Njëri prej njerëzve shembullorë dhe të njohur ishte flakur në mesin e luanëve të egër, por Allahu e shpëtoi. Pas kësaj njerëzit e pyetën: "Çka mendove kur të flakën?"
"Mendova nëse pështyma e luanit është e pastër apo jo." (nga frika si do të dalë para Zotit – vër. përkth.) – u përgjigj ky njeri i mirë.
Dijetarët për të kanë folur vetëm fjalë të mira dhe mirënjohje.
Kujtova Allahun dhe dënimin e Tij,
ndërsa shijoja të mirat e shumta.
Ndaj harrova të gjitha kënaqësitë,
nga frika ç’ka thënë Zoti Një.
Allahu i Madhërishëm njerëzit dhe besimtarët e mirë i dallon në bazë të qëllimeve dhe të intencave të tyre:
"Pastaj, pas vështirësisë, ju dërgoi qetësi, disa prej jush i zuri gjumi, kurse të tjerët u kujdesën vetëm për vete, duke trilluar për Allahun atë çka nuk është e vërtetë, siç mendojnë gojëkëqijtë dhe duke deklaruar: Ku është fitorja që na është premtuar? Thuaj: Për gjithçka vendos vetëm Allahu! Ata fshehin në vete atë që nuk ta tregojnë ty. Sikur të kishim pyetur për diç, deklarojnë ata, nuk do të vdisnim këtu. Thuaj: Edhe po të qëndronit në shtëpitë tuaja, ata të cilëve u është caktuar të vdesin sërish do të dilnin në vendin e vdekjes së vet, në mënyrë që Allahu të provojë atë që ndodhet në gjokset tuaj dhe për të hulumtuar atë që ndodhet në zemrat tuaja – ndërsa Allahu i njeh mendimet e secilit."[1]
Ibën Kajim ka deklaruar se madhështia e njeriut matet me ambiciet dhe synimet e tij!!
Një njeri i mençur ka deklaruar: "Më trego për ambiciet e njerëzve dhe unë do të tregoj çfarë janë ata!"
Kush dëshiron, Allahu e shpie në qendër të Bagdadit,
e kush dëshiron, do ta sjellë vetëm deri te paralarjet.
Në kohën e një avarie të anijes një rob i mirë filloi të mbytej dhe filloi të lajë fytyrën, duart e këmbët duke marrë abdes. Mirëpo, iu zu fryma, dallgët e mbuluan. Më pas deti e hodhi në breg dhe njerëzit e pyetën përse e kishte bërë këtë. Ai u përgjigj se deshi të merrte abdes për të shkuar i pastër para Allahut.
Allahu të bekoftë gjithnjë dhe me çdo të mirë,
në fatkeqësi nuk harrove të kujtosh Zotin tënd.
Për çdo përpëlitje sysh pason shpërblimi,
si dhe për trimëri në momentin kur të afrohet vdekja.
Imam Ahmedi në çastin e vdekjes kishte kërkuar nga njerëzit që t’i japin abdes, gjë që ata e bënë!!
"E sa shumë kanë qenë të Dërguarit krahas të cilëve kanë luftuar shumë besimtarë të sinqertë, duke mos u stepur për shkak të vështirësive që u ndodhnin në rrugën e Allahut dhe pa u sprapsur e as dorëzuar – ndërsa Allahu i do të qëndrueshmit – dhe vetëm deklaronin: Zoti ynë, na fal gabimet tona dhe pamaturinë tonë në veprimet tona, si dhe na forco hapat tanë dhe na ndihmo kundër popullit që nuk beson! Dhe Allahu u dha shpërblim në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të dhurojë shpërblim më të madh se që e kanë merituar, - ndërsa Allahu i do ata që kryejnë vepra të mira."[2]