"Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe e përhapë mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i Denji për falënderim."[1]
Një besimtar i sinqertë dhe i zellshëm më ka treguar se si një ditë me familje ishte gjendur thellë në shkretëtirë, kur u kishte mbaruar uji. Duke përmendur Allahun, ai u nis të kërkonte ujë. Por, ngado që shkonte, nuk kishte asnjë gjurmë nga uji, endej djathtas e majtas, haste puse të shteruara dhe shtretër lumenjsh të tharë, por nuk kishte asnjë gjurmë e as një gurgullimë uji. Etja kishte filluar t’i lodhte dhe fëmijët ia plasën vajit. Atëherë ky njeri i mirë mori abdes, fali dy reqate dhe filloi t’i drejtonte lutje të sinqerta Allahut. Lotët ia njomnin fytyrën gjersa po deklaronte lutje nga zemra. Atëherë kujtoi fjalët se vetëm Allahu i përgjigjet nevojtarit në vështirësi.
"A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!"[2]
"Në momentin që e përfundova lutjen, nga askund u shfaqën retë në qiell mbi ne dhe filloi të binte një shi i bollshëm gjithandej përqark", ky njeri i mirë më tha.
"Prej kësaj ne shuam etjen dhe morëm abdes, që na dha forcë të kthehemi në shtëpi. Atëbotë e kuptova se Lavdiploti e kishte lëshuar shiun për shkak të lutjes sime të sinqertë dhe se vetëm Ai na e shoi etjen, andaj e kam falënderuar pafundësisht për këtë", përfundoi njeriu rrëfimin e tij.
Prandaj, ne gjithnjë duhet sinqerisht dhe vendosmërisht t’i lutemi Allahut ngase vetëm Ai përmirëson gjendje, jep udhëzim dhe furnizim, lëshon shi dhe ofron çdo të mirë.
"Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh."[3]