Bamirësia ndaj të tjerëve është cilësi që sjell lumturi dhe e largon pikëllimin. Ajo, s’do mend se përfshin edhe sadakën, dhënien të tjerëve, si dhe çdo formë të ndihmës dhe kryerjes së veprave të mira ndaj njerëzve. Krejt kjo qetëson zemrën dhe na zgjeron gjoksin.
"O besimtarë, jepni një pjesë nga ajo me çka u dhurojmë Ne, para se të vijë Dita kur nuk do të ketë as shpagim, as miqësi, e as ndërmjetësim! – Kurse jobesimtarët bëjnë padrejtësi ndaj vetvetes."[1]
"Muslimanëve e muslimaneve, edhe besimtarëve e besimtareve, edhe meshkujve të bindur e femrave të bindura, edhe meshkujve të sinqertë e femrave të sinqerta, edhe meshkujve të përmbajtur e femrave të përmbajtura, edhe meshkujve të përulur e femrave të përulura, edhe meshkujve të cilët japin zeqat dhe femrave e të cilat japin zeqat, edhe meshkujve që agjërojnë e femrave që agjërojnë, edhe meshkujve të cilët kujdesen për vendet e tyre te turpit e femrave që kujdesen për vendet e tyre të turpit, edhe meshkujve që e përmendin shpesh Allahun e femrave që e përmendin shpesh Allahun – Allahu, vërtet, për të gjithë ka përgatitur falje mëkatesh dhe shpërblim të madh."[2]
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), njeriun fisnik e ka përshkruar si personin rroba e të cilit zbukurohet dhe zmadhohet sa herë që jep lëmoshë, kështu që ai duket shumë bukur. Përkundër tij, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e përshkruan koprracin si njeriun që nuk i jep askujt asgjë, për këtë rrobat e tij gjithnjë tkurren dhe zhduken derisa të fillojë t’i zihet fryma.
Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:
"Ata të cilët i shpenzojnë pasuritë e tyre me dëshirë që të arrijnë simpatinë e Allahut dhe që kjo t’u bëhet shprehi – i ngjasojnë një fushe në të cilën ka shumë ujë, dhe jep fryte dy herë; nëse nuk ka shi të bollshëm, ka shi – të pakët. E Allahu e sheh mirë atë që punoni."[3]
"Mos e mbaj dorën të shtrënguar, por as tërësisht të hapur – që të mos meritosh qortim dhe të mbetesh pa asgjë."[4]
Koprracia e shpirtit është pasojë e koprracisë së dorës, kurse njerëzit koprracë janë zemërngushtë pa moral ngase bëjnë koprraci me të mirat e Allahut. Sikur ta dinin se ndihma dhe dhënia të tjerëve sjell kënaqësi – do të garonin me këtë të mirë.
"Nëse Allahut i jepni hua vullnetarisht, Ai do t’ua kthejë shumëfish dhe do t’u falë mëkate, ngase Allahu është i mirë dhe mirënjohës."[5]
"Dhe atyre të cilët Medinën e kanë zgjedhur për të jetuar dhe e kanë bërë shtëpi të fesë së vërtetë që para tyre; ata i duan njerëzit që vendosen dhe në gjokset e tyre nuk ndiejnë kurrfarë vështirësie, ngase atyre u jepet dhe u dëshirojnë më shumë atyre se vetes, ndonëse edhe vetë ata kanë nevojë. Kurse ata që ruhen nga mendjelehtësia, ata me siguri do të kenë sukses."[6]
Allahu nga begatia të dhuron,
ndaj dhe ti kujto të tjerët.
Paratë shpejt do të zhduken,
vitet do pushojnë së ecuri.
Thotë Hatimi:
Paraja është si uji,
nëse e ruan, ai prishet.
Nëse e lë të rrjedhë,
S’ka asgjë më të mirë.
Bamirësi i njohur Hatimi gruan e porosiste të bënte ushqim për mysafirë dhe nuk donte të hante pa ndonjë mysafir në sofër, ngase me të mund të bisedonte dhe të kishte shpirtin e pastër. Ndër arabët janë të njohura vargjet e tij ku porosit gruan:
Nëse na ke përgatitur ndonjë gjellë, gjeje dikë
që do ta hajë, ngase unë vetëm në sofër s’ulem dot.
Në një strofë tjetër si e zbulon sinqerisht filozofinë e tij të jetës:
Zemrën time ma kënaq dhe më thuaj,
a ka vdekur para kohe ndonjë njeri bujar.
Duhet të pyesin veten nëse grumbullimi i parave ia ka zgjatur jetën dikujt?
Nëse bujaria ia ka shkurtuar jetën dikujt?
Kjo, natyrisht, s’ka ndodhur kurrë.
[1] Bekare, 254.
[2] Ahzab, 35.
[3] Bekare, 265.
[4] Isra, 29.
[5] Tagabun, 17.
[6] Hashr, 9.