"Ja, kështu Zoti yt i ndëshkon kur dënon fshatra e qytete që kanë bërë zullum. Ndëshkimi i Tij vërtet është i dhembshëm dhe i tmerrshëm."[1]
Padrejtësia dhe zullumi ndaj robërve të Zotit, cenimi i të drejtave të tyre dhe dhuna ndaj të pafuqishmëve shkakton shkatërrimin dhe fatkeqësinë e njeriut.
Një njëri i urtë ka deklaruar: “Ki frikë nga ai kundër të cilit vetëm Allahu mund të ndihmojë.”
Historia e njerëzimit është përplot me shembuj të popujve që kanë qenë mendjelartë dhe të padrejtë. Pas tyre kanë mbetur pasoja të shumta në kujtesën e popujve të shtypur dhe të dëmtuar.
Të kujtojmë Amir ibën Tufejlin që deshi tinëzisht ta vriste të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), andaj i Dërguari e mallkoi dhe ai vdiq në vuajtjet më të rënda.
Erbed ibën Kajsi e shqetësonte të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), madje donte ta vriste, andaj i Dërguari e mallkoi, kështu që e goditi dhe e dogji rrufeja, si dhe gjithë bagëtinë e tij.
Sejid ibën Xhubejri (Allahu e mëshiroftë), e mallkoi Haxhaxhin disa momente para se ky ta vriste, duke thënë: “O Zot, mos lejo që pas meje ky ta mposhtë dhe robërojë dikë tjetër.”
Pas vdekjes së Sejidit, Haxhaxhin e goditi një sëmurje e rëndë dhe së shpejti vdiq në dhembje të mëdha, duke ulërirë si shtazë.
Kur Ebu Xhafer el-Mensuri erdhi në Mekë për ta vrarë Sufjan eth-Thevrin, ky u fsheh në Harem dhe u mbulua me mbulesën e Qabes, andaj, nga frika prej vdekjes, iu lut Allahut të Madhërishëm që Ebu Xhaferi të mos munde hynte në Qabe. Dhe vërtet Ebu Xhaferi vdiq te pusi i Mejmunit para se të hynte në Mekë.
Kadiu mutezilit Ahmed ibën Ebi Daudi kishte marrë pjesë në ndjekjen dhe persekutimin e imam Ahmed ibën Hanbelit, andaj ky u lut kundër tij dhe gjithë të tjerëve që e kishin munduar, së shpejti të gjithë këta njerëz i përfshiu murtaja, andaj Ahmed ibën Ebi Daudi deklaroi: “Kam qenë aq i sëmurë sa më bëhej që ka ardhur Dita e Gjykimit nëse në njërën gjysmë të trupit lëshohej një mizë. Ndërkaq gjysmën tjetër as që e ndjeja, kështu që lirisht mund ta shkurtonin.”
Ahmed ibën Hanbeli, gjithashtu, ishte lutur kundër ministrit Ibën Zejati, andaj ky përfundoi në vuajtje edhe më të rënda, ashtu që i ngulën thumba në kokë dhe e flakën në stufën e ndezur.
Hamza Bisjuni i torturonte keqas muslimanët në burgjet egjiptase në kohën e Xhemal Abdunaserit. Të persekutuarve të tij ai u thoshte: “Ku është Zoti juaj që ta fus prapa grilave?”
Sa të pacipa dhe ulëta ishin fjalët e tij. Së shpejti vdiq në një aksident komunikacioni, në rrugën drejt Kajros për në Aleksandri, ku u ngulit në një kamion që transportonte shufra hekuri, kështu që një shufër e shpoi prej kokës deri në thembër, e shpëtimtarët u desh ta copëtonin për ta nxjerrë nga makina e shkatërruar.
"Kurse ai dhe ushtria e tij pa kurrfarë arsye silleshin keq në Tokë dhe mendonin që nuk do të thyhen te Ne."[2]
"Adi pa kurrfarë arsye mburrej në Tokë. 'Kush është më i fortë se Ne?', deklaronin. Po si nuk e dinin që Allahu, i Cili i krijoi, është më i fortë se ata, e edhe shenjat tona i mohonin."[3]
Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Salah Nasrin që ishte një prej komandantëve të Abdunaserit, e i cili kishte kryer krime makabre ndaj muslimanëve. Atë e goditën sëmundje të shumta. Me vite mbeti në shtëpi i dëshpëruar, por ilaçi nuk kishte. Vdiq në burg, ku e kishin flakur ata, urdhrat e të cilëve i zbatonte.
"A nuk e di ç’bëri Zoti yt me Adin, me banorët e Iremit, plot pallate me shtylla, të cilat nuk kishin shok në asnjë vend; edhe Themudin, i cili gdhendte shkëmbinj në luginë, edhe faraonin, i cili kishte tenda – të cilët shkaktonin zullum në Tokë dhe shtonin veset në të, andaj Zoti yt – kamxhikun e vuajtjes mbi ta e lëshoi. "[4]