Nuhu (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të) kishte deklaruar: "Kërkoni falje nga Zoti juaj ngase Ai, vërtet, falë shumë; Ai do t’u dërgojë shi me begati dhe do t’u ndihmojë me prona dhe fëmijë, si dhe do t’u japë kopshte, edhe lumenj do t’u ofrojë."[1]
Kjo është nxitja më e mirë dhe këshillë për njerëzit që të kërkojnë sa më shumë falje nga Allahu. Vetëm në këtë mënyrë do të ndjejmë qetësi në shpirt, duke shpresuar dalje nga çdo situatë. Do të shtohet furnizimi ynë dhe fitimi hallall. Ai që bën shumë istigfarë do të ketë familje dhe pasardhës të hairit, si dhe të gjitha të mirat.
"Ky është Libri, ajetet e cilit radhiten me kujdes dhe shpallen kohë pas kohe, nga i Urti dhe i Gjithëdijshmi, që vetëm Allahut t’i përuleni – unë vij prej Tij, të paralajmëroj dhe të tregoj lajme të gëzuara – që nga Zoti juaj të kërkoni falje dhe të pendoheni, ndërsa Ai do të bëjë që të jetoni mirë deri në çastin e vdekjes dhe çdo të ndershmi do t’i japë shpërblim të merituar."[2]
Në një hadith i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë: “Ai që kërkon shumë falje nga Allahu do të gjejë shpëtim nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo e keqe.”
Duhet deklaruar istigfarin më të bukur, ndërsa atë e ka shënuar Buhariu në përmbledhjen e tij:
"Allahume ente rabi, la ilahe ila ente, halekteni ve ena abduke, ve ene ala ahdike ve va`dike ma isteta`tu, eudhu bike min sherri ma sa`natu, ebu`u leke bi ni`metike aleje, ve ebu`u bi dhenbi fagfir li, fe inehu la jagfiru dhunube ila ente."
“Allahu im, Ti je Zoti im, nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje. Më krijove dhe unë jam robi Yt, andaj unë, sa është e mundur, i përmbahem marrëveshjes dhe premtimit Tënd. Tek Ti mbështetje kërkoj nga prapësia e asaj që kam bërë. I pranoj begatitë Tua ndaj meje dhe i pranoj mëkatet e mia. Andaj, më mëshiro. Vetëm Ti mund të mi falësh mëkatet.”