Njeriu i mençur gjithnjë i synon qëllimet më të larta. Misioni i tij në këtë botë është që të jetë vazhdimisht i bindur ndaj Allahut, të kryejë vepra të mira dhe të jetë i dobishëm për shoqërinë. Pikërisht për këtë ai është i stolisur me virtyte të cilat janë stolia e tij më e bukur, në bazë të cilave e dallojnë banorët e qiejve dhe të Tokës.
Ja disa virtyte që i stolisin besimtarët e mençur.
- Në jetë është shumë me rëndësi të jesh i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, ngase shejtani i mallkuar thurë kurthe nga të gjitha anët dhe e pret moskujdesin e njeriut për ta larguar nga e vërteta dhe e mira.
- Besimtarët janë gjithnjë të vendosur dhe e dinë saktësisht çfarë dëshirojnë. Kjo i bën të lumtur e të kënaqur me jetën dhe me veprat e tyre.
- Vendosmëria dhe guximi e ndihmojnë shumë njeriun në problemet e shumta që dalin para tij.
"Ti përmbahu siç janë përmbajtur të Dërguarit e vendosur dhe mos kërko që dënimi t’u vijë sa më shpejt!"[1]
"Kurse Ademin që në fillim e urdhëruam; por ai harroi, edhe nuk ishte i vendosur."[2]
- Kjo botë nuk është gjithçka. Njerëzit i pret përjetësia, shpërblimi ose ndëshkimi për veprat e kryera.
- Për shpëtim shpresojnë vetëm ata që e besojnë Zotin. Ata e kanë Mbrojtësin, i Cili u ofron mbështetje, ngushëllim dhe shpresë. Janë të humbur ata që nuk besojnë, dhe prej tyre s’mbetet asnjë kujtim.
"As qielli e as Toka nuk i vajtuan dhe nuk u kursyen dot."[3]
- Takimet me njerëz të tjerë e të ndryshëm janë udhërrëfyes dhe mësim në shtigjet e së Vërtetës.
"Ne bëjmë që njëri tjetrin ta vëni në sprovë, andaj përmbahuni! Ndërsa Zoti yt sheh gjithçka."[4]
- Besimtari e di se është në lidhje me Mëshiruesin më të Mëshirshëm. Ai i falë të gjitha mëkatet dhe i gëzohet çdo pendimi. Është i ditur rasti i një plaku i cili kishte ardhur te i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), dhe i kishte treguar se ka bërë shumë mëkate, andaj dëshiron të dijë nëse mund t’i falen. I Dërguari, i tha të shqiptojë dëshminë se vetëm Allahu meriton të adhurohet, gjë që ky e bëri, pastaj më i miri i njerëzimit dhe i dashuri i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i tha: "Allahu t’i ka falur mëkatet." Pas kësaj, plaku shumë i lumtur u largua duke përmendur emrin e Zotit.
- Të gjithë ajetet e Kuranit predikojnë për optimizëm dhe për shpresë.
- Kjo botë është përplot vështirësi dhe e tillë do të jetë deri në vdekjen tonë, ngase ajo është e papërkryer.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: "Kjo botë për besimtarët është burg, kurse për jobesimtarët parajsë."
- Të gjitha sprovat janë vetëm përgatitje për shpërblimet e përjetshme, ndërsa më të mirët do të sprovohen më së shumti. Prandaj duhet të ruhemi shumë nga materializmi i cekët dhe dëshirat e mashtruese të kësaj bote.
- I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka paralajmëruar për këtë në shumë hadithe. Në njërin prej tyre thuhet: "Atij brenga e vetme e të cilit është kjo botë, Allahu do t’i japë shqetësime dhe do të bëjë që varfëria t’i dalë gjithnjë para sysh, kurse nga kjo botë do të ketë vetëm aq sa e ka të shkruar. Kurse atij që e synon botën tjetër, Allahu do ta bëjë të qetësuar dhe do t’i dhurojë pasuri në zemër, kurse kjo botë do t’i vijë e nënshtruar me përulje."
- Rruga e mesme është rruga e shpëtimit. Ne jemi komunitet i maturisë, i mesit dhe i drejtësisë në çdo gjë. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: "Mesi është më i miri për gjithçka."
Allahu në Kuran na ka quajtur "Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju. "[5]
- Vetitë e njeriut flasin për të, kështu që është i mirë ai tek i cili dominojnë vetitë pozitive, gjersa njerëzit e prapë njihen në bazë të mëkateve të shpeshta dhe paturpësisë në sjellje.
- Çdo njeri është unik dhe i pazëvendësueshëm. Prandaj, secili prej nesh duhet të zbulojë aftësitë e tij të veçanta dhe të ofrojë nga vetja e tij diç të papërsëritshme dhe origjinale, e jo të shkrihet në zymtësinë e të tjerëve. Lumturia nuk qëndron vetëm që t’i lumturosh të tjerët në llogarinë tënde, duke nëpërkëmbur karakterin e identitetin tënd për ta.
- Shpirti ka nevojë të pastrohet çdo ditë. Vetë jeta në këtë botë nga çasti në çast sjell shumë probleme dhe sprova. Krejt kjo manifestohet në shpirtin dhe në psikiken tonë. Prandaj shpirti duhet pastruar me dhikër, Kuran dhe vepra tjera të mira, pavarësisht sa jemi të devotshëm, të ditur dhe të kujdesshëm në fe. Shumë njerëz të ditur, posaçërisht shkrimtarë, përpiqen të gjejnë prehje shpirtërore dhe pastërti në mënyra të ndryshme, por nuk kanë sukses në këtë. Kjo për shkakun se ndjekin principe të gabuara, sado të mira qofshin ato, ngase vetëm e Vërteta mund të sjellë prehje dhe harmoni në jetën tonë shpirtërore. Fjalët e tyre zbulojnë huti dhe mashtrim.
"Por, ti do t’i njohësh sipas mënyrës së të folurit të tyre – Kurse Allahu di për veprimet e tyre."[6]
- Vetëm Allahu udhëzon në Rrugë të drejtë dhe zbulon rrugët e pafundme të së vërtetës.
"Thuaj: A mundet ndonjë prej zotave tuaj të udhëzojë në Rrugë të drejtë?, dhe përgjigju: vetëm Allahu udhëzon në Rrugë të drejtë!"[7]
- Allahu i jep të drejtë secilit ta zgjedhë rrugën e vet, ndërsa vetëm të urtit do të marrin mësim prej kësaj.
"Krejt atyre, edhe të parëve edhe të dytëve, u ofrojmë dhurata të Zotit tënd, dhuratat e Zotit tënd nuk i janë ndaluar askujt."[8]
"Allahu dëshiron t’ua sqarojë dhe t’ju udhëzojë në Rrugën në të cilën kanë qenë ata para jush, si dhe t’ju falë mëkatet. – Kurse Allahu di gjithçka dhe është i urtë. Allahu dëshiron t’ju falë, kurse ata që shkojnë pas pasioneve të veta dëshirojnë që ju të largoheni shumë nga Rruga e drejtë. Allahu dëshiron t’ua lehtësojë, kurse njeriu është krijuar si qenie e dobët."[9]
- Nëse je i mirë dhe i bukur, gjithçka rreth teje do të jetë e mirë dhe e bukur. Njeriu në jetë duhet t’i përkushtohet maksimalisht gjërave të bukura, t’i promovojë dhe t’i praktikojë ato në jetë. Kjo tek ai do të nxitë energjinë pozitive të cilën ai do ta përhap kudo rreth vetes. Në Kuran posaçërisht dallohen gjërat e bukura. Allahu na thotë se "gjithçka në Tokë e ka krijuar për ne", andaj këshillon:
"O njerëz, hani nga ajo ç’ka në tokë, por vetëm atë që është e lejuar dhe që është e mirë, si dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit, ngase ai është armik i hapur i juaji!"[10]
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka theksuar gjërat e bukura dhe vetë ka deklaruar: "Nga kjo botë i pëlqej aromat dhe gratë, ndërsa kulmin e kënaqësisë e gjej në namaz."
Ai, gjithashtu, ka këshilluar të tjerët se duhet jetuar jetën, në hadithin e njohur, kur një grupi të rinjve u kishte thënë: "Unë agjëroj, por edhe ha, falem, por një pjesë të natës edhe fle gjumë, martohem dhe ha mish. Kush nuk e ndjek praktikën time nuk është me mua."
Sa janë këshilla të bukura dhe të dobishme shembujt e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Ai dëshiron që ne të jemi njerëz të moderuar, që ne të jemi të përkushtuar ndaj Allahut, por që edhe t’i shijojmë begatitë e kësaj bote.
"Thuaj: Kush i ka ndaluar stolitë e Allahut, të cilat Ai i krijoi për robërit e Vet, edhe gjellët e shijshme?"[11]
Ndonëse ka qenë njeriu më modest, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e ka pëlqyer shumë mjaltin. Mirëpo, gjithë sjellja e tij është udhëhequr nga Kurani, në të cilin thuhet:
"Nga brendia e tyre dalin pije ngjyrash të ndryshme e cila është ilaç për njerëzit. Kjo është, pa dyshim, argument për njerëzit që mendojnë."[12]
"Nëse frikoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj grave bonjake, atëherë martohuni me ato gra që u lejohen, me dy, me tri dhe me katra. E nëse keni frikë se nuk do të jeni të drejtë, atëherë – vetëm me një; ose – ja ku i keni ato që i posedoni. Kështu do të ruheni më së miri nga padrejtësia."[13]
"O bijtë e Ademit, vishuni bukur kur të doni ta falni namazin! Edhe hani e pini, por mos e teproni; Ai nuk i do ata që e teprojnë."[14]
- Besimtarët e dinë dhe i gëzohen fitores së shpejtë. Kjo u është garantuar me Kuran, e këtë fitore mund ta shpejtojnë flijimet e tyre të sinqerta dhe veprat e mira. Ky është burim i shpresës, i lumturisë dhe i optimizmit të tyre.
- Njeriu është qenie shpirti i të cilit në esencë është i mirë, ndërsa natyra e pastër, prandaj gjithnjë duhet ngritur mbi urrejtjen, përçmimin dhe smirën.
- Dituria është çelësi i lumturisë dhe i gëzimit. Gjithçka që e përshkon dituria bëhet më e lehtë, më e bukur dhe me kuptim. Megjithatë, duhet pasur kujdes gjatë zgjedhjes së librave, madje kur është fjala për autorë të njohur dhe qëllimmirë. Kështu vetë jam bindur se librat e hadithit, posaçërisht përmbledhjet e Buhariut dhe Muslimit, janë më të mira se çdo vepër tjetër. Kam bërë një krahasim midis tyre dhe veprave Ihja Ulumi Din të Gazaliut dhe Kutubul Kulub të Mekiut, edhe kam ardhur në përfundim se këto të fundit janë mjaft hutuese, artificiale dhe jobindëse, ndërsa përmbledhjet e njohura të hadithit janë origjinale, të freskëta, të lehta dhe të kuptueshme.
- Besimtarët janë njerëzit më bujarë dhe më fisnikë në Tokë ngase e mbartin dritën e besimit dhe së vërtetës.
- Në çdo gjë duhet vepruar me masë dhe ngadalë. Ky rregull vlen edhe për misionin Islam, thirrjen - davetin. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i këshillonte shokët e tij që njerëzit t’i fusin në Islam gradualisht, duke filluar nga bazat e fesë dhe duke shkuar kah dispozitat detale. Janë të shumta dispozitat fetare që kanë ardhur gradualisht apo pjesë pjesë, siç është rasti me ndalimin e alkoolit. Kurani, gjithashtu, dëshmon për gradacionin në fe dhe në punë:
"Ata që nuk besojnë deklarojnë: Do të duhej që Kurani t’i shpallej i tëri, edhe atë përnjëherë! Kurse kështu shpallet në mënyrë që me të ta forcojmë zemrën ty dhe ne e shpallim ajet pas ajeti."[15]
"Si Kuran, krejt pjesë pjesë e shpallim në mënyrë që ti t’ua transmetosh njerëzve pak e nga pak dhe e shpallim sipas nevojës."[16]
- Çdo njeri i mençur duhet t’i ketë gjithnjë parasysh këto principe: "Jeton vetëm sot! Duhet gjithnjë të mendosh dhe ta falënderosh Zotin! Mos u zemëro!"
- Qetësia si rezultat mund të ketë vetëm atë që është e mirë. E kjo arrihet kur ta kuptojmë të vërtetën dhe te jemi të kënaqur me përcaktimin hyjnor.
- Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka deklaruar: "Kryerja e veprave të mira e mbron njeriun nga të këqijat dhe prapësitë."
Kur I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), filloi ta pranonte Shpalljen dhe erdhi i frikuar në shtëpi, Hatixheja (Allahu qoftë i kënaqur me të), i tha: "Allahu nuk të ka braktisur e as tradhtuar..."
- Izolimi i nevojitet çdonjërit që dëshiron të ketë shpirt të pastër dhe zemër të shëndoshë.
Kur një beduin e kishte pyetur të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), cili është njeriu më i mirë, ky ishte përgjigjur: "Besimtari që me jetën e vet dhe me pasurinë e vet lufton në rrugën e Allahut si dhe njeriu që izolohet për t’iu robëruar Allahut."
Në një transmetim theksohet që ky është njeriu: "I cili frikohet nga Allahu dhe i braktis njerëzit e tjerë duke pasur frikë nga prapësitë e tyre."
Më sipër e kemi cituar hadithin në të cilin thuhet se shumë shpejt do të vijë koha kur për besimtarin do të jetë më së miri ta ruaj bagëtinë larg nga qyteti dhe trazirat në të.
Gjithashtu, ekziston një transmetim nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thotë se i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: "Vetmia është më e mirë se sa shoqëria e keqe."
Në Risalen e Kushejrit kemi një kaptinë tejet të vlershme për vlerat e vetmisë dhe të izolimit. Megjithatë, nuk duhet harruar se ne jemi popull i maturisë, kështu që as në këtë nuk duhet tepruar duke qenë tërësisht asocial ngase është e detyrë e muslimanit ta përhapë dritën e besimit në shoqëri dhe jo të ikë prej saj. Vetmia është e mirë si ilaç për shpirtin, por vetëm kohë pas kohe.
- Çdo njeri duhet të luftojë ditë e natë dhe të sakrifikojë nëse dëshiron lumturi dhe sukses të përjetshëm. Besimtarët e dinë që Allahu e ka blerë shpirtin e tyre në kompensim me Xhenet. Kjo përpjekje dhe zell në rrugën e së vërtetës do të largojë të gjitha frikat dhe brengat tona, e do të sjellë prehje, gëzim dhe fuqi. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
"Luftoni kundër tyre! Allahu me duart tuaja do t’i ndëshkojë dhe poshtërojë, ndërsa juve do t’u ndihmojë kundër tyre, si dhe do t’i shërojë gjokset e besimtarëve dhe nga zemrat e tyre do të largojë brengat. E Allahu atij që dëshiron Ai do t’ia falë mëkatet. – Allahu di gjithçka dhe është i urtë."[17]
- Vrojtimi i kozmosit dhe ligjeve të tij ia shton besimin njeriut, i jep lumturi dhe respekt ndaj Zotit dhe Krijuesit. Gjithçka përreth është ajet dhe urtësi e cila të çon te Burimi:
"...prandaj merrni mësim nga kjo, o ju që jeni me mend!"[18]
Një filozof ka deklaruar: "Sa herë që kam pasur ndonjë dyshim për fuqi dhe forcë, kam shikuar librin e kozmosit për të lexuar argumentet impresive dhe fjalët e jashtënatyrshme të Krijuesit. Pas kësaj besimi im shtohej dhe forcohej."
- Veprat më të mira janë ato që i kryejmë rregullisht dhe vazhdimisht. Kjo është porosia e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e cila njeriun e afron me devocionin dhe bindjen e vërtetë. Vepra e vazhdueshme dëshmon për vetëdijen e përhershme të besimtarit për Allahun. Ja ç’thotë Allahu për të tillët:
"O besimtarë, nëse keni frikë nga Allahu, Ai do t’ju dhurojë aftësi, andaj do të mund ta dalloni të vërtetën nga e pavërteta dhe do të kalojë mbi veprimet tuaja të këqija dhe do t’ua falë. – E mirësia e Allahut është e pafund."[19]
- Mos u bëj kaotik dhe mos improvizo ngase kjo është shkak i çdo dëmi dhe i çdo mossuksesi.
"Por mos shpenzo shumë, ngase shkapërdarët janë vëllezër të shejtanit, kurse shejtani është mosmirënjohës ndaj Zotit të vet."[20]
- Vlera jote varet nga besimi, edukata dhe sjellja jote.
- Bëhu shumë i sjellshëm ndaj femrave. Në shumë vende në Kuran, Allahu e ka potencuar dashurinë ndaj femrave:
"Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, duroni sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira."[21]
"Dhe një nga argumentet e Tij është fakti që për ju, nga lloji juaj, krijon femrat që të preheni pranë tyre, si dhe që midis jush vendos dashuri dhe mëshirë; këto janë, vërtet, mësime për njerëzit që mendojnë."[22]
Ja disa hadithe në të cilat i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), nxitë për sjellje të mirë dhe të butë ndaj femrave: "Me gratë veproni më së miri ngase ato ju ndihmojnë më së shumti."
"Më të mirët prej jush janë atë që kanë sjelljen më të mirë ndaj familjeve të veta, kurse unë jam më i sjellshmi ndaj familjes sime."
Vetëm në këtë mënyrë ndërtohet shtëpia e sigurt e bazuar në devotshmëri.
"A është më i mirë ai i cili themelet e godinës së vet i bazon në frikën nga Allahu dhe me dëshirë që ta kënaqë Atë, ose ai i cili themelet e godinës së vet i bazon në skaj të bregut të gërryer që është anuar, që të rrënohet bashkë me të në zjarrin e Xhehenemit? – Kurse Allahu nuk e udhëzon në Rrugë të drejtë popullin, i cili është i padrejtë ndaj vetvetes."[23]
- Jini gjithnjë të qeshur dhe të parët që i përshëndetni të tjerët. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka deklaruar: "Buzëqeshja gjatë takimit me vëllain është sadakë."
Allahu lidhur me përshëndetjen ka thënë:
"E kur të hyni në shtëpia, ju përshëndetni familjarët e saj me përshëndetje të caktuar nga Allahu, të bekuar dhe të njerëzishëm. Kështu Allahu ua sqaron dispozitat, që të mblidhni mendjen!"[24]
"Kur ju përshëndesin me përshëndetje, kthejani me më të mirë se ai, ose vetëm kthejani, ngase Allahu do të kërkojë llogari për çdo gjë."[25]
- Kërkimi i hakmarrjes është helm i cili e shkatërron shpirtin, prandaj besimtari është gjithnjë i prirë që të falë dhe të kthejë me mirësi. Ky është parim i Zotit për mirësi të cilin e ndjekin vetëm besimtarët e sinqertë dhe të devotshëm.
- Kurrë mos i imito të tjerët dhe mos u shkri në personazhet e tjerëve. Dallimi është princip i krijimit të Allahut dhe bukuri të cilën duhet ta gëzojmë.
"Si nuk e di që Allahu lëshon ujin nga qielli dhe se Ne më ndihmën e tij krijojmë fryte llojesh të ndryshme; e ka male me shtigje të bardha, e të kuqe, ngjyrash të ndryshme, edhe tërësisht të zeza."[26]
"Dhe një prej argumenteve të Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, edhe ndryshimi i gjuhëve dhe i ngjyrave tuaja; këto janë, vërtet, mësime për ata që dinë."[27]
- Puno punën që e do dhe që të bën të lumtur, do të jesh më efektiv, më produktiv dhe më i dobishëm.