Shokët e të Dërguarit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), zotëronin thesare të fjalëve të bukura e të dobishme që ua kishte mësuar i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Çdo fjalë e tyre ka qenë e lartësuar, edukative dhe tejet e vlershme.
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të), i kishte kërkuar të Dërguarit t`ia mësonte një lutje. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i tha:
"Thuaj: 'Zoti im, unë kam shkaktuar dëm të madh ndaj vetvetes, ndërsa vetëm Ti falë mëkate, andaj më fal dhe më mëshiro. Ti vërtet falë mëkate dhe je mëshirues.'"
Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Kërko falje dhe shëndet nga Allahu."
Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Thuaj: 'Zoti im, më udhëzo dhe më bëj që të jem i vendosur.'"
Ubejd ibën Husajnit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Thuaj: 'Zoti im, më dhuro arsyeshmëri dhe më ruaj nga prapësia e shpirtit tim.'"
Shedad ibën Evsit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Thuaj: 'Zoti im, bëj që të jem i fortë, i vendosur, i arsyeshëm, mirënjohës për të mirat e Tua dhe të robëroj vetëm Ty me ndershmëri. Të lutem të më dhurosh zemër të pastër dhe gjuhë të sinqertë. Të lutem të më dhurosh mirësinë që Ti e di dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga prapësia që Ti e di. Kërkoj falje mëkatesh për atë që nuk e di, ngase vetëm Ti i njeh të gjitha të fshehtat.'"
Muadhit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Thuaj: 'Zoti im, më ndihmo të kujtoj Ty, të falënderoj Ty dhe të përulem Ty.'"
Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të), i ka thënë: "Thuaj: 'Zoti im, Ti je Ai që falë mëkate dhe e do faljen, ndaj më fal mua.'"
Mund të vërehet se në të gjithë lutjet e cituara, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), lutet për kënaqësinë e Allahut dhe për mëshirë në ahiret. Pastaj, kërkohet mbrojtje nga zemërimi dhe dënimi i Tij, si dhe ndihmë që besimtarët të jenë të vendosur në adhurim dhe të jenë mirënjohës ndaj Allahut.
Prandaj, e përbashkëta për të gjitha këto lutje është kërkimi i asaj që ndodhet tek Allahu dhe braktisja e asaj që është e kësaj bote. Në asnjë lutje nuk lutet për gjëra kalimtare të kësaj bote, famë të përkohshme, pasuri dhe stoli të pavlera.