Të gjitha veprat tona dhe puna duhet të jenë të sinqerta dhe në emër të Allahut të Madhërishëm. Nuk duhet pritur mirënjohje nga askush. Prandaj, mos u brengos e as mos u dëshpëro nëse dikujt i bën ndonjë të mirë, por e shikon se si të qorton dhe fyen, duke mos e respektuar bamirësinë që ia ke bërë atij. Kërko shpërblim vetëm nga Allahu.
Allahu i Mëshirshëm thotë:
"O besimtarë, mos i injoroni urdhrat e Allahut të haxhillëkut, as muajin e shenjtë, e as kurbanin, posaçërisht ato të shënuara me qafore, as ata njerëz që janë nisur drejt Qabesë së shenjtë duke kërkuar shpërblimin dhe kënaqësinë e Zoti të vet. Ndërsa kur t’i kryeni detyrimet e haxhillëkut, atëherë mund të gjuani. Dhe të mos ju nxisë assesi urrejtja që e bartni kundër disa njerëzve, ngase ua kishin ndaluar hyrjen në Qabenë e shenjtë, t’i sulmoni! Ndihmoni njëri tjetrin në bamirësi dhe ndershmëri, e mos merrni pjesë në mëkat dhe armiqësi; dhe kini frikë nga Allahu, ngase Allahu dënon ashpër."[1]
"Thuaj: Për këtë prej jush nuk kërkoj shpërblim tjetër, pos që ai, i cili dëshiron të drejtohet në rrugën e cila shpie te Zoti i tij."[2]
"Thuaj: Çfarëdo shpërblimi të kërkoj nga ju, le t’u mbetet juve, mua më shpërblen Allahu, Ai vigjilon mbi çdo gjë."[3]
"Ne u ushqejmë për dashurinë e Allahut, nuk kërkojmë nga ju as mirënjohje e as meritë!"[4]
"Kurse prej zjarrit do të jetë larg ai, i cili ka frikë nga Allahu, ai që e jep lëmoshë një pjesë të pasurisë së vet, për t’u pastruar, pa pritur që t’i kthehet me falënderim, por vetëm për ta fituar kënaqësinë e Zotit të vet të Madhërishëm dhe ai do të jetë vërtet i kënaqur!"[5]
Një poet ka shkruar:
Ai që bën mirë për hir të shpërblimit e mirënjohjes,
me këtë nuk arrin gjë as te Zoti e as te njerëzit.
Vetëm Krijuesi Një dhe i Vetëm, Allahu i Madhërishëm, jep shpërblim, jep të mira, falë mëkate, ndëshkon, bën llogarinë dhe mund të jetë i kënaqur dhe i hidhëruar me veprat tona.
Gjatë kohës së zgjerimit të shtetit Islam disa ushtarë kishin rënë në rrugën e Allahut në Kandahar, andaj Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), kishte pyetur për ta. Sahabët ia numëruan emrat e tyre dhe deklaruan se nuk mund t’i njohë. Atëherë Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), ia plasi vajti dhe deklaroi: “Po, e vërtetë unë nuk i njoh, por i njeh Allahu i Madhërishëm.”
Një shok i të Dërguarit e kishte ushqyer një të verbër me ushqimin më të shijshëm dhe më të ëmbël. Pjesëtarët e familjes i thanë: “Po ky i verbër as që e di çka han. Përse ia dhe pikërisht ushqimin më të mirë?”
Ai u përgjigj: “Po, por e di Allahu.”
Përderisa je i ndërgjegjshëm që Allahu e përcjell çdo hap tëndin, di për çdo të mirë që kryen, për çdo gjë të bukur që ua bën të tjerëve, mos ua vër veshin njerëzve.