Kur u regjistrova në shkollë të mesme, e braktisa jugun dhe shkova në Riad në Institutin e shkencës. Atje jetoja me xhaxhallarët të cilët ishin njerëz shumë të varfër. Në një situatë të tillë kam sakrifikuar dhe jam përpjekur shumë për të fituar arsimim të mirë. Në shkollë shkoja në këmbë ngase nuk kisha para për transport. Çdo mëngjes udhëtoja rreth tri orë e gjysmë deri në shkollë. Kthehesha pas dite dhe në rrugë kaloja po aq kohë sa edhe në shkuarje. Kur kthehesha, i ndihmoja të gjithë në punët e shtëpisë, qoftë edhe në punë fizike, kuzhinë, larje ose çkado qoftë tjetër.
Njëkohësisht merrja pjesë në të gjitha aktivitetet në Institut dhe merrja nota të shkëlqyeshme. Kisha një palë rroba që i vishja çdo ditë, kur shkoja në shkollë dhe kur isha në shtëpi. Vetë i laja, i qepja dhe i hekurosja. Bursën e vogël që e merrja e shpenzoja për ushqim dhe për gjëra elementare të jetesës. Në menynë time të ushqimit kurrë nuk ka pasur gjella shumë të shijshme apo pemë e ëmbëlsira. Lexoja dhe mësoja shumë, kështu që vetëm një herë në muaj shkoja në shëtitje dhe merrja pak kohë për pushim. I kisha 17 lëndë, prej gjuhës angleze, matematikës, shkencave të ndryshme deri te inxhinieria. Krahas krejt kësaj, kishim lëndë fetare dhe gjuhë arabe. Librat më shpesh i huazoja dhe i lexoja me aq vëmendje sa harroja ku ndodhesha dhe me kë isha....