është dëshpërimi, zhgënjimi, jeta mëkatare, qëndrimet negative, kërkimi i të metave të njerëzve dhe fokusimi në prapësitë e kësaj bote.
Rrugën më të mirë deri te suksesi njeriut mund t’ia mësojë edukatori i mirë, i cili tek ai e sheh potencialin për bamirësi, i balancon, i thekson dhe i zhvillon virtytet më të mira. Ai e mëson njeriun të jetë zemërgjerë dhe i mirë, e mëson se qëllimi më i mirë që duhet synuar është të jetë burim i mirësisë për të gjithë njerëzit, aq sa mundet, që shpirti i tij të jetë diell, i cili rrezaton dritë, dashuri dhe mirësi, pastaj që zemrën ta ketë plot butësi, bamirësi, humanizëm dhe dashuri e cila do t’i lidhë të gjithë njerëzit në mirësi.
Kur të ballafaqohet me vështirësi, shpirti i qeshur i tejkalon dhe i mposhtë. Ai vështirësitë i pret me të qeshur, i tejkalon dhe i mposhtë me të qeshur. Shpirti i ngrysur e bën të kundërtën, ai i zmadhon vështirësitë, kurse e zvogëlon vlerën dhe fuqinë e vet, andaj vazhdimisht përdor shprehjet "nëse", "sikur", "po qe se".
Koha të cilën njeriu i mërzitur e mallkon e bën në të vërtetë disponimin dhe mënyrën e tij të jetës. Atij i pëlqen suksesi në jetë, por nuk dëshiron ta paguajë çmimin e tij. Për të në çdo rrugë qëndron një luan i tmerrshëm, ngase pret që qielli të lëshojnë shi floriri dhe që toka të nxjerrë jashtë seharet me pasuri.
Fatkeqësitë në jetë janë gjëra relative. Për shpirtrat e ngushtë gjithçka është shumë e vështirë, gjersa për shpirtrat e lartësuar nuk ka fatkeqësi dhe probleme të mëdha. Ndërkohë që shpirtrat e lartësuar në fatkeqësi forcohen, shpirtrat e dobët sëmuren duke ikur nga vështirësitë. E keqja është si qeni, nëse frikohesh dhe fillon të ikësh, qeni ka për të lehur dhe do të sulmojë. Mirëpo, nëse e sheh që nuk po frikohesh dhe që nuk je duke ia vërë veshin, largohet nga rruga madje edhe të frikësohet.
Prandaj, për njeriun është dështim të ndjehet i dobët, i pavlerë, i paaftë për të bërë ndonjë gjë të madhe dhe një të mirë të madhe. Këto ndjenja te njeriu e mbysin njësinë e sigurisë, të besimit dhe e dobësojnë  imanin e tij, kështu që ai në fillim heq dorë nga një vepër dhe nuk shpreson në sukses, i bindur në dobësinë dhe në paaftësinë e vet.
Besimi në vete është një veti dhe ndjesi fisnike. Kjo është shtylla e suksesit në jetë dhe ajo dallon nga vetëmashtrimi që është pasojë e veprave të këqija. Dallimi midis këtyre dy ndjesive qëndron në faktin që vetëmashtrim është besimi i shpirtit në diç joreale, mendjelartësi e imagjinatave dhe e rreme. Nga ana tjetër, besimi në vetvete është pasojë e mbështetjes në aftësinë personale, përgjegjësia të cilën e bartim si edhe fuqinë e potencialit që e kemi.
Ilja Ebu Madi, në një poezi të veten, thotë:
Tha: Sa i zymtë dhe keqdashës është qielli?
U përgjigja: Qeshu, mjafton që ai është nxirë.
Tha: Ah, sikur të më kthehej sërish rinia.
U përgjigja: Qeshu, pikëllimi yt nuk do ta kthejë.
Tha: Ajo që në rini ka qenë e lartësuar,
tani në dënim Xhehenemi u shndërrua.
Vitet më tradhtuan, pasi që ua dhurova zemrën,
prandaj, ku të gjej forcë për të qeshur?!
U përgjigja: Qeshu dhe këndo, sikur do mendoje për jetën,
do ta kuptoje se e ke shkruar vetëm në vuajtje.
Tha: Bota po vdes në luftëra tmerruese si udhëtari që vdes nga etja,
edhe luanesha që përvidhet pas viktimës, gjak kërkon edhe për të zhduket.
U përgjigja: Qeshu, botën nuk mund ta shërosh,
mirëpo, kush e di ç’do të ndodhë, nëse e provon me të qeshur.
Mbase rreth teje ka edhe fajtorë të tjerë,
kurse ty të bren natën pagjumësia shqetësuese.
Tha: Të tjerët përreth lëngojnë nga dhembja, gjersa ata vuajnë në ethe, si mund të gëzohem.
U përgjigja: Qeshu, po të mos ishe më i mirë, s’do kërkonin qortimin tënd!
Tha: Të mirat kanë trokitur në derë,
njerëzit kanë veshur veshje të bukura dhe stoli.
Unë në dorë s’kam asnjë dërhem,
kurse për miq duhet aq shumë dhurata.
U përgjigja: Qeshu, është mirë që je gjallë,
e jo nga ata që janë larguar moti nga miqtë.
Tha: Netët e gjata më kanë vulosur hidhërim të pafund.
U përgjigja: Qeshu, edhe nëse e ke tërë pikëllimin e botës.
Ngase, nëse një fatkeq të sheh të qeshur,
mbase edhe vuajtjet e veta i përballon dhe qeshë.
Dije se, ndërsa kërkon dërhemë i pikëlluar,
i vret në vete gjurmët e fundit të qeshjes.
O ti që shkakton zhurmë e zallahi,
asgjë e vdekshme nuk ta kanos jetën.
Prandaj, qeshu ngase yjet qeshin në errësirën e pafund,
andaj i duam, andaj na pëlqejnë!
Tha: Natyra e qeshur nuk u sjell lumturi njerëzve,
ngase çdo njeri nuk zgjedhë botën dhe vdes.
U përgjigja: Qeshu, ndërsa midis teje e vdekjes është veç një çast,
ngase rastin për qeshje këtu nuk do ta kesh pastaj.
Sa shumë kemi nevojë për qeshje, natyra e lumtur, zemërgjerësia, edukata e mirë, butësia dhe mirësjellja.
"Allahu më ka shpallur që të jeni modestë, në mënyrë që ndaj njëri tjetrit të mos veproni në mënyrë të padrejtë dhe që të mos bëni mëkat njëri kundër tjetrit." (hadith)
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemusliman
/ tijemuslimanint
© Të gjitha të drejtat e rezervuara.
info@tijemusliman.com