"Allahu ka qenë i mëshirshëm ndaj jush me faktin që u ka udhëzuar në fe të drejtë."[1]
Ekziston një e mirë të cilën mund ta hetojnë vetëm ata që janë jashtëzakonisht të ditur dhe të urtë. Ajo është e mira e udhëzimit të Allahut dhe të fesë Islame, që mund ta ndiejë muslimani vetëm kur të përsiatë për gjendjen e jobesimtarëve. Atëherë besimtari vetëdijesohet për nderin e madh që ia ka dhënë Lavdiploti, duke e ruajtur atë nga jeta e pakuptimtë e jobesimtarit.
Është vërtet e tmerrshme jeta e njeriut, i cili e mohon Zotin e vet, ajetet e Tij, vetitë, mohon të Dërguarit dhe librat e Tij, dispozitat dhe ndalesat e Tij. Pas kësaj pasqyre kujto se je musliman, se beson Zotin Një, të Dërguarit dhe librat e Tij si dhe Ditën e Gjykimit, se duhet t’i zbatosh urdhrat e Tij dhe të largohesh nga ndalesat e Tij.
Kjo është e mira më e madhe e cila nuk ka kundërvlerë dhe nuk mund të krahasohet me asgjë.
"Mos duhet besimtari të jetë i njëjtë me mëkatarin? Jo, për ta nuk do të jetë e njëjtë."[2]
Komentuesit e Kurani, gjithashtu, citojnë një të mirë të banorëve të Xhenetit, e ajo është që ata do të mund t’i shikojnë banorët e Xhehenemit, e pastaj të falënderojnë Zotin e tyre për të mirat e fesë.